.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaA po fluturojnë çunat e Londrës me linjë direkte nga Kukësi?

A po fluturojnë çunat e Londrës me linjë direkte nga Kukësi?

“Çunat e Londrës” nuk udhëtojnë dot nga Anglia nëpërmjet aeroportit të Kukësit dhe anasjelltas, edhe pse ka kaluar një vit nga premtimi që iu dha kryemistri Rama. Sot aeroporti ‘Zayed-Flatrat e Veriut” në Kukës, ofron mundësi udhëtimi me dy kompani ajrore vetëm në 3 shtete të Europës, ku Britania e Madhe nuk bën pjesë. Pronarë të agjencive të udhëtimit në Kukës konfirmojnë se ka kërkesë të lartë për fluturime direkte në Londër, por në mugesë të tyre, ata nisen nga aeroporti i Tiranës, ose i Prishtinës.

Në prill të vitit 2021, kryeministri Edi Rama postoi në rrjetet sociale një video, ku shfaqej duke udhëtuar si pasagjer i linjës “Air Albania”, në avionin e parë që erdhi nga Londra dhe zbarkoi në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit.

“Tani po e besoni, apo akoma? Kështu ndodh gjithmonë me ata që thonë, jo nuk bëhet dhe pastaj kur bëhet…”-shprehej ndër të tjera kryeministri, i cili shfaqej duke bërë batuta me pasagjerët.

Një vit më vonë, gjatë një prezantimi për operimin e kompanisë “low cost”, ‘Wizz Air’ në aeroportin “Zayed – Flatrat e Veriut”, kryeministri Rama u zotua se do të kishte fluturime direkte Kukës-Londër-Kukës.

“Unë nuk do t’i ndahem Kukësit, deri kur ‘the London boys of Kukës’ të kenë fluturimet nga Kukësi në Londër dhe nga Londra në Kukës…Jam shumë besimplotë që ky aeroport ka një të ardhme fantastike dhe e gjithë zona ka një të ardhme fantastike edhe falë këtij aeroporti”, deklaroi Rama më 4 shkurt të vitit 2022.

Por, a ka vërtetë fluturime direkte nga Londra në Kukës dhe anasjelltas?

Faktoje bëri një verifikim, fillimisht duke iu referuar faqes zyrtare të kompanisë ajrore ‘Air Albania’ për të parë se çfarë fluturimesh ofrohen nga aeroporti ndërkombëtar i Kukësit. Nga kërkimi online rezulton se nga aeroporti “Zayed-Flatrat e Veriut” mund të udhëtohet vetëm drejt Basel-EuroAirport (në Zvicër) dhe anasjelltas.

Screenshot nga faqja e ‘Air Albania’

Siç shihet, me “Air Albania”, qytetarët nuk mund të udhëtojnë nga aeroporti I Kukësit drejt Londrës.

Gjithashtu, kërkuam edhe në faqen zyrtare të ‘Wizz Air’, për të parë fluturimet që ofron kjo kompani ‘low cost’ nga aeroporti i Kukësit.  Nga kërkimi rezulton se kompania mundëson fluturime në 4 aeroporte në 3 shtete të Europës, në Vienë (Austri); Basel-Mulhouse-Freiburg (Zvicër); Karlsruhe/Baden-Baden (Gjermani) dhe Memmingen/Munich-West (Gjermani).

Screenshot, faqja e kompanisë ‘Wizz Air’

As kompania “low cost” nuk ka mundësuar deri më tani fluturime për “çunat e Londrës”, siç premtoi një vit më parë kryeministri Edi Rama.

Faktoje bisedoi edhe me pronaren e një agjencie turistike në Kukës, zonjën Klodjana Visha, e cila konfirmon:

“Në aeroportin e Kukësit, përveç ‘Wizz Air”, kompanisë që ka fluturime nga aeroporte, në Vienë, Karlsruhe dhe Memmingen, tani është shtuar edhe operimi nga ‘Air albania’, për fluturimet Basel-Kukës dhe anasjelltas.

Ka shumë kërkesë për udhëtime Kukës-Londër ose për në Itali, pra me nisje nga Kukësi, por nuk ka fluturime me këtë itinerar. E vetmja zgjidhje është Prishtina ose Tirana. Shumica e klientëve që ndodhen në Kukës preferojnë Prishtinën, pra Prishtinë-Londër, por edhe Tiranën, pasi kjo e fundit ka më shumë orare nisjeje krahasuar me Prishtinën”, sqaron punonjësja e agjencisë.

Nëse do të shohim biletat për udhëtime nga aeroporti i Prishtinës drejt Luton/Londër për datën 12 qershor, shihet se çmimi është 89.99 euro dhe ka vetëm një fluturim.

Screenshot, rezervimet për datën 12 qershor 2023

Fluturimet nga Tirana drejt Londrës

Ndryshe nga aeroporti ndërkombëtar i Kukësit, në atë të Tiranës ofrohen së paku tre fluturime drejt Luton, Londër gjatë një ditë me kompaninë “low cost”. Në këtë periudhë, për shkak edhe të sezonit turistik çmimet janë më të” kripura”.

Përshembull, për datën 12 qershor 2023, çmimet e fluturimit nga aeroporti “Nënë Tereza” në Tiranë për në Luton/Londër variojnë nga 79.99 euro deri në 129.99 euro për person vetem vajtje.

Vihet re se interesi i qytetarëve është i lartë, pasi edhe në njoftimet e kompanisë bëhet e ditur se kanë mbetur vetëm pak vende të lira, ndërkohë që me hyrjen e sezonit të verës, çmimet e biletave kanë tendencë për t’u shtrenjtuar.  

Screenshot, rezervimet për datën 9 qershor 2023

Në maj të një viti më parë, Faktoje raportoi se në aeroportin e Kukësit operonte vetëm kompania “Air Albania”, me dy destinacione dy herë në javë, me çmime të arsyeshme, siç konfirmonin vetë pasagjerët. Mes mungesës së herëpas’hershme të fluturimeve, sidomos në dimër, bizneset që operonin pranë aeroportit dëshmuan asokohe për Faktoje se punonin me ndërprerje dhe mezi prisnin nisjen e operimit të kompanisë “low cost”, me shpresën se mund të sillte më shumë klientë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img