Prej vitit 2014, kryeministri Edi Rama ka premtuar se në Vjosë nuk do të lejohet ndërtimi i hidrocentraleve. Por, sipas dokumentave të siguruara nga Faktoje, përmes një VNM paraprake të vitit 2021 Ministria e Mjedisit dhe Turizmit i jep leje kompanisë “Shushica Hydropower” të ndërtojë një hidrocentral mbi rrjedhën e Shushicës, dega kryesore e Vjosës. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama nuk e shpall Vjosën Park Kombëtar, por Park Natyror, çka krijon hapësira ligjore për lejimin e ndërtimit të hidrocentraleve në një nga degët kryesore që furnizon Vjosën.
Në 13 qershor 2014, kryeministri Edi Rama premtoi se qeveria do t’i ndalte planet për hidrocentrale në lumin Vjosë duke e kthyer atë në një Park Kombëtar.
“Vjosa është një ndër lumenjtë më të bukur dhe me tiparet më interesantë të Europës, është një pasuri e madhe europiane. Ne në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare të interesuara do të realizojmë projektin e Vjosës në një Park Kombëtar.” – shtoi ai.
Në vitin 2015 gjatë një komunikimi publik, kryeministri deklaroi se nuk do të lejonte ndërtimin e asnjë HEC-i në zonat e mbrojtura. “Sigurisht që nuk mund të kthejmë mbrapsht hidrocentralet që janë në ndërtim, por që nga Kalivaçi e lart ne nuk do të lejojmë më të ndërtohet asnjë hidrocentral”, deklaroi Rama.
Në vitin 2021, pra gjashtë vite pas këtij premtimi, në një dalje televizive kryeministri ripërsëriti deklaratën duke specifikuar se mbi lumin Vjosë nuk do të lejohej ndërtim Hec-i.
“Zonë të mbrojtur Vjosën e kemi shpallur ne, dhe HEC-e në Vjosë nuk do ndërtohen!”
Pjesë nga deklarata publike e kryeministrit Rama
Por premtimet ndër vite të qeverisë Rama, bien ndesh me një VNM paraprake të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit e cila i jep leje kompanisë “Shushica Hydropower” të ndërtojë një hidrocentral mbi rrjedhën e Shushicës, degën kryesore të Vjosës.
Kryeministri Rama nuk e shpalli Vjosën Park Kombëtar, por Park Natyror. Drejtori Ekzekutiv i EcoAlbania, Olsi Nika shpjegon se shpallja e Vjosës si zonë e mbrojtur ose i ashtuquajtur park natyror (kategoria IV sipas IUCN), nuk është një status i përshtatshëm mbrojtjeje, pasi nuk siguron mbrojtjen e plotë të gjithë ekosistemit ujor dhe biodiversitetit. Zona aktuale e mbrojtur nuk përfshin degët si Bënçë dhe Shushicë, duke i lënë të ekspozuara jo vetëm këto degë dhe pjesët kryesore të lumit, ndaj kërcënimeve si ndërtimi i hidrocentraleve, kërkimi për naftë dhe gaz natyror dhe zhvillimet shkatërruese të aeroportit dhe komplekseve të hoteleve.
VNM-ja për kompaninë “Shushica Hydropowr”. Dokumentin e plotë e gjeni këtu
Ky vendim i ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit i ka dhënë dritë jeshile “Shushica Hydropower” të zhvillojë projektin për ndërtimin e katër hidrocentraleve në fshatrat Brataj, Gjorm, Kotë dhe Drashovicë.
Ky vendim është kundërshtuar nga 30 shkencëtarë shqiptarë, por edhe emra të njohur në Europë, të cilët përmes një analize të qartë kanë treguar se ndërtimi i hidrocentraleve do të kishte pasoja të rënda ekologjike dhe ekonomike si dhe do të çonte në rritjen e rreziqeve sizmike. Dokumentin e plotë e gjeni këtu
Në një tjetër letër drejtuar Ministres së Mjedisit dhe Kulturës, Profesor Aleko Miho sqaron se raporti i VNM për ndërtimin e HEC-eve në pellgun e lumit Shushica është jo i plotë, me mangësi të rënda dhe i pasaktë.
Pjesë nga letra dërguar institucionit përgjegjës. Dokumentin e plotë e gjeni këtu
Letra është nënshkruar edhe nga Prof. Fritz Schiemer (Universiteti i Vjenës) i cili edhe më herët gjatë një studimi për të njëjtin lumë është shprehur se mbrojtja e degëve të Vjosës është me rëndësi jetike për të.
“Nëse shkatërroni degët e saj, Vjosa do të shkatërrohet gjithashtu, ashtu si trungu i një peme i cili vdes përfundimisht, nëse pritni gjithë degët e saj”, thekson Fritz Schiemer.
Eksperti i mjedisit Olsi Nika shpjegon se Vjosa është lumi i fundit natyror i Europës dhe Shushica konsiderohet si një pjesë shumë e rëndësishme e këtij sistemi lumor unik në kontinent. Sipas Nikës Ndërtimi i HEC-eve, propozuar nga kompania “Shushica Hydropower” do të minonte këtë potencial ende të paeksploruar dhe do të vinte në rrezik biodiversitetin.
“EcoAlbania po e ndjek nga afër situatën duke evidentuar të gjitha shkeljet që lidhen me pjesëmarrjen e publikut në vendim-marrje në dëgjesat publike dhe shumë shpejt do të nisë përveç të tjerash edhe një betejë ligjore.”-përfundon ai.
Në një tjetër kërkesë drejtuar AKM, kemi kërkuar të dimë nëse kompania zotëron aktualisht një leje mjedisore. Në përgjigjen që AKM kthen për Faktoje.al thuhet se aktiviteti “Ndërtim HEC-i”, nuk perfshihet në aktivitetet që i nënshtrohen procedurës për Leje Mjedisi.
Përgjigjja e AKM për Faktoje.al
Në një tjetër përgjigjje institucioni na informon se Shoqëria “Shushica Hydropower” sh.p.k. është pajisur me Deklaratë Mjedisore, me nr.7162 Prot, datë 03.09.2018.
Pëgjigjja e AKM për Faktoje.al
Sipas përgjigjes së AKM rezulton se subjektit i ka skaduar afati i deklaratës Mjedisore, kjo pasi vetë ligji përcakton se Deklarata mjedisore apo vendimi për VNM-në paraprake për projektin e propozuar është e vlefshme për aq kohë sa është i vlefshëm edhe dokumenti i miratimit të zhvillimit për projektin. Nëse projekti, që i është nënshtruar procesit të VNM-së, nuk fillon zbatimin në terren brenda 2 vjetëve nga data e miratimit të deklaratës mjedisore apo të vendimit për VNM-në paraprake, atëherë këto dokumente konsiderohen të pavlefshme dhe procesi i VNM-së fillon
nga e para.
LIGJI NR. 10440, “PËR VLERËSIMIN E NDIKIMIT NË MJEDIS ”
Jemi në vitin 2022 dhe Kompania “Shushica Hidropower” i ka shtyrë punimet me më shumë se dy vite nga kontrata fillestare dhe vazhdon të ketë të drejtë të operojë përmes një Deklarate mejdisore të vitit 2018.
Çfarë thonë banorët?
Nazër Kongjoni banor i fshatit Brataj ku rrjedh lumi Shushica tregon se ai dhe banorët e tjerë të fshatit e kundërshtojnë një veprimtari të tillë e cila do të sjellë më shumë dëme sesa përfitime sipas tyre.
Nazër Kongjoni, banor i fshatit Brataj Vlorë
“Nuk mund të pretendosh të ndërtosh hidrocentral në një lumë të tillë. E dëmton fshatin, sepse në radhë të parë prish klimën. Gjatë verës kur temperaturat kalojnë 40 gradë ka një sistem avullimi të lartë. Krijohen avuj të cilat ngjiten në lartësinë shpateve dhe më pas krijojnë shira konvektive, shira lokale. Të gjitha këto janë për shkak të këtij lumi. Ky lumë është shtëpia jonë, është pasuria jonë, ne do ta kundërshtojmë dhe do të përdorim forcë nëse do të nevojitet forcë!”
Ndikimet në mikroklimë pohohen edhe nga vlerësimi i ndikimit në mjedis që kompania ka bërë publik. Madje në këtë raport theksohet se ndyshimi do të jetë më i dukshëm pikërisht në fshatin Brataj.
Pjesë nga VNM
Sotir Zahoaliaj, një tjetër banor shprehet se ai dhe bashkëfshatarët e tjerë janë kundër këtij projekti pasi ai do të ndikojë negativisht në pjesën ekonomike, por edhe në turizëm.
Sotir Zahoaliaj, banor i fshatit Brataj
“Kjo pjesë e lumit është e vlefshme të shfrytëzohet nga ana turistike pasi dy vitet e fundit këtu kanë ardhur shumë turistë. Ura e Bratit që është një urë historike humbet vlerën e saj nëse uji futet në tuba. Nga kjo veprimtari dëmtohen edhe tokat, pasi ne e shfrytëzojmë për vaditje. Ata do të lënë diçka, por ajo nuk mund të kontrollohet pasi do ketë abuzime. Po kështu bagëtitë do të dëmtohen, pasi ne me bagëti jetojmë.”
VNM e Ministrisë e pasaktë?! “Fshin” nga Monumentet e Kulturës urën e fshatit Brataj.
Në deklaratën mjedisore të lëshuar Agjencia Kombëtare e Zonave të mbrojtura citohet se sipërfaqja ku do të ndërtohet projekti nuk prek asnjë monument natyre, por Faktoje sjell në vemendje së në rrjedhën ku do të ushtrohet aktiviteti ndodhen disa monumente kulture mes të cilave “Ura e fshatit Brataj”.
Pjesë nga deklarata mjedisore
Koordinatat e Hec-eve
Në fshatin Brataj të Vlorës do të ndërtohen pikërisht dy nga HEC-et e parashikuara në projekt. Ndryshe nga çfarë AKM deklaron për monumentet e natyrës në këtë fshat ndodhet “Ura e Bratit” e cila aktualisht konsiderohet Monument Kulture i Kategorisë së Parë.
Ura e Bratit
Kjo urë është shpallur fillimisht monument kulture i kategorisë së parë nga Universiteti i Tiranës në vitin 1963 dhe më pas nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës në vitin 1973, por kjo nuk është marrë parasysh nga institucionet përgjegjëse në momentin e dhënies së lejes për Hec-et.
Të dhënat e monumenteve të kulturës për qarkun e Vlorës
Edhe në raportin e VNM që kompania “Shushica Hydorpower” ka dorëzuar pranë institucioneve përkatëse deklarohet se mes listës së monumenteve të kulturës që ndodhen në rajonin e projektit përfshihet dhe ky objekt.
Pjesë nga Vlerësimi i ndikimit në mjedis që kompania ka dorëzuar
Kompania i cilëson si monumente në afërsi të zonës së projektit.
Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion pranë AKM për të qartësuar nëse në të gjithë pellgun e lumit Shushica mbi të cilin do të ndërtohen këto Hec-ve preken apo jo Monumente të natyrës.
Kërkesa dërguar AKM (Agjencisë Kombëtare të Mjedisit)
Në përgjigjen e saj, AKM na orienton që për çështjen e monumenteve t’i drejtohemi institucioneve përgjegjëse që menaxhojnë Monumentet e Natyrës dhe Kulturës.
Një raport arkeologjik thekson në rekomandimet e parashtruara se Ndërtimi i pendës së pellgut ujmbledhës të HEC Brataj është spostuar në projektin e rishikuar, sipas rekomandimeve të DRKK Vlorë, përtej zonës së mbrojtur të Urës Brataj, monument kulture.
“Megjithëse pozicioni i ri nuk e cënon hapësirën e monumentit të kulturës, pjesërisht ajo mund të ketë efekt në peisazhin e tij.”-shkruhet në raport. Dokumentin do ta gjeni këtu