EDIT NIKOLLI
Kryeministri Edi Rama deklaroi më 9 janar se brenda javës në vijim do të fillonte puna për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Fierit, me investim nga Turqia. Në fund të javës që lamë pas Faktoje shkoi në terren për të verifikuar këtë deklaratë, por konstatoi se në vendin ku planifikohet të ngrihet spitali nuk kishte asnjë shenjë për nisje punimesh. Ndërkohë ekspertët e mjedisit shfaqen skeptikë sa i përket vendit të zgjedhur për ndërtim, pasi e konsiderojnë të papërshtatshëm për këtë qëllim.
Kryeministri Rama, pas kthimit nga vizita në Turqi ku u premtua ndërtimi i spitalit në Fier, shkoi në këtë qytet nga ku deklaroi:
“Javës tjetër fillon puna, vijnë të hënën njerëzit e ngarkuar për të bërë matjet, projektin janë duke e bërë gati. Ne duhet t’i vëmë në shërbim gjithçka”-tha kryeministri Rama.
Më herët, gjatë vizitës së tij në Turqi kryeministri Rama dhe presidenti Erdogan nënshkruan marrveshjen për ndërtimin e Spitalit të ri Rajonal të Fierit. Spitali pritet të jetë gati brenda tre muajsh, siç premtuan dy zyrtarët në formën e një basti, ndërsa për ndërtimin e tij do të angazhohen gati 1200 punëtorë.
Përfaqësues të kompanisë turke YDA Group bashkë me kryeministrin vizituan në fshatin Daullas në Fier, truallin e përzgjedhur për ndërtimin e spitalit. Por banorë të zonës protestuan dhe kundërshtuan për arsye se nuk ishin në dijeni të këtij projekti dhe nuk ishin dakord me dëmshpërblimin, pasi e konsideronin të ulët, për një tokë të cilën ata e kanë mënyrë jetese.
Foto e marrë nga profili i Kryeministrit, trualli ku planifikohet të ndërtohet spitali Rajonal në fshatin Daullas/Fier
Pavarësisht kundërshtive, kryeministri Rama garantoi se i gjithë ky projekt do të zhvillohet dhe të gjithë do të dëmshpërblehen sipas ligjit.
Në 15 janar, teksa afrohej fundi i javës gjatë së cilës duhet të nisnin punimet për spitalin, Faktoje udhëtoi drejt Fierit për të verifikuar deklaratën e kryeministrit Rama.
Trualli ku planifikohet të ndërtohet Spitali Rajonal në fshatin Daullas/Fier, 15 janar 2021
Foto nga vendi ku do të ndërtohet Spitali Rajonal në fshatin Daullas/Fier, toka është e punuar për t’u mbjellë, 15 janar 2021
Nga biseda me banorët e zonës, mësuam se ata po vijonin të punonin tokën ku përgatiten të mbjellin produktet me të cilat jetojnë, i njëjti vend që sipas qeverisë do të kthehet në truall për ndërtimin e spitalit.
Ndërtimi i spitalit në tokë ‘buke’ ndërkohë është kundërshtuar publikisht nga eksperti i çështjeve të mjedisit, Aleko Miho. Ai iu drejtua publikisht kryeministrit Rama përmes një postimi në rrjetet sociale:
“Nuk më duket aspak e mënçur zgjedhja e vendit. Në një zonë të tillë fushore ku ju duket se kini vendosur të mbyt mushkonja në behar dhe lagështia dhe uji në dimër. Nuk është aspak vendi i duhur për të ndërtuar një spital. Do këshilloja shumë një nga kodrat e Fierit, kam këtu parasysh kodrat e Ardenicës apo të Apollonisë. Dua të sqaroj se Shqipëria renditet ndër vendet me shumë pak tokë buke. Toka bujqësore zë 24.2% të sipërfaqes totale të vendit (pra rreth 695,700 ha), dhe kjo në vite shumë e keqpërdorur dhe e dhunuar. Nga një përllogaritje e thjeshtë, sasia e tokës së bukës për frymë është vetëm 0.24 ha, e barabartë me rreth 50 m x 50 m; ndoshta edhe më pak, me pushtimet e bëra gjatë gjithë kësaj periudhe kaotike tranzicioni”.
Faktoje iu drejtua edhe bashkisë Fier për të marrë informacion se çfarë po ndodhte me zotimin për të nisur punimet për ndërtimin e spitalit në fshatin Daullas, cili ishte plani i dëmshpërblimit të familjeve dhe nëse infrastruktura e zonës së zgjedhur ishte e përshtatshme apo e bazuar në ndonjë studim.
Bashkia Fier, 15 janar 2021
Në bashkinë e Fierit arritëm të kontaktonim vetëm me rojen e objektit dhe koordinatorin e Informimit, të cilët na thanë se kryetari nuk ndodhej në zyrë dhe se nuk dispononin asnjë informacion lidhur me projektin e spitalit të ri rajonal.
A i duhet Fierit një spital i ri?
Aktualisht qarku i Fierit e ka një spital rajonal ku ne u përpoqëm të merrnin informacion mbi kapacitetet dhe problematikat e mundshme, që e bëjnë të domosdoshëm ndërtimin e një tjetër spitali në këtë rajon. Në drejtorinë e spitalit, personi që gjetëm në zyrë refuzoi të jepte përgjigje për Faktoje dhe na kërkoi të pajiseshim me autorizim, por nuk na sqaroi se nga.
Hyrja në mjediset e spitalit na u ndalua në mënyrë kategorike.
Spitali Rajonal i Fierit, 15 janar 2021
Faktoje arriti të bisedojë me familjarë të pacienteve të shtuar, lidhur me kushtet që ofronte spitali. Në fillim ata hezituan të përgjigjeshin kur mësuan se ishim gazetarë.
“Shërbimet janë shumë të mira, unë kam burrin këtu dhe jemi të kënaqur”-tha për Faktojen një grua që priste në oborrin e spitalit. Kur e pyetëm nëse ishte në dijeni se në Fier do të ndërtohej një spital i ri, ajo tha se nuk ishte e informuar.