Me ekonominë e mbërthyer prej më shumë se një viti nga pandemia Covid-19, bashkë me pritshmërinë për tejkalimin e krizës, është rritur fluksi i njerëzve që hyjnë dhe dalin nga vendi për pushime. Tre javët e fundit, kur vetëm nga kufijtë tokësorë, ajrore dhe detarë raportohen rreth 1 milionë individë që kanë hyrë në vend, brenda më pak se një muaji, është disafishuar numri i të prekurve me Covid apo variantin i ri i virusit, Delta. I konfirmuar zyrtarisht prej muajit korrik se po qarkullon edhe në Shqipëri, Delta po konsiderohet kërcënimi i ri për shëndetin publik, çka po alarmon edhe Shqipërinë. Sa i mbrojtur është vendi ynë nga një valë e re të prekurish në kushtet kur mungojnë masat kontrolluese në kufi dhe kemi më pak se çerekun e popullsisë të vaksinuar plotësisht?
Pas më shumë se një viti pandemik dhe masash kufizuese, siç ishte mbyllja e përkohshme e kufijve, turizmi po shihet nga ekonomitë e shumë vendeve si një rrugëdalje nga gropat financiare ku u zhytën. Në këtë drejtim janë zhvilluar paralelisht përpjekjet për vaksinimin masiv të popullsisë, të shoqëruar me lehtësimin e masave kufizuese.
Më 17 prill, kryeministri Rama njoftoi nisjen e vaksinimit të operatorëve turistikë:
“Qeveria është gati të vaksinojë të gjithë personelin e strukturave hoteliere, duke filluar nga strukturat hoteliere të bregdetit, që janë ata që do të kenë edhe masën më të madhe te turistëve që do të presin, të cilët me këtë vaksinim, japin një garanci më shumë për turistët, si hotele që janë COVID free.”
Më 28 maj, në një publikim në profilin e tij në Facebook, kryeministri Rama njoftoi se ky proces ishte drejt përfundimit.
Më datë 4 korrik, raportimi zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë tregonte një siutatë të qëndrueshme e madje optimiste në lidhje me përhapjen e Covid-19. Atë ditë rezultonte vetëm 1 rast i ri me Covid në rang vendi, ndërsa numri i të vaksinuarve gjithsej ishte rreth 988 mijë, nga të cilët rreth 412 mijë qytetarë ishin vaksinuar plotësisht, me të dyja dozat. Por brenda një periudhe prej vetëm 3 javësh situata, bazuar në shifrat zyrtare, po jep sinjalet e rikthimit të një vale të re të prekurish.
Faktoje krahasoi raportimin e MSH të datës 4 korrik dhe atë të 25 korrikut, që dëshmon shumëfishim të të prekurve në disa qytete, si Tirana, dhe shtimin e bashkive ku janë rishfaqur rastet e reja pas një periudhe me 0 të prekur.
4 korrik 2021 – Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë – 21 raste
Shkodër – 10 raste
Elbasan – 6 raste
Durrës – 5 raste
Vlorë – 5 raste
Lezhë – 2 raste
Korçë – 2 raste
Fier – 1 raste
52 raste aktive gjithsej
Në përditësimin e MSH në faqen zyrtare më 25 korrik, rezulton pesëfishim i rasteve aktive në rang vendi, nga 52 që ishte në fillim të muajit, në 280 raste.
25 korrik 2021 – Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 98
Elbasan 30
Kukës 29
Vlorë 26
Lezhë 26
Durrës 18
Shkodër 17
Fier 14
Berat 13
Korçë 6
Gjirokastër 3
280 raste aktive gjithsej
Në raportimin e 25 korrikut spikat zgjerimi i hartës me 6 bashki të reja, ku janë identifikuar të prekurit e rinj me Covid-19 apo variantin e ri të virusit. Në këtë listë spikat Kukësi, i cili nuk bënte pjesë tri javë më parë dhe ku gjatë kësaj periudhe, siç kemi raportuar më 27 korrik, përmes pikës kufitare të Morinit kanë hyrë me mijëra persona në mungesë të çdo lloj mase apo kontrolli ndaj Covid.
Edhe drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, zonja Albana Fico, konfirmoi rritjen e rasteve të reja gjatë konferencës së Komitetit Teknik të Ekspertëve, të hënën e datës 26 korrik.
“Mesatarja ditore është rritur, nga 13 në 27. Numri total i rasteve aktive rezulton i rritur, nga 272 në 280. Numri i bashkive të cilat janë përfshirë në rastet e reja ka shkuar në dhjetë.” – tha ajo.
Kësaj konference i parapriu një postim i Ministres së Shëndetësisë, zonja Ogerta Manastirliu, që konfirmonte zyrtarisht praninë e variantit Delta.
Prania e këtij varianti, në mënyrë të pashmangshme në Shqipëri, është një lajm i keq pasi ashtu siç ka pohuar Zv. Ministrja e Shëndetësisë, zonja Eugena Tomini, në një intervistë për “News 24“, transmetueshmëria e lartë mund të sjellë një valë të re prekjesh.
“Duhet të theksohet që transmetueshmëria e tij është shumë herë më e lartë dhe Shqipëria s’mund të bëjë përjashtim. Sipas të gjitha gjasave që dhe OBSH dhe Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve Infektive ka deklaruar që gushti, mesi i gushtit, do të shënojë edhe pikun e sundimit të Deltës, gati në 90% të varianteve qarkullues.” – u shpreh ajo, duke paralajmëruar se cilët janë më të rrezikuarit.
Ajo që dimë deri tani, kur vjen fjala tek Shqipëria, është se numri i të vaksinuarve plotësisht është diku te gjysmë milioni, apo më pak se çereku i popullsisë së vaksinueshme, që llogaritet të jetë 2.2 milionë.
Ky është një numër i ulët dhe rrit potencialin e përhapjes së Deltës në pjesën më të madhe të popullsisë. Kjo situatë ka alarmuar autoritetet shëndetësore, të cilat pasi eksperimentuan javën e vaksinimit të hapur në korrik, shpallën gushtin si muajin e vaksinimit të hapur.
“Personat mbi 60 që nuk janë vaksinuar përbëjnë rrezik për t’u prekur edhe nga format e rënda të virusit, ashtu sikundër patëm rastin dje, një 70-vjeçar pa vaksinuar që humbi jetën, por ka dhe mosha më të reja, 40 vjeç e poshtë që po shtrohen në spitale”- tha epidemiologia Silva Bino.
“Virusi Delta e bën urgjent vaksinimin! Virusi është teper ngjitës dhe koha nuk pret”- apeloi ajo.
Deutsche Welle shkruante më 26 korrik, bazuar në opinionin e ekspertëve të virologjisë dhe epidemiologjisë se Delta është versioni më i shpejtë, më i fortë dhe më befasues që bota ka parë. Ata citojnë mikrobiologun Sharon Peacock, i cili thekson:
“Rreziku më i madh në botë për momentin është thjesht delta”.
Ndërsa sipas ekspertëve vendas, mbërritja e variantit Delta ishte vetëm çështje kohe, sidomos në këtë kohë fluksi lëvizjesh në pikat kufitare. Faktoje i hodhi një sy shifrave të deritanishme për hyrje-daljet.
Raportimet e fundit të INSTAT në këtë aspekt, i përkasin muajit qershor 2021. “Gjatë këtij muaji në territorin shqiptar janë regjistruar 939,872 hyrje, rreth 2,6 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Prej tyre 604,381 janë shtetas të huaj, të cilët shënojnë një shifër 3,4 herë më të lartë se qershori i vitit paraardhës.”- thuhet në raportin e Instat.
Mes shteteve nga janë shënuar hyrjet për në Shqipëri, spikasin Anglia, Italia etj., ku prania e variantit Delta ka muaj që është konfirmuar.
Hyrja e shtetasve të huaj sipas vendeve të origjinës, INSTAT
Por çfarë masash ka në fuqi Shqipëria për të identifikuar rastet e mundshme me virusin e rrezikshëm apo variantet e reja të tij? Faktoje bëri disa verifikime në aeroportin “Nënë Tereza” që në fillim të muajit korrik, kur nga raportimet zyrtare mësuam për rritjen e fluksit të hyrjeve nga shtetet e tjera. Ne pyetëm pasagjerët që mbërrinin në Shqipëri mbi kontrollin që iu ishte bërë në mbërritje.
Aeroporti “Nënë Tereza”, 2 korrik 2021. Foto: Ilda Kurti
“Në zbritje nuk na e matën temperaturën, vetëm kur hipëm atje, në Krakovë”, – u shpreh për Faktoje një person tek të 30-tat, i cili sapo zbriti nga fluturimi i Krakovës në Poloni.
Një qytetar i huaj, që kishte mbërritur me të njëjtin fluturim, konfirmoi se në momentin e zbritjes në Shqipëri nuk i kishin kërkuar as testin PCR që zakonisht kërkohet në aeroportet ndërkombëtare. Ai i tha Faktoje se nuk kishte kaluar ndonjë kontroll për matjen e temperaturës.
Aeroporti “Nënë Tereza”, 2 korrik 2021. Foto: Ilda Kurti
Faktoje shkoi gjithashtu në Portin e Durrësit gjatë muajit korrik, ku pati mundësi të bisedonte me një turiste që kishte ardhur nga Italia me tragetin e linjës Bari-Durrës.
Porti i Durrësit, 4 korrik 2021. Foto: Aurora Shpataj
“Nuk më kanë kërkuar asgjë, as tampon, as çertifikatë vaksinimi. Mezi pres të vizitoj Shqipërinë”- tha ajo për Faktoje.
Lëvizjet e shtetasve sipas mënyrës në pikat kufitare, ajrore, detare e tokësore, INSTAT
Mungesa e kontrollit në pikat kufitare, qoftë tokësore, detare apo ajrore janë konfirmuar edhe nga autoritetet shtetërore që pranojnë se për kontrollin e udhëtarëve që futen në Shqipëri kujdesen vendet e tjera në pikat e tranzitit.
“Për nivelin jashtë kufijve të Shqipërisë, pra për nivelin ndërkufitar shqiptar nuk kërkohet dokument testimi apo vaksinimi për të hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në të gjithë tranzitet internacionale, aeroportuale, përkundrejt Covid-19 do t’i kërkohet testi i PCR në 72 orët e fundit dhe sigurisht që kur vjen në territorin shqiptar ka kaluar disa pika kufitare që e kanë check-uar testimin e tij.” – tha zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini më 22 korrik.