ELISA GJERANI
Në Shqipëri procesi i vaksinimit kundër Covid-19 ka nisur vetëm në Tiranë dhe numri i vaksinave të mbërritura është rreth 2000, pavarësisht zotimeve të qeverisë për shifra disafish më të larta. Teksa qeveria premton se ka gati mjediset e vaksinimit në Shkodër e Vlorë, verfikimi në terren dëshmon të kundërtën. Nga ana tjetër, në radhët e mjekëve ka paqartësi dhe pakënaqësi për prioritizimin e kryerjes së vaksinës. Ndërsa ekspertë të shëndetësisë parashikojnë se me këtë ritëm të furnizimit me vaksina, imunizimi i tufës do arrihet nga infektimet me Covid, duke e ‘nxjerrë jashtë loje’ strategjinë 14-22 mujore të procesit të deklaruar nga qeveria.
Më 11 janar 2021, Shqipëria filloi procesin e vaksinimit të mjekëve të Spitaleve Covid, me dozën e parë të vaksinave, të cilat iu dhuruan Shqipërisë nga një vend mik siç deklaroi kryeministri Rama, pa dhënë hollësi të tjera.
Po atë ditë, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një emision televiziv deklaroi se procesi i vaksinimit nuk do të ndalej vetëm tek Air Albania, por po ngriheshin strukturat e duhura edhe në dy qytete të tjera Vlorë dhe Shkodër, ashtu sikurse ishte artikuluar që në muajt e fundit të viti 2020:
“Ne kemi punuar duke vlerësuar të gjitha kushtet dhe kapacitetet, ndaj kemi vendosur që të kemi qendra vaksinimi të përqendruara, ashtu siç kemi zgjedhur arenën kombëtare, që ka një kapacitet prej 60 postacionesh vaksinimi dhe gjithashtu do të shtrihemi edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si në Shkodër dhe Vlorë, ku do të përgatisim dhe kanë filluar përgatitjet për qendrat e tjera të vaksinimit.”- tha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu më 12 janar.
Si për ta përforcuar këtë deklaratë të ministres, 3 javë më vonë, kryeministri Rama tha:
“Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë ka filluar me trajnimet, me organizimin edhe dy qendrat e tjera të vaksinimit, në Shkodër dhe në Vlorë janë gati për të filluar. Pastaj, vaksinimi do të bëhet kapilar, për të shkuar në të gjithë territorin, natyrisht, sepse nuk mund t’i mbledhim njerëzit të gjithë në disa pika”- tha ai.
Faqja zyrtare e kryeministrisë ku është publikuar informacioni
Sipas burimeve nga Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik, është pikërisht Pallati i Sportit në qytetin e Vlorës struktura e përzgjedhur për njësinë e vaksinimit për jugun, teksa pritet të hapen edhe të tjera kur të nisë vaksinimi masiv. Por deri më tani, megjithëse kryeministri Rama garantoi se kjo qendër së bashku me atë të Shkodrës janë gati, pamjet tregojnë të kundërtën.
Ne pyetëm Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Publik, Vlorë për të marrë informacion më të detajuar lidhur me procesin e vaksinimit në këtë qytet dhe se çfarë pritet të ndodhë me përgatitjen dhe fillimin e punës për vaksinimin e mjekëve të Spitalit Rajonal të Vlorës.
“Nuk mund t’ju japim asnjë informacion. E gjitha është në kompetencën e Drejtorisë së Shërbimit Shëndetësor Parësor të Jugut dhe ne nuk dimë gjë”- tha
Myzafer Ismalaj, drejtues i DRSHP-së, duke na adresuar kështu tek një tjetër institucion ombrellë.
Pallati i Sportit “Flamurtari” në Vlorë
Ne kontaktuam në telefon me doktor Kujtim Llapin, drejtues i Shërbimit Shëndetësor Parësor për jugun, i cili më parë ka mbajtur detyrën e drejtorit të Spitalit Psikiatrik të Vlorës.
Ai na sqaroi lidhur me procesin duke konfirmuar atë që ne kishim konstatuar në terren.
“Konstatimi juaj është i saktë, vendi ku do të realizohet vaksinimi është Pallati i Sportit, është zgjedhur vetëm një vend dhe është mëse i mjaftueshëm, ku do të ngrihen 6 postacione. Aktualisht janë duke u trajnuar mjekët, infermierët dhe koordinatorët që do të marrin pjesë në proces, ku sipas protokollit që është nisur nga Ministria do të nisë më pas edhe vaksinimi për mjekët e të gjithë spitaleve të jugut në këtë pikë të Vlorës. Shumë shpejt do të nisim me punën”– tha Llapi, teksa theksoi se përgatitja e ambientit nuk është ndonjë punë kolosale, pasi s’ka nevojë për shumë infrastrukturë, përveç posteve dhe frigoriferëve.
Pallati i Sportit “Flamurtari” në Vlorë
Pallati i Sportit “Flamurtari” në Vlorë
Ne kontaktuam edhe me znj. Dhurata Hysa, drejtuese e DSHP-së Shkodër, e cila sqaroi:
“Jemi në proces e sipër ende, nuk mund të them më shumë!”
Ne u përpoqëm të kontaktonim përmes telefonit me z. Astrit Beci, drejtues i Shërbimit Shëndetësor Parësor për Veriun, lidhur me këtë proces, që qeveria e konsideron të mbyllur, por nuk morëm një përgjigje. Gjithsesi burime ende të pazyrtarizuara na treguan se një ndër mjediset që mund të përzgjidhet për kryerjen e vaksinimit në Shkodër, është Stadiumi “Loro Boriçi”.
Foto nga jashtë stadiumit “Loro Boriçi”, Shkodër
Foto nga jashtë stadiumit “Loro Boriçi”, Shkodër
Më datë 11 janar 2021, ditën kur filloi vaksinimi i mjekëve të parë në Shqipëri, ministrja Manastirliu në një intervistë televizive u ndal edhe tek kategoritë që do të përfitojnë të parët nga vaksina anti-Covid.
Ajo tha se do të vaksinohen fillimisht mjekët dhe infermierët, të cilët janë më të ekspozuar ndaj virusit, e më pas me ardhjen e vaksinave të reja, do të nisë puna paralelisht, si për stafin mjekësor ashtu edhe për të moshuarit në qendrat rezidenciale së bashku me stafin e këtyre institucioneve të kujdesit shëndetësor.
“Aspak nuk bëhet fjalë, besoj unë, dhe as nuk kemi pasur këtë problematikë me mjekët dhe infermierët se kush do të jetë i pari apo i dyti, se vetë plani i vaksinimit, i hartuar nga ekspertët tanë më të mirë, qoftë nga Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit, qoftë nga Komiteti Kombëtar i Imunizimit kanë vendosur në uninamitet kategoritë prioritare që do të marrin vaksinën”- tha ndër të tjera ajo.
Por në 1 shkurt mbërritën jo më shumë se 1170 vaksina, rreth 10 fish më pak nga sa u premtua nga qeveria, sikurse edhe Faktoje ka raportuar më herët.
Po në atë datë kryeministri Edi Rama përforcoi edhe më shumë atë që ministrja e Shëndetësisë tha rreth 3 javë më parë, në një konferencë për mediat.
“Me lëvrimin e 10 mijë e disa qindra dozave, plus, 30 mijë e disa qindra doza, praktikisht hyjmë në zonën e vaksinimit të moshave më të thyera. Por siç dje u shpjegova, ne jemi shumë afër kontratës me AstraZeneca për një numër dozash të konsiderueshme, që do të vihen në dispozicion shpejt. Mendoj se kemi të gjitha arsyet të jemi optimistë se plani ynë, për të hyrë në vaksinim intensiv për të gjithë qytetarët, do të funksionojë dhe që skenari i parë, për të kryer vaksinimin në 14 muaj, është një skenar plotësisht i mundshëm.”- deklaroi kryeministri Rama.
Plani Kombëtar i Vaksinimit, detajet e të cilit janë publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Kujdesit Social, përfshin disa aspekte.
“Aspekti kryesor lidhet me prioritizimin e grupeve të cilat do të vaksinohen. Dhe këto grupe fillojnë me ata të cilët janë në përballje të përditshme me armikun e padukshëm, që janë punonjësit e shëndetësisë, mjekët, infermierët, epidemiologët, punonjësit e urgjencave. Ndërkohë, kemi një prioritizim brenda grupeve, të gjithë punonjësit e shëndetësisë, pra mjekët dhe infermierët, që ofrojnë shërbime në spitalet tona Covid, do të jenë të parët që do të vaksinohen. Por nga ana tjetër kemi dhe vaksinimin e kombinuar në ato grupe, të cilat kanë nevoja urgjente në vaksinim. Është planifikuar që ato persona të moshuar që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve dhe në institucionet e kujdesit shëndetësor dhe atyre sociale afatgjata të vijojnë vaksinimin në mënyrë paralele me mjekët dhe infermierët në fazën e parë. Ndër grupet të cilët janë identifikuar si prioritarë për t’u vaksinuar janë personat e moshuar dhe ato me probleme të shumta shëndetësore. Në vijim do të vaksinohen edhe personat që kryejnë shërbime të tjera kritike për shoqërinë, si mësuesit policët apo të tjerë”- thuhet në strategjinë e vaksinimit të kësaj ministrie.
Por pavarësisht protokollit të miratuar dhe kategorive të përcaktuara, përveç deklaratave të ministres Manastirliu dhe kryeministrit Rama për mjekët dhe infermierët e tjerë nëpër qytete, nuk ka një dokument, ku të thuhet e zeza mbi të bardhë se kur do fillojë vaksinimi i trupës mjekësore, që gjithashtu është tejet e rrezikuar, pasi presin pacientë me Covid-19, ku në shumë raste bëjnë triazhimin, duke i nisur drejt Tiranës.
Ne pyetëm disa spitale në rrethe nëse ka një datë për fillimin e vaksinimit për to, por mjekët janë ende në pritje për vaksinën anti-Covid.
“Sipas strategjisë së vaksinimit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë, kemi hartuar listën e stafit prioritar (Urgjencë, Infektiv dhe Reanimacion) të cilën e kemi depozituar pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Jemi në pritje të datës së njoftimit për fillimin e vaksinimit”- thonë përfaqësuesit e Spitalit të Pogradecit, që numëron rreth 30 mjekë.
E njëjta gjë vlen edhe për spitalet më të vogla që paraqiten si struktura bashkiake. Drejtori i Spitalit të Lushnjës, Pjerin Vogli thotë për Faktoje:
“U bë kohë në fakt që i kemi dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë ashtu sikurse na është kërkuar, listën e plotë të stafit të mjekëve, por ende nuk kemi një përgjigje se kur do të nisë vaksinimi. Ne jemi përballur me shumë pacientë me Covid-19 dhe normalisht që megjithëse jemi ndjerë të rrezikuar u kemi shërbyer”- thotë Vogli.
Ne pyetëm edhe drejtorin e Spitalit të Bulqizës, Hazis Jella, nëse ka një njoftim zyrtar se kur do të nisë vaksinimi për stafin e këtij spitali, por ai u përgjigj se s’ka asnjë informacion lidhur me këtë proces.
“Kemi dërguar numrin e punonjësve që janë aktualisht pjesë e spitalit, ashtu sikurse na është kërkuar, por ende nuk kemi asnjë informacion se kur do nisë vaksinimi për ne”- u përgjigj Jella.
Kjo situatë e paqartë ka sjellë pakënaqësi të mëdha tek mjekët e familjes në shumë qytete. Ata shprehen për Faktojen se ndihen të rrezikuar.
“Ne nuk kemi asnjë informacion se kur do të na vijë radha, pasi në fakt më duket e padrejtë që organet kompetente na kanë lënë të fundit, teksa do të vaksinohen edhe mjekë e infermierë që nuk kanë lidhje me Infektivin ose që s’janë përballur gjatë 11 muajve pandemi me asnjë rast të vetëm të pacientëve me Covid-19. Ne jemi në vijën e parë, ashtu sikurse mjekët e spitaleve, pasi na kanë vënë para një përgjegjësie të madhe, jemi ne që i presim pacientët e sëmurë tanimë, jemi ne që u japim mjekimin, vendosim nëse gjendja është për në shtëpi apo spital, qëndrojmë në kontakt me ta gjatë të gjithë kohës”- thotë një mjeke e Poliklinikës qendrore në kryeqytet.
Informacioni është edhe më i cunguar në qytete të tjera të vendit, ku mjekët e familjes vijojnë të punojnë mes frikës nga virusi dhe burokracive të shtetit që shtohen nga dita në ditë në kurriz të mjekëve, sidomos në këtë periudhë pandemie.
“Për procesin e vaksinimit nuk është bërë asgjë. S’kemi marrë asnjë lloj njoftimi, e s’dihet çdo bëhet e kur do të na vijë radha”- thotë një tjetër mjeke në Poliklinikën e qytetit të Vlorës.
Ne iu drejtuam me një kërkesë zyrtare për informacion më datë 26 janar 2021 Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me procesin e vaksinimit të mjekëve në rrethe dhe nëse ishin gati strukturat e përcaktuara si të përshtatshme nga institucionet për vaksinimin në Vlorë e Shkodër, por nuk mori një përgjigje.
Eksperti i shëndetësisë Artan Koni u shpreh për Faktoje mbi fushatën “Shqipëria Buzëqesh” për vaksinimet e stafit mjekësor në rrethe.
“Nuk është kjo strategjia e duhur që duhej ndjekur. Duhet të ishin mjekët e familjes të parët, pasi ata janë përballë pacientit dhe rrezikut nga virusi vdekjeprurës. Mjeku i familjes duhet të ishte i pari, sidomos me shtimin e numrit dhe të rasteve që po trajtohen në fakt nga këta të fundit. Por e gjitha kjo vjen ngaqë nuk kanë vaksina”-thotë ai, teksa shton se përgatitja e strukturave për vaksinim në rrethe është një gënjeshtër e madhe, njësoj si me numrin e vaksinave që pritej të vinte në Shqipëri dhe me spitalin Covid 4 që u tha që në verë ‘u bë’, dhe ende s’kishte përfunduar.
Sa i përket skenarit më të mirë të parashikuar nga qeveria shqiptare për përmbylljen e vaksinimit në 14 muaj, Koni tha se me këto infektime ditore që kemi do ta arrijmë më shpejt imunizimin e tufës.
“Duke pasur nga 1000 infektime në ditë, deri në fund prilli ose fillim maji do ta kemi arritur imunizimin e tufës dhe nuk do kemi nevojë për aq shumë vaksina pas 14 muajsh e aq më shumë pas 22 muajsh. Por arritje do ishte që shteti të bënte vaksinimin masiv të popullatës në 3-4 muaj, jo në një hark kohor kaq të gjatë, pasi i tillë nuk ka më vlerë”- përfundon mjeku Artan Koni.