A i largoi Vjosa Osmani vajzat nga shkolla publike për shkak të banjos? 

Deklarata, e shpërndarë si citim i drejtpërdrejtë i Presidentes, rezulton e nxjerrë nga konteksti i dy deklaratave të ndara dhe pa lidhje me njëra tjetrën

72

Në rrjetet sociale dhe disa portale është ngritur pretendimi se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka larguar vajzat e saj nga një shkollë publike në Prishtinë, pasi u kërcënohej siguria për shkak se klasa e tyre ndodhej pranë banjos. Deklarata, e shpërndarë si citim i drejtpërdrejtë i Presidentes, në fakt rezulton e nxjerrë nga konteksti i dy deklaratave të ndara dhe pa lidhje me njëra tjetrën 

Nga Jona Cenameri

Portale të ndryshme në Shqipëri përdorën një intervistë të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për të përhapur lajme të pavërteta dhe për të ngjallur reagim dhe indinjatë tek lexuesit. Duke përdorur tituj që nxjerrin nga konteksti fjalët e Osmanit, mediat njoftuan se ajo kishte larguar vajzat e saj nga shkolla publike pasi u kërcënohej shëndeti pasi e kishin klasën afër banjove.

Sot News: “Vjosa Osmani: Vajzat e mia e kishin klasen afer tualitetit, u rrezikohej shendeti.”

Bota Sot: “Vjosa, tualetet dhe tragjikomedia e politikës sonë – reagim i Lirim Gashit” 

Jepi Zë: “Arsyetimi i Vjosa Osmanit pse i çoi vajzat në shkollë private: Vajzat e mia e kishin klasën shumë afër tualetit, u rrezikohej shëndeti”

Gazeta Sinjali: “Vjosa Osmani: Vajzat e mia e kishin klasën afër tualitetit, u rrezikohej shëndeti.” 

Këto tituj shtrembëruan deklaratën e saj duke e lënë jashtë kontekstin e diskutimit të Presidentes Vjosa Osmani me gazetarët ku ajo foli për kërcënimet publike ndaj saj dhe vajzave të saj, çështjet e sigurisë, dhe distancën.

Shpërndarja e këtij lajmi të pavërtetë solli reagime në rrjete sociale, ku qytetarët e kanë besuar se kjo ka qënë një deklaratë e drejtpërdrejtë e Presidentes së Kosovës, duke reaguar të indinjuar.

Çfarë ndodhi në të vërtetë

Një ditë para se Osmani të fliste për këtë çështje, më 10 shtator 2025, një kameraman që po filmonte ditën e parë të shkollës së vajzave të saj u shoqërua në polici. Ngjarja u raportua gjerësisht dhe ngjalli reagime nga organizatat e gazetarëve, që e cilësuan veprimin të papranueshëm. Presidentja e Kosovës, Osmani reagoi duke thënë se filmimi i fëmijëve të saj përbënte një “përndjekje të rrezikshme dhe të kundërligjshme” dhe paralajmëroi se do të ndërmerrte masa ligjore për mbrojtjen e tyre.

Kjo është arsyeja pse, më 11 shtator, në një diskutim me gazetarët, pyetjet u fokusuan tek vajzat e saj. Në atë takim, Osmani kritikoi praktikat e disa mediave që ekspozojnë fëmijët e mitur në raportime, duke theksuar se kjo rrezikon seriozisht sigurinë e tyre. Ajo sqaroi se arsyeja kryesore e transferimit në shkollë private kishte qenë siguria, për shkak të kërcënimeve që merr si Presidente, si dhe distanca e madhe nga shkolla publike.

Sa i përket infrastrukturës së shkollës publike ku vajzat e saj kishin qenë më parë, Osmani përmendi faktin se gjenden klasa pranë tualetit, si shembull të kushteve të dobëta që ekzistojnë në disa shkolla publike, pa e lidhur në asnjë moment me “sigurinë shëndetësore” të vajzave të saj dhe aq më pak si arsye  për transferimin e tyre në një shkollë private.

Një verifikim i thjeshtë i intervistës origjinale tregoi se arsyeja që Presidentja Osmani dha në fakt ishte filmimi i tyre dhe ekspozimi në media.