Odisesë së mandatit të Olta Xhaçkës duket se po i vjen fundi. Deklarata e deputetes Olta Xhaçka se cështja e saj është gjykuar në themel dhe gjykata Kushtetuese nuk i ka kërkuar Kuvendit të marrë vendim, që më pas të mund të shqyrtojë çështjen është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Ky institucion i ka kërkuar sot kuvendit të sjellë pranë Gjykatës Kushtetuese mocionin për papajtueshmërinë e këtij mandati. Zbatimi i vendimit është detyrim ligjor i padiskutueshëm.

Nevila Gjata

Unë kam qënë në Gjykatë Kushtetuese, çështja ime është gjykuar në themel, jo për aspekte proceduriale se po të ishte ashtu do ishte rrëzuar që në dhomë të Këshillimit. Është dëgjuar [mbrojtja] për 10 orë dhe është disponuar me vendim për pushim” – tha Olta  Xhaçka në Top Story më 11 prill të 2024.

Kjo deklaratë e zonjës Xhaçka sot kundërshtohet nga Gjykata Kushtetuese e cila ka marrë një vendim të qartë, mbi detyrimin ligjor që ka Kuvendi i Shqipërisë për të sjellë për shqyrtim mocionin e papajtueshmërisë të mandatit të Olta Xhaçkës. 

Gjykata Kushtetuese vendosi të mërkurën e 10 korrikut (2024) të detyrojë Kuvendin që të dërgojë për shqyrtim pranë kësaj gjykate  mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të Olta Xhaçkës.  

Gjykata Kushtetuese ka përcjellë një detyrim të qartë ligjor për Kuvendin kur thotë se askush nuk është mbi ligjin.

“Askush nuk mund të vendosë të mos ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Fuqia e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është e barabartë me fuqinë e ligjit.  Të mos zbatosh vendimin e Gjykatës Kushtetuese do të thotë të mos zbatosh Kushtetutën dhe ligjin”, tha  kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, pasi lexoi për tre minuta vendimin e marrë.

Por cilin vendim nuk kishte zbatuar Kuvendi? Thënë thjesht, më 23 janar të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën një grupi deputetësh nga PD për ta çuar për shqyrtim mandatin e Olta Xhaçkës në Kushtetuese. 

Më tej, Kuvendi me shumicën e votave të PS-së vendosi “Për mosdërgimin e mocionit për mandatin e Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese”. 

Një grup i dytë deputetësh nga PD i kryesuar nga Gazment Bardhi kundërshtuan vendimin sa më sipër duke kërkuar nga Kushtetuesja deklarimin e atij  vendimi si të papajtueshëm me Kushtetutën. 

Mocioni i grupit të PD-së lidhej me ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhacka.  

Gazment Bardhi kërkoi në seancën publike të zhvilluar në gjykatën Kushtetuese edhe zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe subjektit kushtetues në konflikt, (jo më pak se 1/10 e deputetëve), sesi ushtrohet e drejta kushtetuese e pakicës parlamentare (në këtë rast e një të dhjetës së deputetëve) për të mos u penguar mocioni i tyre nga Kuvendi, kërkesë kjo e pranuar nga Kushtetuesja

Përfaqësuesi ligjor i Kuvendit, në seancën publike, argumentoi se, ndryshe nga sa pretendonte pala tjetër, Kuvendi e kishte zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa kohe që deputetët ishin vënë në lëvizje për ta shqyrtuar qysh me Këshillin e Rregullores e deri tek seanca dhe në fund kishin dalë në përfundimin se nuk plotësoheshin  kriteret formale për ta çuar mandatin e Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese nga ana e saj ka vlerësuar ndryshe.

Vendimi    

Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi çështjen në seancë publike me pjesëmarrjen e palëve, konstatoi se vendimi për mos dërgimin e mandatit të Xhaçkës në Kushtetuese nuk është ekzekutuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Gjykata vlerësoi se përmes këtij vendimi, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të saj, duke mos zbatuar nenin 132, pika 1, të Kushtetutës, i cili parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.

 “Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit. Asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë. Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të saj është i tillë që ju imponon të gjithë organeve shtetërore fuqinë detyruese të vendimit të saj. Ky efekt detyrues ka të bëjë si me pjesën urdhëruese, ashtu edhe me pjesën arsyetuese të vendimit”, thuhet në vendim.

Gjykata theksoi gjithashtu se vendimi për detyrimin e Kuvendit për të dërguar në Gjykatë mocionin e 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit, sipas nenit 70 të Kushtetutës, është i detyrueshëm për zbatim. 

“Kjo do të thotë se Kuvendi (deputetët e tij) duhet të votojnë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës”.

Për sa më sipër, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:

Gjykata vendosi detyrimin e Kuvendit për dërgimin sa më parë në Gjykatën Kushtetuese të mocionit mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.  

Por kur? Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese nuk dha afate konkrete. 

“I mbetet politikës të vendosë nëse do të dojë të zbatojë konform asaj që kemi vendosur, pra që ta sjellë çështjen me përparësi.  Ne nuk kemi vendosur afate…”, tha kryetarja Holta Zaçaj pas interesimit të medias.

(Kërkesa e dytë e grupit të PD-së lidhej me faktin se Gjykata Kushtetuese duhet të bënte edhe një interpretim përfundimtar të neneve 70, pika 1 dhe 4; 73, pika 1; dhe 132, pika 1, të Kushtetutës, duke individualizuar edhe përgjegjësinë e deputetëve në rastet kur pengohet zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese).

Në fund të prononcimit të shkurtër rreth kësaj çështje, Zaçaj sqaroi shkurt edhe një tjetër pikë lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës.

Paralelisht gjykata ka rrëzuar kërkesën e fundit të PS dërguar përmes Kuvendit.   

Kuvendi iu drejtua me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese, ku i kërkonte rihapjen e shqyrtimit gjyqësor lidhur me mandatin e Xhaçkës, me qëllim kërkimin e një opinioni këshillimor, nga Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias).

Ndihma u kërkua me argumentin se juristët në Shqipëri po përballen me pasiguri juridike në lidhje me këtë rast.

“Ndodhur në kushtet kur krijohet një pasiguri juridike, se përse grupi prej jo më pak se 1/5 e deputetëve nuk mundet që të vendosë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese në kundërshtim me rendin kushtetues në fuqi, Kuvendi është i mendimit që duhet të kërkohet një mendim këshillimor nga ana e Komisionit të Venecias”, thuhej në kërkesën e Kuvendit drejtuar Kushtetueses.

Kryetarja e gjykatës Kushtetuese njoftoi se kërkesa më sipër është rrëzuar.