Legalizmi i kultivimit të kanabsit në Shqipëri për përdorim mjekësor zuri vend të gjerë në debatin politik e publik, ndërkohë që Shqipëria ende është në gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të pandemisë së Covid-19. “Faktoje” vëren se asnjë nga politikanët mbështetës të kësaj nisme nuk ka artikuluar ndonjë argument për nevojat farmaceutike të vendit për këtë lëndë. Ekspertë të mjekësisë dhe nga komuniteti i biznesit, ndërkohë paralajmërojnë se legalizimi i kanabisit mund të kthehet në kundërproduktiv.
Në një komunikim me gazetarët në 12/05/2020 kryeministri Rama tha se pas vënies në kontroll të trafikimit të kanabisit, është koha që të legalizohet për arsye mjekësore gjë e cila është bërë dhe po bëhet në të gjithë vendet e zhvilluara.
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, deklaroi në Kuvend në 14 Maj 2020 se në vendin tonë nuk do të ketë legalizim kanabisi, por përdorim të tij vetëm për arsye mjekësore.
“E kam dëgjuar shpesh të përdoret keq fraza legalizim kanabisi. Nuk ka legalizim kanabisi në Shqipëri, por ajo që duam është të hulumtojmë praktikat më të mira se si kjo kulturë bujqësore krijon një cikël të ri ekonomik. E kemi përdorur gjithmonë në vendin tonë kërpin dhe vajin e tij. Përdorimi do të jetë vetëm për arsye mjekësore”- tha Balla.
Përfaqësues të shumicës parlamentare, që ka marrë këtë nismë argumentojnë se prodhimi i kanabisit për qëllime mjekësore, sjell fitime deri në disa qindra milionë euro. Deri më sot vetë politikanët që mbështesin këtë nismë nuk kanë artikuluar, të paktën publikisht ndonjë argument apo studim mbi të cilin bazohen nevojat farmaceutike për kanabis mjekësor në Shqipëri.
Nga një kërkim në internet gjetëm një listë sëmundjesh që kuron kanabisi mjekësor bazuar në rezultatet e studimeve të Departamentit Kërkimor të Shëndetësisë në SHBA.
1.HIV/AIDS
2.Alzheimer
3.Artriti
4.Astma
5.Kanceri
6.Dhimbjet kronike
7.Sëmundjet e zorrëve
8.Epilepsia
9.Glaukoma
10.Skleroza multiple
Nga ana tjetër një raport i INSTAT për shkaqet e vdekshmërisë në vendin tonë rendit sëmundje të tjera, përveç atyre tumorale, ku kryesojnë me shifra të larta sëmundjet e qarkullimit të gjakut:
Profesor Doktor Zihni Sulaj shef i shërbimit të toksikologjisë në QSUT e sheh me rezerva këtë nismë dhe shprehet se trajtimi me këtë lëndë nuk duhet parë si shpëtimtari përfundimtar.
“Kanabisi mjekësor është një alternativë e guximshme, një alternativë e përshtatshme për trajtim, por duhet thënë që nuk është shpëtimtari. Problemi kanabisit është edhe një problem ekonomik me sa shtrohet tani në stadin ku jemi. Sigurisht aplikimi për qëllime mjekësore ka edhe kostot ekonomike që mundet t’ia vlejë për kultivim, por sigurisht ka një problem të madh për miradministrimin. Keqadministrimi farmaceutik mund të çojë në shtimin e numrit të përdoruesve, nga përdorues që nuk u takon në moshat adoleshente, por mund të shtojë riskun për një treg paralel të tregut të zi të kanabisit”- deklaroi Zihni Sula.
Shqetësimi i ekspertit për keqadministrim farmaceutik të kanabisit ilustrohet edhe nga shifrat në rritje të përdoruesve të kësaj lënde gjatë viteve të fundit.
Sipas të dhënave nga Shërbimi i toksikologjisë për vitin 2018 në këtë institucion janë paraqitur 900 pacientë që kanë kërkuar ndihmë, ndërsa për 2019-n ky numër ka arritur në 1056 shifër e cila nuk përfshin përdoruesit e padeklaruar.
Të dhënat nga Toksikologjia.
Në këtë raport konfirmohet se lloji i substancës me të cilën është abuzuar më së shumti është kanabisi.
Përtej aspektit mjekësor, por edhe atij social legalizimi i kanabisit ka zëra kundër edhe nga komuniteti i biznesit. Në një intervistë kreu i konfindustrisë, Gjergj Buxhuku përveç rrezikimit të procesit të integrimit në BE, e sheh jo produktiv në aspektin ekonomik legalizimin e kanabisit, ndryshe nga pritshëmritë e maxhorancës:
“Në kushte të formalizimit, çmimi do ishte shumë më I ulët dhe seriozisht do vihej në pikëpyetje leverdia ekonomike e prodhimit dhe e përpunimit të kanabisit. Shto këtu edhe goditjen e bujqësisë shqiptare, duke rrezikuar kthimin në monokulturën e kanabisit” -thotë Buxhuku.