Organizata Botërore e Shëndetit rekomandoi zyrtarisht në korrik të këtij viti, trajtimin me medikamente anti-interleukin-6 tek pacientët e infektuar me Covid-19. Faktoje u kërkoi institucioneve shëndetësore përfshirë edhe spitalet që trajtojnë pacientë me Covid, nëse i disponojnë këto medikamente, që sipas ekpertëve kushton shumë dhe janë të dedikuar vetëm për përdorim spitalor. Që nga muaji korrik e deri më sot ka pasur një rritje të numrit të infektuarve dhe të shtruarve në spitalet Covid. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli asnjë institucion shëndetësor nuk ka dhënë një përgjigje shteruese nëse spitalet e kanë ose jo gjendje këtë medikament. Vetëm në një rast, QSUT, ka dërguar një shkresë shpjeguese mbi emërtimin e saktë të medikamentit, por pa sqaruar nëse e disponon ose jo.
———————————————————————————————————————————
Më 6 korrik të këtij viti Organizata Botërore e Shëndetit rekomandoi bllokuesit e receptorëve anti-interleukin 6 që të përdoren në trajtimin e pacientëve të infektuar me Covid-19.
Screenshot nga faqja zyrtare e Organizatës Botërore të Shëndetit
Çfarë kuron medikamenti antiinterleukine-6?
Eksperti Ilir Alihmehmeti jep shpjegimin shkencor për karakteristikat e anit-interleukin-6:
“Anti-interleukin-6 është një përgjigje imuitare që bllokon stuhinë e citokinave, pra bllokon interleukinën. Përshembull interleukina është përgjigje imunitare e tepërt tek disa persona ose situate të ndryshme.Kjo krijon stuhinë e citokinave e cila është e tepërt e sjell dëmtim të qelizave të shëndetshme. Limfohistiocitoza Sekondare Hemofagocitike (LSH) është një sindromë që shkaktohet nga gjendja e hiperinflamacionit që karakterizohet nga një prani e lartë e citokinave dhe kemokinave, të cilat mund të shkaktojnë kolaps në funksionimin e organeve të ndryshme.Këtu hyn roli i anti-interleukin-6 që e bllokon këtë fenomen.”- shprehet epidemiologu.
Nisur nga ky përditësim i OBSH dhe rritjes së numrit të të infektuarve me Covid, përfshirë edhe të shtruarit në spitalet e dedikuar, sidomos në muajt e fundit, Faktoje vendosi të verifikojë nëse institucionet spitalore, e kanë gjendje këtë medikament. Faktoje i ishte drejtuar që në korrik Ministrisë së Shëndetësisë, nëqoftëse është në protokoll ky lloj medikamenti i rekomanduar. Ministria e Shëndetësisë ia delegoi këtë kërkesë për informacion 3 instituconeve, Spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Pas një përgjigjeje sqaruese mbi emërtimin e saktë të përmbajtjes së medikamentit, nga QSUT, Faktoje ridërgoi kërkesën me emërtimin saktë, por nga 20 gushti deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi një përgjigje nëse kjo qendër ku ndodhen edhe pavionët Covid e disponon medikamentin në fjalë, në tejkalim të të gjitha afateve që përcakton ligji për të drejtën e informimit .
Përgjigja nga Spitali “Nënë Tereza” datë 4 Gusht 2021
Kërkesa për informacion dërguar QSUT, me emërtimin e saktë të medikamentit, dërguar në 20.08.2021
Ndërkohë Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” ktheu këtë përgjigje:
“Medikamenti Anti-interleukin-6 (dhe jo Interleukin-6) është futur në protokollin tonë anti-covid, që në momentin e aprovuar nga WHO në guidelinës e saj.”
Përgjigjja nga Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”
Ne pyetëm një infermier të punësuar në në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” përgjatë periudhës së pandemisë, i cili preferoi të mos identifikohej, nëse janë përdorur medikamente anti-interleukinë. Ai dha këtë përgjigje për Faktoje:
“Nuk e kam të dëgjuar ndonjëherë këtë medikament. Ne nuk kemi pasur tek spitali, vetëm nëse ka pasur infektivi.”
Edhe burimet zyrtare të Spitalit të Durrësit na komunikua se nuk kanë medikamente anti-interleukin-6 që përdoret për trajtimin e pacientëve me Covid-19.
Ndërkohë, Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore u përgjigj se në tregun farmaceutik të Republikës së Shqipërisë nuk ka asnjë medikament me emër tregtar “Anti-interleukin-6.
Përgjigjja e Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore
Faktoje i dërgoi një tjetër kërkesë për informacion Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore duke qartësuar se cilat janë medikamentet anti-interleukin 6 me emrat përkatës tregtarë.
“Përsa i takon sasisë së porositur për import, të dhënat mund të merren vetëm pranë Zyrës së Perfaqësisë “F.HOFFMANN – LA ROCHE, LTD BASEL”. Ndërkohë për pyetjen se në cilin nga Spitalet Covid është përdorur medikamenti anti – interleukinë -6, informacionin mbi kontratat e furnizimit me barna të Spitaleve Publike mund t’i merrni pranë këtyre institucioneve.”-thuhet ndër të tjera në përgjigjen e radhës nga Agjencia e Barnave, e cila e shoqëronte shkresën me një listë me emrat tregtarë të medikamenteve me veprim anti-interleukinë 6.
Kërkesa dërguar Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore me datë 20 Gusht 2021
Përgjigjja e Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, kthyer në datë 21 Shtator 2021
Ne pyetëm edhe epidemiologun Ilir Alihmehmeti nëse kishte dijeni për përdorimin e këtij medikamenti në spitale. Zoti Alimehmeti dha këtë përgjigje:
“Në dijeninë time spitalet e kanë ofruar edhe para pandemisë këtë medikament. Tanimë me rekomandimin e OBSH do të rritet çmimi, sepse ajo që tani kushton shtrenjtë afërsisht 300 euro flakoni, imagjino tani duke shtuar dhe rekomandimin e OBSH gjë që sjell që këtë medikament ta marrë vetëm një kategori ‘elitare’ e popullsisë.”