Gjykata e Arbitrazhit ‘përgënjeshtron’ Ramën

2537

Në fillim të muajit prill, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se Shqipëria po konsideron daljen nga juridiksioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ICSID. Deklarata erdhi pas vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve që i dha të drejtë sipërmarrësit Bechetti dhe detyroi shtetin shqiptar ta dëmshpërblejë me 120 milionë euro. Verifikimet e Faktoje tregojnë se dalja nga Arbitrazhi, ka mbetur ende në kufijtë e një deklarate. Në një reagim për Faktoje ICSID përgënjeshtron Ramën, teksa konfirmon se Shqipëria nuk ka kërkuar daljen nga konventa.

Esmeralda Topi 

Në fund të muajit mars, Shqipëria e humbi përfundimisht arbitrazhin kundër sipërmarrësit italian Francesco Bechetti në gjykatën ndërkombëtare ICSID, me një faturë dëmshpërblimi mbi 120 milionë euro. I pyetur nga gazetarët lidhur më këtë çështje, kryeministri Edi Rama paralajmëroi mundësinë e daljes nga juridiksioni i Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve. 

“… me një gjykatë me të cilën ne do të hapim probleme të mëdha duke filluar nga java e ardhshme. Dhe nga e cila, madje po analizojmë edhe mundësinë e daljes fare nga ai juridiksion, sepse është skandaloze ajo që ka ndodhur.”, tha Rama më 7 prill, i vënë në presion pas një vendimi që detyron Shqipërinë të paguajë një faturë të majme në kurriz të buxhetit të shtetit. 

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Kryeministrisë dhe Agjencisë për Media dhe Informim për të mësuar se cilat ishin ‘problemet e mëdha’ që kishte hapur Shqipëria me ICSID, gjykatë që konsiderohet si standardi i artë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të lidhura me investimet e huaja.  

Qeveria shqiptare po studion të gjitha mundesitë për të mbrojtur sa më mirë pozitat e shtetit në organizmat ndërkombëtare.’, u përgjigj në mesin e muajit prill Agjencia për Media dhe Informim, teksa la të kuptohet se nuk ka asnjë veprim konkret mbi ‘aventurën’ e rrezikshme që lajmëroi kryeministri për tërheqjen e Shqipërisë nga konventa e ICSID-së. 

“Në përgjigje të kërkesës tuaj, referuar nenit 1, të ligjit nr 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, ky ligj rregullon të drejtën e njohjes me informacionin që prodhohet ose mbahet nga autoritetet publike, pra nuk sanksionon detyrim të autoritetit publik për të përgatitur analiza, komente etj.’, i tha Faktojes koordinatorja për të drejtën për informim pranë Kryeministrisë Merita Bundo, duke iu shmangur dhënies së informacionit të kërkuar në bazë të ligjit për të drejtën e informimit. 

Ndërkaq, një tjetër përgjigje ‘pa përgjigje’ morëm edhe nga Avokatura e Shtetit. Pyetjes se si e vlerëson ky institucion mundësinë e daljes nga juridiksioni i ICSID, Avokatura e Shtetit iu përgjigj:

‘Sikurse parashikohet në Ligjin nr.10 018, datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit”, i ndryshuar, roli i Avokaturës është përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të shtetit shqiptar pranë gjykatave të huaja dhe organizmave ndërkombëtare, me karakter gjyqësor apo mbikëqyrës, ku shteti shqiptar është palë.’

ICSID ‘përgënjeshtron’ Ramën

ICSID u krijua në tetor 1966 nga Konventa për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve ndërmjet Shteteve dhe Shtetasve të Shteteve të Tjera. Konventa ICSID është një traktat shumëpalësh i formuluar nga Drejtorët Ekzekutivë të Bankës Botërore për të çuar përpara objektivin e Bankës për të nxitur investimet ndërkombëtare.

Shqipëria është anëtare e konventës ICSID prej 32 vitesh. Marrëveshja është nënshkruar në 15 tetor të vitit 1991 dhe ka hyrë ne fuqi një muaj më vonë. 

Aktualisht pjesë e traktatit ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrveshjeve të investimeve janë 165 vende, ndërkohë që 7 prej tyre ende nuk e kanë fuqizuar marrëveshjen. 

Burimi : ICSID

Nga ana tjetër, vetëm tre vende kanë hequr dorë nga anëtarësimi në ICSID. Bolivia është tërhequr përfundimisht nga konventa në maj të 2007, Ekuadori në janar të 2010 dhe Venezuela në korrik të 2012. 

Vendet që tërhiqen nga konventa dërgojnë një njoftim me shkrim pranë ICSID-së dhe procesi zgjat vetëm 6 muaj. Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion ICSID-së nëse ka mbërritur një njoftim i tillë nga ana e Shqipërisë.

“ICSID nuk ka marrë njoftim me shkrim nga Qeveria e Shqipërisë për daljen nga Konventa e ICSID.“, shkruhet në përgjigjen e Sekretariatit të ICSID-së.

Dalja nga ICSID ‘tremb’ investitorët

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço thotë se Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve konsiderohet si standardi i artë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të lidhura me investimet e huaja. Në një reagim për Faktoje, Jaço thekson se dalja nga ICSID ka pasoja serioze për Shqipërinë. 

Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane

‘Vendet që vendosin të bëjnë këtë duhet të jenë të gatshme për disa pasoja: a) më e dukshme është humbja e burimit më të mirë të zgjidhjes së arbitrazhit dhe një ulje potenciale e investimeve të huaja, pasi largimi nga ICSID do të perceptohej si një vend me ‘rrezik të lartë’; b) vendi duhet të mbështetet në institucione të tjera alternative të arbitrimit që mund të mos jenë aq të besueshme apo efikase si ICSID.’, shprehet Jaço për Faktoje. 

Cfarë thonë ekspertët? 

Për ish avokaten e shtetit, Ledina Mandija heqja dorë nga anëtarësimi në ICSID e fut Shqipërinë në listën e vendeve jo të sigurta për investitorët. 

“Shteti shqiptar është anëtar që me hyrjen e demokracisë, do të thotë se kur bëhesh anëtar në konvektën e ICSID je bërë për të mbrojtur investitorët dhe investimet e huaja. Kjo nënkupton që një investitor i cili vjen dhe investon në Shqipëri duke qënë vendi palë i konventës e ka të garantuar që është i mbrojtur për të adresuar një çështje të caktuar. Dhe në këto kushte, është më i garantuar që të vijë dhe të investojë. Në momentin që nuk e kanë këtë garanci, pastaj është me dyshime.” argumenton Mandija duke shtuar se pasojat do të shtriheshin edhe më tej. 

Ledina Mandija, ish avokate e shtetit

“Mendoj që Bashkimi Europian do ta analizonte si një situatë përkeqësuese nëse do të kishte hapa nga ana e Shqipërisë për të dalë nga konventa e ICSID. Vetëm vendet e pazhvilluara totalisht kanë bërë tentativa të tilla në botë. Shqipëria nuk ka se si të rreshtohet në krah të këtyre vendeve. Edhe Banka Botërore pastaj merr masa në lidhje me një shtet të tillë, i cili është në rrugë për t’u anëtarësuar në BE dhe del nga një konventë e tillë. Pra të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian janë palë të konventës. Të gjitha shtetet e zhvilluara në botë janë palë e saj.”, thekson ish avokatja e shtetit Ledina Mandija. 

Përfundim

Nga verifikimet e Faktoje rezulton se deri më tani Shqipëria nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret për të dalë nga juridiksioni i ICSID-së, ndaj deklaratën e kryeministrit Edi Rama do ta kategorizojmë si të Pavërtetë.