.

.

BallinaPertejA do të japë rezultat ulja e mesatares për degët e mësuesisë, sipas ekspertëve?

A do të japë rezultat ulja e mesatares për degët e mësuesisë, sipas ekspertëve?

Rënia e interesit të të rinjve për të zgjedhur degët e mësuesisë detyroi qeverinë që të marrë vendimin për uljen e mesatares për këto degë, nga 7.5 në 6.5. Mirëpo, ekspertët shprehen se ulja e mesatares bëhet me qëllim shpëtimin e degëve të mësuesisë, ndërsa ngrenë shqetësimin për pagat “mizerabël” të mësuesve. Gjithashtu, ata kanë rezerva se dikush që nuk është i “denjë” për mësuesi, mund të arrijë të bëhet studiues.

———————————————————————

Ministrja e Arsimit Evis Kushi njoftoi pak ditë më parë vendimin e qeverisë se duke nisur nga viti akademik 2022-2023 do të ulet mesatarja për pranimin e studentëve në degët e mësuesisë.

“Me vendimin e sotëm ne u japim mundësi edhe maturantëve që mbarojnë studimet me mesatare 6.5 të hyjnë në këto programe të ciklit të parë, por ata do të kenë një kod të veçantë në numrin e matrikullimit që më pas të mos vazhdojë për mësuesi, por në programe të tjera të ciklit të dytë master për profesione të tjera”- deklaroi ministrja Kushi më 26 maj.

Ministrja Kushi duke njoftuar vendimin e ri, 26 maj 2022 

Ekspertë të arsimit sqarojnë për Faktoje këtë vendim të qeverisë dhe çfarë benefitesh mund t’i sjellë ky ndryshim sistemit tonë arsimor.

Eksperti Albano Zhapaj thekson se në Shqipëri nuk ka mungesë mësuesish. Ai shton se ulja e mesatares u jep mundësi studentëve që mbarojnë bachelor në një prej këtyre degëve, që të zgjedhin një master tjetër që nuk ka të bëjë me mësuesinë.

“Nëse ju e vini re Portalin ‘Mësues për Shqipërinë’, ku aplikojnë të gjithë mësuesit, ke mësues pafund që presin për t’u punësuar. Kështu që kjo teori e mungesës së mësuesve bie, është absolutisht e pavërtetë. Ulja e mesatares nuk është bërë për degët e mësuesisë, është bërë për bachelor-in që të çon në degët e mësuesisë. Bachelor-ët që të çojnë në degët e mësuesisë, siç është kimia, fizika, biologjia, historia, gjeografia nuk të çojnë vetëm në këtë degë. Ti duke çuar mesataren në 7.5 në këto degë, ti shkatërron mundësinë që studentët që janë të interesuar për degë të tjera master, jo për mësuesi, sepse ato nuk kanë vetëm mësuesinë. Bachelori mbi të cilin është vendosur para 5 vitesh mesatarja 7.5 ka mbyllur dyert për të gjitha masterat, jo vetëm atë të mësuesisë”, thotë Zhapaj.

Ndërsa eksperti Fatmir Vejsiu shprehet se ky vendim i qeverisë nuk bëhet për të zgjidhur problemin e mungesës së mësuesve, por për të siguruar mbijetesën e këtyre degëve në fakultete.

“Nga sa u tha dhe kam lexuar, ky ndryshim nuk bëhet për të zgjidhur problemin e mungesës së mësuesve, më saktë të cilësisë së tyre.

Përderisa maturantët me notë 6.5 deri ne 7.49 nuk do kenë mundësi për të ndjekur programet e mësuesisë, dukshëm del se qëllimi i VKM-së është të sigurojë mbijetesën e falulteteve të universiteteve, të cilat ofrojnë programe të përgatitjes së armatës së ardhme të mësuesve.

Sikur të mendohej për cilësinë e mësuesve, Ministria, apo VKM-ja duhet, që në bazë të një studimi të gjendjes me pjesmarjen e grupeve të interesit (mësues, pedagogë, drejtues e ish-drejtues, madje edhe prindër) të dilnin në pah nevojat emergjente për mësues të të gjitha lëndëve.

Në një kohë jo shumë të largët, kur numri i nxënësve ishte shumë më i madh se sa ky aktuali, nevojat për mësues i plotësonin dy universitete, ai i Tiranës dhe ai i Shkodrës. Mania për të hapur edhe 5 universitet të tjera nuk ishte nevojë, por dëshirë e dikujt apo e disave, mani që u duk edhe më shumë me hapjen e universiteteve private, aspak të domosdoshëm dhe jo eficente”, sqaron eksperti Vejsu.

Por, a është praktikisht e realizueshme që të “pengohen” studentët që nuk përmbushin mesataren që të vazhdojnë masterin për mësuesi?

“Ministria ka parashikuar vendimin që ata që hyjnë nga gjimnazi me mesatare poshtë 7.5 le të futen në degët që të çojnë te mësuesia, por ata nuk mund të vazhdojnë degën e mësuesisë, por ata do të vazhdojnë profile të tjera që nuk kanë lidhje me mësuesinë dhe këtë do ta bëjnë nëpërmjet një numri matrikullimi të veçantë. Pra kur të dalë në fund të 3-vjeçarit, kush ka numër matrikullimi që ka pasur mesatare mbi 7.5 do të regjistrohet në degët e mësuesisë, kush nuk e ka do të vazhdojë në degët e tjera”, thekson zoti Zhapaj.

Eksperti Fatmir Vejsiu ngre një tjetër shqetësim për sa i përket uljes së mesatares, duke shprehur rezerva se dikush që nuk është i “denjë” për mësuesi sipas kriterit të vendosur nga MASR, të arrijë të bëhet studiues.

“Më shumë i trembem rrugës që duhet të zgjedhin ato për të ardhmen, pasi nëse nuk janë të ‘denjë’ për t’u bërë mësues, kurrë nuk mund të mendoj se mund të jenë të aftë të bëhen studiues”, argumenton Vejsiu.

Eksperti Albano Zhapaj tregon disa prej arsyeve pse interesi i të rinjve është në rënie për mësuesinë, dhe një element mjaft i rëndësishëm, sipas tij është paga.

“Interesi i të rinjve është në rënie, sepse edhe pagat e mësuesve nuk janë të volitshme, nuk i përmbushin kërkesat e jetesës për një njeri normal, për një familje normale. Sepse edhe mësuesi ka familje në fund të fundit dhe pagat e mësuesve janë mizerabël, janë shumë të ulëta. Për të kryer një profesion si ai i mësuesit, paga është e pamjaftueshme.

Degët e mësuesisë, që t’i shpëtojmë zgjidhen duke promovuar dhe duke nxitur vullnetin e atyre që kanë pasion për degë të caktuara. Të regjistrohen, t’i stimulojnë me bursa, t’i ndjekin me shumë kujdes dhe në fund pastaj t’i punësojnë me një pagë të kënaqshme.

Dikush me mesatare të lartë shkon të bëhet dentist, farmacist, inxhinier që merr një rrogë shumë herë më të mirë se ajo e mësuesit. Pse do rrezikojë ai me mesatare 9-10 të shkojë për mësuesi. Duhet që të ndryshojë politika përkundrejt profesionit të mësuesit. Duhet t’i jepet vlera dhe rëndësia e duhur që ka mësuesi në shoqëri dhe kështu zgjidhet, nuk është çështje mesatareje. Kjo çështja, që ulet mesatarja për degët e mësuesisë është perceptuar gabim nga sa ka ndodhur”, sugjeron ai.

Për zotin Vejsiu, problem i menjëhershëm që duhet të marrë vëmendje dhe zgjidhje është sigurimi i mësuesve për lëndët shkencore.

“Në degët gjuhë shqipe, gjuhë e huaj, histori, gjeografi ka plot maturantë me rezultate të kënaqshme, një pjesë e të cilëve edhe mund të duan të shërbejnë në sektorin e arsimit (mos harrojmë që edhe ato pretendojnë për trajtim financiar më dinjitoz). Problem imediat është sigurimi i kontigjenteve për mësues të shkencave natyrore, matematikë, fizikë, kimi, biologji.

Për të zgjidhur këtë problem, i cili nga viti në vit rëndohet edhe më shumë, nevojitet jo një VKM, por një studim, në të cilin të marrin pjesë jo vetëm punonjës apo ish punonjës së arsimit, por domosdoshmërisht edhe drejtues të institucioneve ekonomike.

Problemi më i madh është mungesa e mësuesve me kualifikim normal sidomos në zonat rurale, për të cilat ka një zgjdhje, sipas mendimit tim: mësuesit që pranojnë të punojnë në këto zona, duhet të paguhen me nje pagë edhe shumëfish ta pagës së atij që punon në qendrat urbane”, shprehet eksperti Vejsiu.

Mbyllja e degëve të mësuesisë në Vlorë apo edhe në Gjirokastër është kthyer në një problem shqetësues vitet e fundit. Interesi i të rinjve pothuajse është zero, duke detyruar institucionet përgjegjëse që të nisin marrjen e masave për “ringjalljen” e këtyre degëve.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img