Viola Keta
Çmimi i përpunimi të mbetjeve në landfillin e Sharrës, ishte në qendër të hetimit nga komisioni parlamentar i inceneratorëve. Ish ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, duke dëshmuar në këtë komision në 21 shkurt, argumentoi se ky çmim do të mbetet 29 euro për ton/mbetje, deri në vitin 2047. Verifikimi i Faktoje konstatoi se ky pretendim rrëzohet nga vetë kontrata koncensionare e firmosur në 2017-n dhe një raport i KLSH, që paralajmëron se ndryshimi i normës së inflacionit mund ta çojë këtë shifër në 52 euro për ton/mbetje, në varësi të inflacionit.
———————-
Në 21 shkurt të këtij viti, gjatë dëshmisë në komisionin parlamentar hetimor, ish ministri i Financave dhe ekonomisë Arben Ahmetaj, argumentoi se çmimi i përpunimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës do të mbetej i pandryshuar, për 30 vitet e ardshme, 29 euro për ton.
“Nëse sot do të merrnim bazën 29 euro dhe do ta linim çmimin të ndryshueshëm me 1,4 %, shikoni se sa do të shkonte! Vlera e ardhshme në vitin 2052 do të ishte 44. Nuk do të jetë 44,1 euro, do të jetë 29 euro. Edhe kjo që shkon në logjikën e vlerës së parasë është shumë e rëndësishme”- tha Ahmetaj gjatë dëshmisë në komisionin e drejtuar nga deputetja e PD Jorida Tabaku.
Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim, duke kërkuar fillimisht të dhëna në faqen zyrtare të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve Atrako, ku gjenden edhe kontratat përkatëse.
Në kontratën e firmosur në gusht 2017, kohë kur ministria e Ekonomisë drejtohej nga zoti Arben Ahmetaj, gjejmë të detajuar edhe çmimin e përpunimit për ton/ mbetje në landfillin e Sharrës dhe parashikimet se si do të ndikojë rritja vjetore e normës së inflacionit.
Screenshot nga kontrata koncensionare mes “Integrated Energy” dhe Min. Mjedisit me parashikimet vjetore për ndryshimin e çmimit të përpunimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës
Në dokumentin më lart, tek nënkategoria ‘Axhustimi i çmimit ton/mbetje”, përmes formulës llogaritet se si parashikohet të ndryshojë çdo vit çmimi i përpunimit, nga 29 euro/ton duke marrë parasysh ndryshimin e inflacionit.
Faktoje pyeti ekspertë të ekonomisë të cilët shpjeguan në mënyrë të thjeshtuar sesi pritet të rritet çmimi i përpunimit çdo vit çdo vit, për tri dekada:
“Zv. Kryeministri Ahmetaj në komision prentendoi që çmimi do mbetej i pa-ndryshuar në 30 vite në vlerë 29 euro për ton. Për të treguar rëndësinë e këtij avantazhi të pretenduar ai e krahasoi si do rritej çmimi gjatë 30 viteve nëse do merrnin një inflacion mesatar prej 1.4% në vit sa vendet e eurozonës, ku në vitin e 30 çmimi do shkonte rreth 44 euro për ton. Por pikërisht një gjë e tillë është parashikuar në kontratën koncesionare. Nëse zbatojmë formulën në kontratë me një inflacion sa ai i supozuar nga Z. Ahmetaj, në vitin e 30, çmimi do të jetë pikërisht 44 euro për ton (29 x (1+1.4%)30). Si rrjedhojë, pikërisht ajo që zoti Ahmetaj pretendoi si avantazh të koncesionit, rezulton e kundërta në vetë kontratën koncesionare.”
Rritja e çmimit konfirmohet (të paktën në dokumenta) jo vetëm nga kontrata koncensionare, por edhe nga një raport auditimi i KLSH publikuar në dhjetor 2019, ku analizohet ndër të tjera edhe Projekti i inceneratorit të Tiranës me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim i venddepozitimeve ekzistuese Tiranë” përfshin një procedurë me propozim të pakërkuar për një periudhë 30 – vjeçare për financimin, investimin, operimin dhe transferimin.
Pjesë nga raporti i auditit të KLSH, dhjetor 2019
“Rritja e tarifave të ofrimit të shërbimit është e lidhur me rritjen e kostove të ofrimit të shërbimit dhe analiza 30-vjeare duhet të bazohet në supozime edhe mbi këtë risk i cili impakton pagesat vjetore për realizimin e projektit, me efekte financiare shtesë në Buxhetin e Shtetit përtej atyre të bëra në analizën ekonomike dhe financiare të studimit të fizibilitetit. Duke marrë parasysh një rritje minimale prej 2% në nivelin e përgjithshëm të çmimeve (objektivi i BSH mbajtja e inflacionit në 2 – 4% në vit) rezulton se tarifat e kërkuara në secilin vit dhe të pagesat e Buxhetit të Shtetit do të projektoheshin si në vijim”- paralajmërohet në raportin e auditit të KLSH.
Screenshot nga auditi i KLSH dhe analiza sesi do ndikojë inflacioni në rritjen e çmimit për përpunimin e mbetjeve.
Raporti i KLSH, i cili merr për bazë shifrën 2-4% të normës vjetore të inflacionit, paralajmëron se do të rriste me të paktën 78 milionë e 439 mijë euro të pagesat nga Buxheti i Shtetit për përpunimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Ndërkohë me një normë inflacioni 2%, duke zbatuar të njëjtën formulë si në kontratë, çmimi për ton mbetje i llogaritur nga KLSH shkon në rreth 52 euro në vitin e 30 të kontratës.
Nisur nga informacioni i grumbulluar dhe verifikimi i kryer, vendosëm që deklaratën e ish ministrit Ahmetaj se çmimi i përpunimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës do të jetë i pandryshuar, apo 29 euro deri në vitin 2047, ta kategorizojmë të Pavërtetë.
*Foto kryesore marrë nga standart.al