.

.

BallinaRajoni përmes fakteveA dha rezultat karantina e vendosur nga Shqipëria për RMV-në?

A dha rezultat karantina e vendosur nga Shqipëria për RMV-në?

SHEFKIJE ALASANI

Shqipëria vendosi karantinë të detyrueshme dy-javore, nga 20 prilli deri më 3 maj, për Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. Ky ishte vendimi më i rreptë kufizues i Shqipërisë ndaj vendeve fqinje prej momentit që ka filluar pandemia Covid-19. Përderisa sektori turistik i vuajti pasojat më të dëmshme nga ky vendim, njohësit e situatës epidemiologjike shprehen me qëndrime të ndryshme lidhur me vendimin në fjalë, shkruan Portalb.mk.

Më 3 maj përfundoi vendimi për karantinë dy javore për të gjithë ata që nga Maqedonia e Veriut do të hynin në Shqipëri. Vendimi i Komitetit të Ekspertëve në Shqipëri për karantinë dy javore për këdo nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, hyri në fuqi më 20 prill dhe siç bënë të ditur autoritetet kjo masë do mbronte Shqipërinë nga shtetet fqinje të cilët kishin numra të lartë të rasteve të reja me COVID19.

Mira Rakacolli

Që nga fillimi i përballjes me pandeminë COVID19, vendimi më i rreptë kufizues nga Shqipëria fqinje erdhi në periudhën kur numri i rasteve ditore me COVID19 në Maqedoninë e Veriut filloi të zvogëlohet, edhe pse për një periudhë të gjatë rastet e reja me COVID19 kanë qenë shumë të larta në Maqedoninë e Veriut.

Rastet ditore me COVID19 në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut nga 14 prilli deri më 20 prill:

Burimi: ourworldindata

Sa ishte efektive karantina 2 javore e vendosur nga Shqipëria?

Njohësit e gjendjes epidemiologjike shprehen me qëndrime të ndryshme teksa vlerësojnë vendimin e autoriteteve shqiptare për vendosjen e karantinës 2 javore për vendet fqinje.

Infektologu Gzim Nuredini nga Maqedonia e Veriut, vlerëson se vendimi i Shqipërisë për vendosjen e masës së karantinës ishte i nevojshëm edhe pse pak i vonuar. Sipas tij një masë e tillë duhej të ishte marrë më herët kur në Maqedoninë e veriut raportoheshin shifra të larta ditore të të infektuarve me COVID19.

“Mendimi im është se në këto situata ku kemi rritje të numrit të rasteve të reja të të sëmurëve me sëmundjen pandemike normalisht se vendimi do te jete i tillë edhe mendoj bile se ishte i vonuar, domethënë kanë mundur edhe më herët të vendojnë karantinë”, deklaroi Gzim Nuredini, mjek infektolog si dhe koordinator i qendrës COVID në Tetovë.

Ndërkohë Erion Dasho, epidemiolog dhe Drejtori i Shëndetit dhe Inovacionit në Frankfurt, deklaroi për Portalb.mk se vendimi në fjalë më shumë se sa epidemiologjik ishte politik.

“Mendimi im si ekspert është se kjo masë nuk ka qenë e imponuar nga situata epidemiologjike. Ishte një masë me natyrë politike. Nëpërmjet kësaj mase u synua që qytetarët shqiptar që jetonin në Maqedoninë e Veriut ose në Greqi të mos vinin për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit. As situata epidemiologjike as gjendja në të dy vendet nuk e justifikonte një masë të tillë”, u shpreh epidemiologu Erion Dasho.

Dasho shpjegoi se një vendim i tillë do të justifikohej nëse masa konkrete do të merreshin për të parandaluar përhapjen e varianteve të reja të virusit duke marr shembull masat restriktive që kanë vendet e BE-së për të gjithë ata njerëz që hyjnë në vendin përkatës.

“Mendimi im personal është se të gjitha vendet duhet të kenë masa për të parandaluar hyrjen e varianteve të reja të virusit, sidomos ata që janë shfaqur në Indi, Afrikën e Jugut dhe Brazil. Në këto kushte është e justifikuar që ashtu si pjesa më e madhe e vendeve evropiane edhe vendet e Ballkanit të kenë një politikë që të kërkojnë test PCR dhe karantinë disa ditore. Fakti që kjo masë u hoq pas dy javësh kur ndryshimet në situatën epidemiologjike qoftë në Maqedoni qoftë në Greqi nuk është se kishin pësuar një ndryshim thelbësor tregon se kjo masë kishte natyrë politike dhe se qëllimi i saj ishte që të parandalonte votuesit shqiptar të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit”, u shpreh për Portalb.mk Erion Dasho.

Vendimin e Shqipërisë për karantinë dy javore për shtetasit e Maqedonisë së Veriut e kritikoi Vasil Sterjovski, deputet maqedonas në parlamentin shqiptar. Sterjovski deklaroi se ky vendim është i nxituar dhe i gabuar, sepse numri i njerëzve të infektuar me Covid 19 në Maqedoni tashmë është në rënie. Sterjovski madje theksoi se vendimi do ti dëmtoj personat të cilët lëvizin në vendet fqinje për punë ose nevoja tjera. Nga Prespa dhe Komuna e Pustecit çdo ditë në Maqedoni, hyjnë dhe dalin më shumë se 300 banorë dhe për ta kjo punë është e ardhura e tyre e vetme.

Karantina 2 javore anuloi qindra rezervime nga Maqedonia e Veriut

Vendimi nuk rezultoi të jetë aspak efektiv për bizneset dhe ekonomitë e dy vendeve.

Agjencitë turistike në Maqedoninë e Veriut nuk duan ta komentojnë vendimin e autoriteteve shqiptare për vendosjen e masës së karantinës dy javore edhe pse ato duan të kenë kufij të hapur me qëllim që të munden të punojnë. Për shkak të karantinës vetëm një agjencion turistik nga Maqedonia e Veriut u desh të anuloj rreth 150 rezervime për në Ksamil.

Oferta për pushime në Shqipëri nga agjencionet në RMV, para se të merret vendimi për karantinë

“Ne duam kufij të hapur me qëllim që të mundemi të punojmë. Vendimi nuk ishte i qëlluar për ato agjensione turistike që kishin rezervuar hotele në Shqipëri me rastin e festave të Pashkëve dhe 1 Majit. Ne kishim rreth 150 udhëtarë të cilët duhet të qëndronin në Ksamil gjatë periudhës së festave. Megjithatë shkak i karantinës u detyruam ta anulojmë organizimin, një numër i klientëve e shtyn rezervimin për më 24 maj ndërsa ndërsa pjesa tjetër e anuloi rezervimin dhe na u desh tua kthejmë paratë”, deklaroi Teodora Borisavljeviq, nga agjencioni turistik “Ideal Prevoz”. 

Nga ana tjetër, pronarë hotelesh në Maqedoninë e Veriut deklaruan për mediat vendase se edhe ato u prekën nga vendimi i Shqipërisë. Karantina e detyruar dy javore për të gjithë ata që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut bëri që shumë qytetar të Shqipërisë fqinje të heqin dorë nga planet dhe rezervimet e tyre në Maqedoni. Si pasojë, u anuluan edhe shumë pronotime në hotelet në RMV-së, kryesisht në Strugë e Ohër.

Kurba e rasteve të reja me COVID19 ka shënuar ulje të ndjeshme në rajon.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img