BallinaFaktometerPa kategoriA dërgohen pacientët e shëruar nga Covid me ambulancë për në banesë?

A dërgohen pacientët e shëruar nga Covid me ambulancë për në banesë?

AURORA SHPATAJ

Ministria e Shëndetësisë dhe shërbimi i Urgjencës deklarojnë se pacientët e shëruar nga Covid shoqërohen me ambulancë për në banesë. Por në spitalet Covid 1 dhe 2 burimet mohojnë dërgimin e pacientëve të shëruar nga spitali drejt banesës, ndërsa tek spitali Covid 3 konfirmojnë këtë procedurë. Megjithatë sipas stafit mjekësor të këtyre spitaleve, nuk ka një udhëzim zyrtar për shoqërimin me ambulancë të pacientëve të shëruar nga Covid për në banesë.


Më 23 nëntor, gjatë komunikimit për mediat të Komitetit të Ekspertëve, drejtori i shërbimit të Urgjencës, Skënder Brataj tha:

“Çdo pacient ose qytetar që shërohet, shoqërohet drejt banesës dhe do të vazhdojë të shoqërohet nga autoambulancat deri në banesë, kështu që mos të përpiqen të gjejnë mjete transporti, sepse ato do të bëhen gjithmonë nëpërmjet sistemit 127 për të ndërprerë dhe parandaluar përhapjen e infeksionit.”

Pas kësaj deklarate, “Faktoje” bëri një vëzhgim ne tre spitalet Covid ku u interesua nëse po zbatohet shoqërimi i pacientëve të shëruar me autoambulancë.

Faktoje e nisi vëzhgimin në spitalin Infektiv, ku përgjatë 2 orësh konstatuam një numër të madh ambulancash që sillnin vazhdimisht pacientë me covid për shtrim.

Spitali Infektiv, foto:Aurora Shpataj

Gjatë komunikimit që Faktoje pati me disa shoferë ambulancash, ata u shprehën se nuk kanë dërguar ndonjë pacient të shëruar në shtëpi.

“Deri tani unë nuk kam dërguar asnjë pacient të shëruar në shtëpi. Nëse do dërgohet, unë marr leje nga qendra e cila më lajmëron që unë do transportoj pacientin në shtëpi.”- shprehet shoferi i ambulancës që deri më sot ka bërë vetëm transportin “vajtje” të të prekurve me Covid drejt spitalit.

Një tjetër shofer ambulance pranë Infektivit thotë për “Faktoje”:

“Më duket absurde, pse duhet t’i dërgojmë në shtëpi, kur janë të shëruar? Ne jemi këtu për ato pacientë të cilët janë për t’u trasportuar drejt spitalit.”

Vëzhgimi i “Faktoje” vazhdoi në spitalin spitalin Covid 2, “Shefqet Ndroqi”.

Spitali “Shefqet Ndroqi”, Covid 2, foto:Aurora Shpataj

Burimet brenda spitalit “Shefqet Ndroqi” na konfirmuan që pacientët e shëruar nuk shoqërohen me autoambulacë.

“Jo, nuk dërgojmë, nuk kemi marrë ndonjë urdhër ose protokoll për t’i transportuar në shtëpi”- shprehet një infermiere për “Faktoje”.

Me datë 15 nëntor edhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu kishte deklaruar se pacientët e shëruar rikthehen me autoambulancë në banesat e tyre.

“Pacientët që dalin nga spitali i shoqërojmë me autoambulanca. I shoqërojmë në shtëpi qytetarët që shërohen, janë më dhjetëra në ditë, nga spitalet “Shefqet Ndroqi”, “Infektivi”, spitali Covid 3”- deklaroi gjatë një konferencë për shtyp zonja Manastirliu.

Spitali Covid 3, foto:Aurora Shpataj

Në një komunikim me stafin mjekësor në spitalin Covid 3, na u konfirmua se çdo pacient dërgohet me ambulancë në banesë pas daljes nga spitali.

“Dërgohet çdo pacient i shëruar në shtëpi me autoambulancë, i shoqëruar me ekipin mjekësor, pasi është marrë leja nga mjeku që e ka ndjekur rastin.”- shprehet një infermiere për “Faktoje”, e cila dëshiron të mbetet anonime. Megjithatë asnjë nga shoferët e ambulancave që “Faktoje” kontaktoi nuk e ka pohuar një procedurë të tillë.

Mjeku Ilir Allkja, i pyetur nga “Faktoje” nëse ka asistuar në dërgimin e ndonjë pacienti të shëruar nga Covid me ambulancë thotë:

“Unë me ekipin tim nuk kam shoqëruar ndonjë të sëmurë nga spitali për në shtëpi. Personalisht di disa raste pacientësh që kanë dalë nga spitali dhe vazhdojnë të përdorin oksigjen në shtëpi, që vërteton se kanë dalë pa u shëruar plotësisht dhe këto janë transportuar nga familjarët e tyre.”

Nga interesimi i “Faktoje” tek të 3 spitalet Covid, mësuam se nuk ka një udhëzim për transportin e pacientëve të shëruar me ambulancë për në banesë.

“Aspak, nëqoftëse do të kishte do t’ju ishte shpërndarë gjithë ekipeve të urgjencës paraspitalore.”- thanë burimet spitalore për “Faktoje”.

Mungesën e një urdhëri të tillë e konfirmon edhe drejtori i shërbimit të Urgjencës, Skënder Brataj.

Përgjigjja e drejtorit të shërbimit të Urgjencës, Skënder Brataj

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img