Ahmetaj për rindërtimin: 10 marsi do ketë kompanitë e para që do ndërtojnë shtëpitë individuale

792

JOEL ÇELA

Edhe pse Shqipëria po përjeton një tjetër krizë pas tërmetit, për shkak të koronavirusit, ajo nuk do të ndalë apo zvogëlojë programin e rindërtimit, sipas kryeministrit.  Në fund të  muajit janar ministri i Rindërtimit, Ahmetaj njoftoi se më 10 mars do të niste puna e kompanive për ndërtimin e njësive individuale të banimit në zonat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. A u respektua ky afat?


26 janar, gjatë prezantimit të platformës online, Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj deklaroi se Bashkia e Tiranës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të hapnin prokurimet për njësitë individuale në datat 7 deri në 10 shkurt. Këto dy institucione ishin përcaktuar si njësitë zbatuese, Bashkia e Tiranës për territorin e Tiranës, dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zonat e dëmtuara nga tërmeti jashtë kryeqytetit. Sipas ministrit Ahmetaj, në bazë të procedurës së përshpejtuar të prokurimit, puna në kantieret e ndërtimit do të fillonte më 10 mars.

“10 marsi do të ketë kompanitë e para të cilat do të fillojnë të ndërtojnë apo montojnë njësitë individuale në të gjithë territorin e zonave të dëmtuara në bazë të ligjit.”-u shpreh ministri

Të premten e 6 marsit. Ahmetaj u shpreh se qeveria ishte gati të niste në terren punën a për rindërtimin e 3400 shtëpive të para individuale, duke miratuar fondin prej 8.7 mld lekësh këtë qëllim.

“Që në fillim të javës së ardhshme shpallet data ndërkombëtare nga 2 njësitë zbatuese, FSHZH dhe Bashkia e Tiranës për rindërtimin e 3400 shtëpive individuale”, tha zoti Ahmetaj.

Më 10 mars ne iu drejtuam Ministrisë së Rindërtimit me një kërkesë për informacion, duke e pyetur mbi afatin e parë që vendosi zoti Ahmetaj për fillimin e ndërtimit të njësive individuale, e cila përfundonte pikërisht në atë datë.

Sot, më shumë se 15 ditë pune nga dërgimi i kësaj kërkese (afati ligjor është 10 ditë), nuk kemi marrë përgjigje nga ky institucion.

25 mars, kryeministri Rama zhvilloi një komunikim virtual me ministrat e fokusuar në luftën kundër “armikut e të padukshëm”, koronavirusit të ri COVID-19. Në ndërhyrjen e tij, ministri Ahmetaj u shpreh se një problem ishte shfaqur në procesin e prokurimeve. Nga komunikimi i Ahmetajt, kuptohej se puna në terren jo vetëm që nuk kishte nisur, por ende nuk ishin shpallur kompanitë fituese për ta realizuar këtë.

Situata ishte e ndryshme në dy njësitë zbatuese, FSHZH dhe Bashkia e Tiranës. Ndërsa FSHZH do të mbyllte procedurën të premten e 27 marsit, për të kaluar më pas tek oferta financiare, Bashkia e Tiranës nuk ishte e bindur se kompanitë plotësonin kushtet e dokumentacionit. Sipas zoti Ahmetaj nga e premtja (27 mars), do të rihapej edhe një herë procedura e prokurimeve për të përcaktuar kompanitë që do të merreshin me ndërtimin.

Sot, më shumë se 3 javë nga afati fillestar në të cilin duhet të kishte filluar ndërtimi i njësive individuale nga kompanitë e para, ende nuk ka përfunduar procesi i prokurimit. Për këtë arsye, deklaratën e ministrit do ta kategorizojmë si të pavërtetë.