Nga Jona Cenameri
Konferenca e Kryetarëve vendosi më 24 nëntor zhvillimin e një mocioni me debat për progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, me kërkesë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Debati do të zhvillohet më 10 dhjetor, më shumë se një muaj pas publikimit të dokumentit.
Ndërsa diskutimi parlamentar ende nuk është zhvilluar, Kuvendi nxitoi të promovonte gjetjet pozitive të raportit, vetëm një ditë pas publikimit të tij, duke lënë jashtë komunikimit publik kritikat e Brukselit për funksionimin e vetë institucionit.
Më 5 nëntor, pas takimit të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, me ambasadoren e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, Kuvendi publikoi njoftimin me titull: “Raporti i Progresit 2026 në Kuvend, Kryetari Peleshi: Kuvendi, i angazhuar plotësisht për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.
Në njoftim renditeshin arritjet në negociatat e anëtarësimit, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, rritja ekonomike dhe ulja e borxhit publik.
Çfarë thoshte raporti për Kuvendin?
Ndër arritjet e përmendura në njoftimin e 5 nëntorit ishte progresi në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
Por në faqen 24 të Progresraportit, Komisioni Europian kritikon Kuvendin për refuzimin, pas një vonese të gjatë, të kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti.
Bëhet fjalë për çështjen e Belinda Ballukut. Komisioni Europian vlerëson se vendimmarrja e Kuvendit ngre shqetësime për balancimin e pushteteve dhe respektimin e parimit të barazisë para ligjit.
Ndërsa Peleshi shprehte angazhimin për forcimin e mbikëqyrjes parlamentare, Progresraporti konstatonte se kjo mbikëqyrje kishte mbetur e dobët.
Komisioni Europian evidenton refuzimin sistematik dhe pa debat të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, vonesat e mazhorancës në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe miratimin e projektligjeve pa konsultime të përshtatshme publike.
Raporti kritikon gjithashtu zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi vetëm me votat e mazhorancës.
Kritika ka edhe për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit europian. Bashkimi i Komisionit për Çështjet Europiane me atë për Punët e Jashtme dhe kalimi i drejtimit të tij nga opozita te mazhoranca, sipas Komisionit Europian, kanë kufizuar dialogun ndërpartiak dhe rolin e komisionit në procesin e anëtarësimit.
Pesëmbëdhjetë ditë pas marrjes në dorëzim të raportit, më 20 nëntor, i pyetur nga gazetarët në Korçë, Peleshi pranoi vërtetësinë e kritikave të Komisionit Europian.
“Nuk duhet të lexojmë vetëm të mirat, duhet të lexojmë dhe kritika”, deklaroi Peleshi.
Ai përmendi si zhvillim pozitiv ngritjen e Komisionit për Nismat Qytetare dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ndërsa e cilësoi polarizimin politik si një problem të hershëm të politikës shqiptare.
Debati për raportin, 36 ditë pas publikimit
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, më 24 nëntor, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi Peleshin për mosrespektimin e afatit treditor për shqyrtimin e kërkesës së opozitës.
“Sot jemi në ditën e 9-të dhe ju, në shkelje të Rregullores, nuk kujdeseni as formalisht për të trajtuar një kërkesë”, deklaroi Bardhi.
Ai kërkoi gjithashtu hartimin e një kalendari parlamentar për adresimin e rekomandimeve të Komisionit Europian, disa prej të cilave përsëriten nga viti në vit.
Ndërsa për promovimin e arritjeve të raportit Kuvendit iu desh vetëm një ditë, mocioni me debat për gjetjet e tij do të zhvillohet më 10 dhjetor, 36 ditë pas publikimit dhe me kërkesë të opozitës.






