Reforma zgjedhore, PD kërkon 8 ndërhyrje në Kod, Gjiknuri: Listë dëshirash

Propozimet e PD për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe sistemin e listave të hapura sjellin debat në komisionin për reformën zgjedhore

11

Partia Demokratike prezantoi në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore paketën e saj të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, me synimin e deklaruar për ndarjen e shtetit nga partia.

Por propozimet u kundërshtuan nga bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri, i cili i cilësoi ato si një “listë dëshirash”.

Gjatë prezantimit të paketës, bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi tha se PD ka identifikuar tetë fusha ku kërkohen ndërhyrje ligjore, duke nisur nga depolitizimi i administratës publike, ndalimi i përdorimit elektoral të fondeve dhe përfitimeve sociale, deri te mbrojtja e të dhënave personale dhe kufizimi i aktiviteteve zyrtare gjatë fushatave.

Sipas tij, një nga objektivat kryesore është “mbrojtja nga presioni politik dhe hierarkik dhe garantimi i neutralitetit derisa të arrihet depolitizimi që kërkon ODIHR”

“Kemi identifikuar 8 fusha që kërkojnë ndërhyrje të posaçme”, deklaroi Bylykbashi, duke renditur ndër shqetësimet kryesore përdorimin e administratës dhe shërbimeve publike për të ndikuar te votuesit.

Sipas Bylykbashit, ndarja e shtetit nga partia duhet të jetë një parim i përhershëm i qeverisjes dhe jo vetëm një standard që zbatohet gjatë fushatave elektorale.

“Shteti nuk i shërben partisë në pushtet për të mbajtur në kontroll zgjedhësin, shteti i shërben të mirës publike. Ajo që votohet nuk është një program kontrolli të zgjedhësit, por një program qeverisës për ta bërë më mirë në përputhje me Kushtetutën, me ligjin dhe me interesin publik. 

Ndalimet e kësaj pakete duhet patjetër të përfshijnë zinxhirin e përdorimit të pushtetit, nga vendimmarrja, financimi, administrata, aktiviteti publik, propaganda shtetërore, përfitimi elektoral”, tha ai.

PD kërkon gjithashtu kufizimin e inaugurimeve, vizitave dhe aktiviteteve të zyrtarëve të lartë gjatë fushatave zgjedhore.

Nga ana tjetër, Damian Gjiknuri kundërshtoi mënyrën se si opozita ka konceptuar paketën, duke argumentuar se propozimet nuk janë ende norma konkrete ligjore dhe duhet të shqyrtohen nga ekspertët.

“Kjo është një listë dëshirash nga PD-ja, nuk ka një normë. Ju keni konceptin absolut që shteti duhet të ngrijë dhe administrata shtetërore të shihet e gjitha si administratë politike. Unë nuk gjej asnjë vend tjetër që të ndalojë të drejtat politike të qytetarëve të tij, sepse punojnë për shtetin”, deklaroi Gjiknuri.

Sipas tij, propozimet duhet të kalojnë fillimisht në shqyrtimin e ekspertëve për të vlerësuar përputhshmërinë me Kushtetutën dhe nëse ndërhyrjet e propozuara mund të cenojnë funksionimin normal të institucioneve.

Përplasjet mes dy palëve u shtrinë edhe te sistemi zgjedhor. 

Bylykbashi ritheksoi kërkesën e PD-së për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, një sistem proporcional kombëtar dhe lista 100% të hapura, përfshirë edhe zgjedhjen e këshilltarëve bashkiakë. 

“Sistemi proporcional kombëtar me listë 100% hapur për zgjedhjet parlamentare, ku zgjedhësi do të ketë disa zgjedhje, jo 1, dhe me prag zgjedhor që duhet rënë dakord që të mos jetë i tillë që pengon partitë që të hyjnë dhe lirisht vetëm në zgjedhje. 

Kemi kërkuar hapjen 100% të listave për Këshilltarët Bashkiakë, sot janë 100% të mbyllura që nga viti 2000 kur ka miratuar Partia Socialiste Kodin Zgjedhor”, tha ai.

Në përgjigje, Gjiknuri përsëriti se PS ka një tjetër propozim në rast se opozita kërkon ndryshimin e sistemit drejt listave plotësisht të hapura, që është ulja e numrit të deputetëve. 

“Nëse doni ndryshime në sistem zgjedhor drejt një sistemi më proporcional, kundërofertën tonë e kemi për uljen e numrit të deputetëve, qoftë edhe me lista totalisht të hapura dhe një reformë kushtetuese”, deklaroi Gjiknuri.

Financimi i partive drejt Komisionit të Venecias

Një tjetër çështje në rendin e ditës ishte projektligji për financimin e partive politike, për të cilin komisioni synon të marrë një opinion të dytë nga Komisioni i Venecias.

“Kemi një projekt gati të përfunduar ligjin për financimin e partive politike, ku aty janë reflektuar të gjitha inputet, është marrë dhe opinioni i Komisionit të Venecias, ka nevojë për një feedback dhe një përmirësim të fundit, gjë që mund të realizohet në ditët e mbetura. 

Shpresoj dhe do të propozoja që të paktën në ditët e mbetura, duke filluar pse jo që sot, të jepet një feedback nga ana e ekspertëve të të gjitha palëve atje, me qëllim që të kemi një draft, ta mundësojmë, ta çojmë për opinion të dytë në Komisionin e Venecias, meqënëse ata e presin. Kështu që shpresoj të kemi mirëkuptim nga opozita. Koha është shumë e shkurtër, fatkeqësisht ka ngelur më pak sesa dy javë deri në skadimin e afatit të komisionit”, tha Gjiknuri.

Drafti është rishikuar pas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe vlerësimit të mëparshëm nga institucionet ndërkombëtare. Komisioni diskutoi përcjelljen e tij për një opinion urgjent, përpara vijimit të procedurave të mëtejshme.

Mbledhja e Komisionit erdhi pas takimit të një dite më parë mes ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, dhe dy bashkëkryetarëve të komisionit. Tarran ka kërkuar bashkëpunimin e mazhorancës dhe opozitës për zbatimin në kohë të rekomandimeve zgjedhore.

Artikulli paraprakNjë keqinterpretim torturimi i një 14-vjeçari në burgun ushtarak në Kiev
Megi Iskurti
Megi Iskurti ka përfunduar studimet bachelor në Shkenca Komunikimi/Gazetari dhe masterin shkencor në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Është vlerësuar me certifikatë ekselence si studentja me rezultatet më të larta akademike në Departamentin e Gazetarisë në Kolegjin Universitar “Bedër”. Ka pesë vite përvojë në median online Gazeta Si, ku ka mbuluar kryesisht çështje të ekonomisë dhe gjeopolitikës. Në Faktoje.al merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Është gjithashtu fituese e disa çmimeve të para në konkurse të eseistikës, të folurit publik dhe në konferenca studentore.