Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, e mbajtur këtë të shtunë, u përqendrua te riorganizimi i strukturave drejtuese të partisë, tensionet e brendshme dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama u ndal te raporti me drejtësinë, procesi i integrimit europian dhe nevoja për mobilizimin e strukturave socialiste në prag të sfidave të ardhshme elektorale.
Një nga zhvillimet kryesore të Asamblesë ishte ndryshimi i drejtimit politik të PS-së në Tiranë, ku Erion Veliaj u largua nga kjo detyrë.
Në vend të tij, drejtimi i strukturave të partisë në kryeqytet iu besua Ervin Demos dhe Albana Koçiut.
Pas përfundimit të Asamblesë, Sekretari Organizativ i PS, Blendi Klosi tha se Ogerta Manastirliu nuk do të largohet nga drejtimi politik i qarkut të Tiranës.
“Sa i përket drejtimit të Tiranës, u propozuan dy bashkëkryetarë si në të gjithë bashkitë e vendit. Drejtimi i partisë së bashkisë së Tiranës do jetë nga Demo dhe Koçiu. Drejtimi politik do të vazhdojë nga Ogerta Manastirliu”, tha Klosi.
Kërkesa për përjashtimin e Spiropalit
Asambleja u zhvillua në një klimë tensionesh brenda Partisë Socialiste, ku në fokus ishin edhe qëndrimet kritike të Elisa Spiropalit ndaj drejtimit të partisë.
Pas kritikave të saj për mënyrën e funksionimit të PS-së dhe nevojën për më shumë debat të brendshëm, Rama kërkoi që të hidhej në votim përjashtimi i saj nga partia. Në të njëjtën kërkesë përfshiu edhe Plarent Ndrecën, avokatin e Erion Veliajt.
Propozimi u shoqërua me kundërshtime nga Fatmir Xhafaj, i cili doli kundër përjashtimit dhe sugjeroi që ndaj tyre të merreshin masa të tjera.
Megjithatë, në përfundim të mbledhjes nuk pati votim për përjashtimin e Spiropalit. Blendi Klosi, sqaroi për mediat se ajo vijon të jetë anëtare e Partisë Socialiste.

Rama për Veliajn dhe Ballukun: Nuk kemi ndërhyrë në hetimet e SPAK
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te çështjet që lidhen me drejtësinë. Për Erion Veliajn, Rama e cilësoi absurd faktin që kryebashkiaku ndodhet në burg pa u zhvilluar gjyqi, ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk lejoi zëvendësimin e tij në krye të Bashkisë së Tiranës.
Sa i përket çështjes së Belinda Ballukut, Rama deklaroi se sipas tij nuk e ka mbrojtur atë dhe se hetimet e SPAK nuk janë cenuar.
“Raporti ynë me drejtësinë ka qenë dhe mbetet një raport pushtetesh të ndara, dhe kush ka një problem me drejtësinë, e ka personal, të vetin, me avokatët e vet. Unë dhe PS-ja nuk bëjmë avokatin e askujt. Gjeni një fjalë timen ose të kujtdo këtu që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Ballukut dhe ma thoni. Nuk e gjeni dot për asnjërin dhe për asnjërën.
Në rastin e Ballukut kam thënë: s’ka arsye që ne, kur erdhi puna te ne, ta ngremë kartonin për të paraburgosur një kolege pa gjyq, kur hetimet vazhdonin”, tha ai.

Integrimi në BE dhe zgjedhjet vendore të vitit 2027
Përtej problematikave të brendshme, integrimi europian ishte një tjetër temë qendrore e Asamblesë. Rama deklaroi se Shqipëria sipas tij është më pranë se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke e cilësuar këtë objektivin kryesor të mandatit të katërt të Partisë Socialiste.
Ai përmendi vitin 2027 si një moment të rëndësishëm për procesin e anëtarësimit dhe kërkoi që strukturat e partisë të jenë të angazhuara në përmbushjen e këtij objektivi.
“Të gjitha forcat e PS duhet të mobilizohen. I gjithë gjaku i organizmit të kësaj partie duhet të vlojë, sepse ne na ka rënë barra, por na është shkruar dhe fati që të gjendemi në këtë pjesë të historisë, ta përgatisim atë takim kur Shqipëria të jetë pjesë e Europës dhe Europa të flasë zyrtarisht edhe gjuhën e vjetër shqipe”, tha ai.
Një tjetër fokus ishte përgatitja për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Rama kërkoi mobilizimin e strukturave socialiste dhe rritjen e pranisë së partisë në territor, duke e konsideruar periudhën e ardhshme vendimtare për organizimin dhe përgatitjen elektorale.
Ai foli edhe për protestat e fundit, të cilat, sipas tij, nisën për arsye të tjera, por u instrumentalizuan politikisht dhe u kthyen në një ofensivë dhune. Rama tha se në protestë kishte qytetarë me shqetësime reale, por edhe elementë të tjerë që, sipas tij, synonin të krijonin një klimë për largimin e tij me dhunë.
“Kush udhëheq duhet të kuptojë se ku ndodhet vendi pikërisht atëherë kur zhurma dhe tymi ngrihen më lart se zakonisht. Duhet të kuptojë se çfarë është e rëndësishme në ato që janë arritur, çfarë rrezikon të humbasë vendi nën presionin e zhurmës dhe pengesën e tymit dhe si duhet ushtruar përgjegjësia e drejtimit pa humbur kthjelltësinë e shikimit. Ky është një moment i tillë”, tha ai.
Gjatë Asamblesë u diskutua edhe paketa fiskale e qeverisë, përfshirë uljen e TVSH-së për produktet e shportës nga 20% në 6%.
Rama i lidhi këto masa me rritjen ekonomike dhe hapësirat e krijuara në buxhetin e shtetit, duke i paraqitur si pjesë të politikave të qeverisë për lehtësimin e barrës mbi qytetarët.






