Ndërhyrjet në arsim, drejtësi dhe shëndetësi, si dhe pakënaqësitë e akumuluara ndër vite ndaj sistemit politik dhe institucioneve në vend, janë disa prej çështjeve që studentët rendisin si arsyet e protestës.
Ata shprehen se kërkesat i kanë bërë të qarta që në protestat e vitit 2018 dhe se nuk e shohin dialogun me kryeministrin si zgjidhje.
Të kontaktuar nga Faktoje.al, dy studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës deklaruan se nuk kërkojnë dialog me Ramën, por me një tjetër përfaqësues
“Kemi disa vite që presim dialog, që në 2018, por jo tani kur do Rama”, u shprehën ata, duke kundërshtuar atë që e konsiderojnë si një ftesë të vonuar për bisedime nga ana e kryeministrit.






Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe një grup studentësh, vajza dhe djem nga Universiteti Politeknik.
“Nuk ka nevojë fare për dialog. Kërkesat tona ia kemi bërë të qarta në kohën e protestave të vitit 2018”, deklaruan ata, duke pohuar se nuk ishin shoqëruar apo gjobitur nga policia në protestat e kaluara.
Një student i Arkitekturës, pranë Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë, i cili preferoi të mos identifikohej me fytyrë (“as familja ime nuk e di që jam këtu”), tha për Faktoje.al se kërkon largimin e figurave të vjetra politike dhe ndryshimin e sistemit.

“Në sistemin politik shqiptar janë dy fise, të rinjtë dhe të vjetrit, që duhet të largohen. Këtu është kalbur sistemi. Arsimi në tokë, institucione Shqipëria nuk ka. Ne e kemi parë botën jashtë si funksionon, ka institucione, duke filluar që nga gjykatat, që të parandalojnë korrupsionin dhe paligjshmëritë politike që ndodhin në vend”, u shpreh ai.
Studenti tregoi gjithashtu se ishte ndaluar nga policia gjatë protestave të javëve të fundit, por theksoi se nuk ishte dhunuar.
“Nuk më dhunuan, vetëm më shoqëruan”, tha ai. Sipas tij, disa prej pedagogëve të universitetit të tij kanë dalë në mbështetje të kërkesave studentore, por preferojnë të mos prononcohen publikisht.
Ndërkohë, studentët vijuan protestën me thirrje kundër figurave politike, mes të cilave: “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “Rinia kërkon revolucion”.
Sa i përket pranisë së policisë, forcat e rendit ishin më të pakta në numër krahasuar me protestat e mëparshme.
Pjesa më e madhe e efektivëve, së bashku me autobotët e ujit, ishte tërhequr pas godinës së Ministrisë së Arsimit.
Pavarësisht pjesëmarrjes së kufizuar, studentët e pranishëm u shprehën se pakënaqësitë e tyre mbeten të pandryshuara dhe se nuk e konsiderojnë dialogun me kryeministrin si përgjigjen ndaj kërkesave të tyre.
Pak para orës 17:00, ata nisën marshimin për t’u grumbulluar para godinës së kryeministrisë.






