Paketa Fiskale 2027, me njërën dorë lehtësime, me tjetrën taksa të reja

Në kuadër të paketës, Rama foli për heqjen e taksës së qarkullimit nga nafta por tha se do e transferojë tek automjetet

17

Kryeministri Edi Rama prezantoi masat kryesore të paketës fiskale dhe të buxhetit të shtetit për vitin 2027, duke njoftuar një sërë ndryshimesh në taksimin e produkteve ushqimore, karburanteve, pagave, bizneseve dhe pronave.

Në një komunikim të gjatë publik më 28 tetor, Rama tha se këto masa, sipas tij, synojnë të lehtësojnë kostot e jetesës dhe të rrisin rishpërndarjen e të ardhurave.

Ai shtoi se për herë të parë buxheti i vitit të ardhshëm do të kalojë pragun e 10 miliardë eurove. 

Mes ndryshimeve kryesore janë ulja e TVSH-së për 54 produkte bazë ushqimore nga 20% në 6%, heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës, si dhe vendosja e taksave të reja për disa kategori pasurish dhe automjetesh luksoze:

1. TVSH-ja për 54 produkte bazë ushqimore zbret nga 20% në 6%

Qeveria propozon uljen e TVSH-së për 54 produkte bazë, mes të cilave mishi, peshku, bulmeti, vezët, mielli, vajrat, sheqeri, makaronat, frutat, perimet dhe ushqimet bazë për foshnjat.

Sipas Ramës, kjo masë do t’u lërë familjeve shqiptare rreth 150 milionë euro në vit, të cilat aktualisht paguhen përmes TVSH-së. 

Rama njoftoi gjithashtu zgjerimin dhe forcimin e mekanizmit të Pasqyrës së Çmimeve, me qëllim monitorimin e tregut dhe parandalimin e abuzimeve, në mënyrë që ulja e taksës të reflektohet në çmimet për konsumatorët.

2. TVSH-ja standarde rritet nga 20% në 21%

Për të kompensuar një pjesë të të ardhurave të humbura nga ulja e TVSH-së për ushqimet, qeveria propozon rritjen me një pikë përqindjeje të normës standarde të TVSH-së, nga 20% në 21%.

Rama e argumentoi këtë ndryshim si një mekanizëm rishpërndarjeje, përmes të cilit konsumatorët do të kontribuojnë më shumë për mallrat që nuk përfshihen në shportën bazë ushqimore, me synimin për të lehtësuar familjet që kanë më shumë vështirësi ekonomike.

3. Tatimi mbi fitimin mbetet 15%, ndërsa tatimi mbi dividendin rritet në 15%

Ndryshe nga propozimet për ndryshime në disa taksa të tjera, tatimi mbi fitimin e bizneseve do të mbetet në nivelin 15%, sipas njoftimit të Ramës.

Ndërkohë, tatimi mbi dividendin do të rritet nga 8% në 15%. Rama e prezantoi këtë masë si një mënyrë për të rritur kontributin e bizneseve të mëdha dhe të pronarëve të tyre, në funksion të financimit të lehtësimeve për familjet me të ardhura më të ulëta.

4. Pragu i sipërm i tatimit mbi pagat rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë

Paketa parashikon rritjen e pragut të sipërm të tatimit mbi pagat nga 200 mijë në 300 mijë lekë në muaj. 

Rama argumentoi se rritja ekonomike i krijon qeverisë mundësinë për të ndërmarrë këtë lehtësim, i cili synon të ulë barrën tatimore për një pjesë të punonjësve me paga më të larta.

5. Vendoset një prag i ri tatimi prej 30% për pagat mbi 700 mijë lekë

Një tjetër ndryshim në tatimin mbi të ardhurat personale është vendosja e një pragu të ri për pagat mbi 700 mijë lekë, ku norma e tatimit do të jetë 30%, sipas njoftimit të Ramës.

Rama argumentoi se kjo masë synon, ndër të tjera, të kufizojë mundësinë e shmangies së tatimit mbi dividendin përmes deklarimit të të ardhurave si paga. Kështu, paketa ndërthur lehtësimin e barrës për një pjesë të punonjësve me një normë më të lartë për të ardhurat mbi pragun e ri.

6. Pragu i regjistrimit në TVSH ulet në 5 milionë lekë

Qeveria propozon që bizneset me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë të përfshihen në skemën e TVSH-së, duke ulur pragun aktual nga 10 milionë lekë.

Sipas Ramës, qëllimi është të kufizohet përdorimi i bizneseve të vogla për të fshehur aktivitetin ose transaksionet e bizneseve më të mëdha. Kryeministri paralajmëroi gjithashtu subjektet me xhiro nën 5 milionë lekë që të mos përdorin fatura në funksion të shmangies së detyrimeve tatimore.

Ndërkohë, ai përsëriti zotimin se biznesi i vogël do të vijojë të përfitojë nga taksa zero mbi fitimin deri në vitin 2029.

7. TVSH-ja për hotelerinë rritet nga 6% në 10%, agroturizmi përjashtohet

Paketa parashikon rritjen e TVSH-së për hotelerinë nga 6% në 10%, ndërsa agroturizmi do të përjashtohet nga kjo rritje.

Rama e argumentoi masën me rritjen e të ardhurave të sektorit turistik dhe nevojën për formalizim më të madh të aktivitetit ekonomik. Ndryshimi mund të ndikojë në kostot e operatorëve dhe në çmimet për turistët, në varësi të mënyrës se si bizneset do ta përballojnë rritjen e taksës.

8. Taksa të reja për ekonominë digjitale, pronat e luksit dhe makinat luksoze

Kryeministri njoftoi përgatitjen e një sistemi të ri taksimi për ekonominë digjitale, që do të përfshijë si individët që sigurojnë të ardhura përmes rrjeteve sociale, ashtu edhe aktivitetet e tregtisë digjitale. Sipas tij, për këtë qëllim Ministria e Financave po përgatit një projekt të veçantë.

Paralelisht, Rama bëri të ditur se po punohet për masa të tjera që do të synojnë taksimin më të lartë të disa kategorive të pasurisë. 

Mes tyre përmendi një super-taksë për apartamentet që mbahen bosh dhe nuk jepen me qira, një taksë më të lartë për vilat në bregdet dhe një çmim të shumëfishuar për ujin e pishinave.

Këto masa do të trajtohen në një ligj tjetër, ndërsa në paketën fiskale të vitit 2027 do të përfshihet një super-taksë për makinat e luksit. 

9. Krijohet Byroja e Kontrollit të Specializuar të të Ardhurave

Pranë Ministrisë së Financave do të krijohet Byroja e Kontrollit të Specializuar të të Ardhurave, njoftoi Rama.

Masa lidhet me ndryshimin e formularit të deklarimit të të ardhurave, i cili, sipas tij, do të përafrohet me formatet e përdorura në vendet e Bashkimit Europian.

Për individët me të ardhura relativisht të larta, formulari do të jetë i ngjashëm me deklarimin e pasurisë që plotësojnë funksionarët publikë. 

Synimi i deklaruar sipas tij është forcimi i kontrollit mbi të ardhurat dhe identifikimi i rasteve të mundshme të mospërputhjes mes të ardhurave të deklaruara dhe pasurisë.

10. Hiqet taksa e qarkullimit nga çmimi i naftës, çmimi në pompë ulet me 32 lekë

Një nga masat e prezantuara nga Rama është heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës, me synimin për të ulur automatikisht çmimin në pompë me 32 lekë për litër.

Sipas tij, taksa nuk do të zhduket, por do t’i transferohet automjetit dhe do të mblidhet përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor.

Paralelisht, qeveria do të vendosë një taksë të re qarkullimi për automjetet e huaja që hyjnë në territorin shqiptar. Rama argumentoi se kjo masë synon të përafrojë sistemin shqiptar me praktikat e vendeve europiane.

Efekti përfundimtar te drejtuesit e automjeteve do të varet nga mënyra se si do të zbatohet taksimi i ri dhe nga detyrimi që do të paguajnë për automjetet e tyre.

Rriten bursat për studentët në nevojë, mbështetja shtrihet edhe në master

Përveç masave fiskale, Rama njoftoi edhe rritjen e mbështetjes financiare për studentët nga familje në vështirësi ekonomike.

Sipas tij, bursat për këtë kategori do të rriten me 15 mijë lekë të reja, duke arritur në 25 mijë lekë në muaj. Mbështetja do të shtrihet edhe për studentët e nivelit master.

Ai deklaroi se kjo masë është pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar shpenzimet e studentëve dhe familjeve të tyre, në një kohë kur kostot e jetesës mbeten një shqetësim.

Artikulli paraprakBaltosja nga dezinformuesit e politikës së vjetër
Megi Iskurti
Megi Iskurti ka përfunduar studimet bachelor në Shkenca Komunikimi/Gazetari dhe masterin shkencor në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Është vlerësuar me certifikatë ekselence si studentja me rezultatet më të larta akademike në Departamentin e Gazetarisë në Kolegjin Universitar “Bedër”. Ka pesë vite përvojë në median online Gazeta Si, ku ka mbuluar kryesisht çështje të ekonomisë dhe gjeopolitikës. Në Faktoje.al merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Është gjithashtu fituese e disa çmimeve të para në konkurse të eseistikës, të folurit publik dhe në konferenca studentore.