Fushata serbe, nga “ripushtimi i Kosovës” te “manuali” i protestave 

30
foto ilustruese gjeneruar me AI

Nga Jona Cenameri

“Do ta ripushtojmë Kosovën”.

“Kjo rrugë çon në luftë”.

“Protesta shqiptare me ‘manual’ nga Serbia?”

“Vuçiç mëson Ramën si të shtypë revoltën studentore”.

Këto janë disa prej titujve që qarkulluan në mediat shqiptare gjatë javëve të fundit, teksa Serbia përgatitet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit.

Zgjedhjet

Aleksandar Vuçiç njoftoi në 8 shtator dorëheqjen nga posti i Presidentit dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme në 25 tetor 2026. 

vucic

Zgjedhjet erdhën pas një lëvizjeje studentore 2 vjeçare që nisi pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad në nëntor 2024 që i mori jetën 16 personave. 

Në këtë garë Vuçiç kandidon për kryeministër. Përveç partive opozitare përballë tij është, si kundërshtar kryesor “Lista Studentore – Studentët fitojnë”, me 250 kandidatë. Partia e krijuar nga protestat studentore.

Narrativat

Në javët që pasuan lajmërimin e zgjedhjeve, në Shqipëri dhe rajon u përsëritën disa linja: rikthimi i retorikës serbe për Kosovën, qëndrimi i studentëve serbë ndaj saj dhe ideja e një ndikimi serb mbi protestat në Shqipëri.

“Serbia po përgatitet të ripushtojë Kosovën”

Një nga narrativat më të forta u ndërtua mbi deklaratat e kryetarit të Partise Socialiste të Serbisë,  Ivica Daçiçit.

dacic

Më 7 tetor, gjatë një tubimi elektoral në Rashkë, ai deklaroi se “herët a vonë, flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren”, ndërsa tha se Kosova mund të ishte “e okupuar”, por sipas tij nuk do të ishte kurrë e pavarur. 

Në Shqipëri, deklarata u transmetua edhe përmes formulimeve si “pushtim“, “kërcënim“, “ripushtim“

Disa Episode

Më 12 tetor Daçiç prap deklaroi se Serbia e kishte “mbrojtur Kosovën me luftë”.

Më 20 tetor në Kraljevo, 5 ditë para zgjedhjeve, ai përsëriti se të gjithë politikanët serbë duhet të thonë hapur se “Kosova është Serbi”, duke e cilësuar këtë “të drejtë historike të popullit serb”.

Nuk bëhet fjalë për një retorikë të re apo ndryshim të qëndrimit serb ndaj Kosovës, por për intensifikimin e tij gjatë fushatës elektorale për qëllime politike

Deklarata solli edhe reagime zyrtare shqiptare.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, e cilësoi gjuhën e Daçiçit “retorikë kërcënuese” të përdorur për përfitime politike dhe tha se Kosova është “realitet i pakthyeshëm”, shtet sovran dhe demokratik.

Edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, e paraqiti deklaratën si dëshmi të “ambicieve territoriale” të Serbisë dhe kërkoi reagim ndërkombëtar.

Ish-ministri gjerman Michael Roth paralajmëroi se kjo rrugë “çon drejt luftës, jo drejt BE-së”.

Kështu, brenda pak ditësh, një deklaratë elektorale për flamurin serb në Prizren u bë pjesë e një narrative të vjetër mbi rikthimin e pretendimeve territoriale dhe rrezikun e konfliktit.

“Politikanët serbë po kthehen në Kosovë”

Daçiç nuk ishte i vetmi.

Më 10 tetor, Miloš Jovanović, drejtues i Novi DSS dhe kandidat në zgjedhje, zhvilloi aktivitet elektoral në Prizren dhe deklaroi se Kosova ishte “territori ynë” dhe se “ajo që është e jona nuk i jepet askujt”.

jovanovic

Kosova u rikthye rast pas rasti si instrument mobilizimi në fushatën serbe.

Komisioni Evropian, i pyetur pikërisht për deklaratat e Jovanovićit dhe Daçiçit, kërkoi që liderët serbë të “përmbahen nga retorika nxitëse” dhe të kontribuojnë në stabilitetin rajonal.

“S’duam Vuçiçin por duam Kosovën”

Një tjetër debat ka vijuar rreth Listës Studentore.

Fakti që studentët sfidojnë Vuçiçin nuk do të thotë se ata propozojnë një ndryshim ndaj Kosovës.

Në Memorandumin për Kosovën, të publikuar përpara zgjedhjeve, lëvizja studentore e cilëson Kosovën “pjesë integrale” të Serbisë dhe e lidh zgjidhjen me Kushtetutën serbe.

memorandumi
Memorandumi i studentëve për Kosovën

Gjatë fushatës, studentët e përdorën Kosovën edhe për të sulmuar Vuçiçin, duke argumentuar se ai kishte dështuar të mbronte interesat serbe atje.

Programi elektoral

Në programin elektoral të Listës Studentore, kapitulli për Kosovën thotë shprehimisht se do të luftojnë për “ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë në përbërje të Serbisë”. 

Shkëputur nga programi elektoral i Listës Studentore

Programi kundërshton njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Ai premton forcimin e pozitës dhe autonomisë së komunitetit serb në Kosovë, si dhe ruajtjen e institucioneve serbe atje.

Pra, alternativa studentore ndaj Vuçiçit mund të përfaqësojë ndryshim në mënyrën e qeverisjes së Serbisë, por jo një shkëputje nga pozicioni tradicional shtetëror serb për statusin e Kosovës.

Këtij debati iu shtua edhe biografia e kandidatit kryesor, doktorit Ilija Srdanović, i cili ka deklaruar se kishte qenë “ushtar me pushkë në dorë, i rekrutuar gjatë luftës” në vitet 98′-99′.

Kandidatit kryesor i Listës Studentore doktori Ilija Srdanović

“Protestat shqiptare kanë manual nga Serbia”

Në mesin e tetorit, fushata serbe dhe protestat në Shqipëri “u takuan“.

Një student shqiptar deklaroi se kishte miq mes studentëve në Serbi dhe se komunikonte me ta për format dhe organizimin e protestave.

Në disa media shqiptare, kjo u kthye në pyetjen: “Protesta shqiptare me ‘manual’ nga Serbia?”

Nga një kontakt dhe shkëmbim eksperience u kalua kështu te ideja e një modeli proteste të importuar.

Narrativa mori edhe dimension politik kur Taulant Balla e interpretoi deklaratën si pranim të një koordinimi me Listën Studentore serbe.

Postimi i Taulant Ballës

Nga Tirana në fushatën e Vuçiçit dhe përsëri në Tiranë

Më 21 tetor, narrativa u rikthye në Serbi.

Vuçiç iu referua deklaratës së studentit shqiptar dhe foli për “koordinim të shkëlqyer” mes studentëve shqiptarë dhe atyre serbë.

Në të njëjtën intervistë komentoi edhe Ramën.

“Rama bëri një gabim. Edi besoi më gjatë se unë se mund t’i zbuste disi. Dhe gaboi. Humbi kohë”, tha ai.

Në Shqipëri kjo u kthye në tituj si: “Vuçiç mëson Ramën si të shtypë revoltën studentore”. 

Vuçiç e quajti gjithashtu Ramën “një nga asetet më të mëdha të Shqipërisë”.

Deklarat e Vuçiç për Ramën

Deklarata ra mbi një terren tashmë të përgatitur.

Prej muajsh, një pjesë e protestuesve shqiptare ka përdorur ndaj kryeministrit emërtimin “Ramoviç”, bashkë me akuzën “tradhtar”, duke e përdorur afërsinë e perceptuar me Serbinë si element delegjitimues. 

Pas 25 tetorit

Në javët e fushatës serbe, para zgjedhjeve, Kosova u përdor për të treguar patriotizëm dhe për të goditur rivalët.

Në Shqipëri, ngjarjet nga Serbia u përdorën si referencë për të ngritur dyshime mbi protestat, për të delegjitimuar kundërshtarë politikë ose për të interpretuar marrëdhënien mes Ramës dhe Vuçiçit.

Më 25 tetor Serbia voton për kryeministria e saj të ardhshëm.

Poster për zgjedhjet pro-studentëve

Rezultati i zgjedhjeve, cilido qoftë ai, mund ose jo të prodhojë një valë të re tensioni në Serbi dhe narrativash që prekin edhe hapësirën shqiptare dhe rajonin.

Artikulli paraprakTirana në kaos/ Kronika e një dite mes përplasjeve, gazit dhe reagimeve
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.