ANTIFA në Shqipëri, mes akuzave dhe fakteve

Një vështrim mbi pretendimet, debatin politik dhe çfarë shkruajnë mediat ndërkombëtare për ANTIFA-n

113
Dy protestues në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" përballë forcave të policisë. Foto e marrë nga LSA

Përveç krimit të organizuar dhe “duarve të huaja”, Edi Rama ka përfshirë edhe lëvizjen Antifa si pjesë të rrjetit ndërkombëtar që qëndron pas dhunës dhe protestave në Shqipëri. 

Edhe pse nuk ka prova publike se kjo lëvizje ka koordinuar protestat në kryeqytetin shqiptar, kryeministri deklaroi në daljen e tij të fundit se të dhënat e organizimit të këtij grupi janë në duart e policisë.

“Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë, përmes doganës dhe nga subjekte të caktuara, janë tashmë në duart e policisë. Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ANTIFA, rrjeti i terrorit urban që në emër të neo-komunizmit ka vendosur të futet në jetët e njerëzve përmes dhunës, janë në duart e policisë. Por në duart e policisë janë edhe një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë të financuar drejtpërdrejtë nga krimi i organizuar dhe forca të huaja”, tha mes të tjerash Rama.

Roli në rrjetet sociale

Instagrami, Telegrami dhe WhatsApp-i përdoren nga protestuesit për të shpërndarë informacion, organizuar takime dhe mobilizuar pjesëmarrës.

Nga pamjet e publikuara në Instagramin @antifa_tirana, vërehen simbole antifashiste e anarkiste, mesazhe kundër policisë dhe sistemit, si dhe thirrje solidariteti me protestat. Llogaria përmend edhe një kanal në Telegram si hapësirë komunikimi, çka ilustron rolin e rrjeteve sociale në shpërndarjen e ideve dhe mobilizimin e aktivistëve.

Këto elemente janë në përputhje me një formë organizimi horizontal dhe të decentralizuar, ku komunikimi mund të zhvillohet përmes llogarive dhe kanaleve online, pa një udhëheqës të vetëm të dukshëm. 

Megjithatë, fotot nuk provojnë se këto grupe nuk kanë fare drejtues, se janë të lidhura mes tyre apo se koordinojnë protestat në Shqipëri. 

Ato dokumentojnë kryesisht identitetin ideologjik dhe mënyrën e komunikimit publik të llogarisë.

Ekspertët

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, hodhi poshtë pretendimet se në Shqipëri ka elementë të kësaj lëvizjeje.

“Nuk ka celula të Antifa-s në Shqipëri. Këto shfaqje janë përdorur politikisht, por nuk ka prova nga agjencitë partnere apo tonat të konfirmojnë praninë e tyre. Sigurisht që mund të ketë ndikime, por nuk ka prova reale, apo financiare që vijnë nga kjo lëvizje”, tha ai. 

Duke iu referuar profileve të Antifa-s në rrjetet sociale, Softa shtoi: “Jemi në kohën e një lufte hibride. Inteligjenca Artificiale ka qenë baza kryesore e përdorimit të agjencive të huaja jo dashamirëse dhe profilet false që kërkojnë të nxisin një klimë të tillë, janë pjesë e luftës hibride”.

Studiuesi i çështjeve të sigurisë, Redjon Qirjazi, thotë se pretendimi i Ramës vështirë se do të rezultojë i vërtetë. 

“Kjo është një akuzë serioze, e cila kërkon prova po aq bindëse. Deri më sot, nuk është paraqitur asnjë provë e verifikueshme që të vërtetojë ekzistencën e një strukture të organizuar ‘Antifa’ në Shqipëri, e lëre më përfshirjen e saj në koordinimin e protestave”. 

Qirjazi u shpreh se referenca e Ramës ndaj faktit që Trump e ka cilësuar ‘Antifa’-n si grup terrorist, është problematike. “Antifa nuk është një organizatë ndërkombëtare e unifikuar, me një strukturë apo udhëheqje të centralizuar, – tha ai, – por më tepër një term përmbledhës për lëvizje dhe grupe të ndryshme, të cilat i bashkon fakti se, në thelb, janë antifashiste”.

Kreu i PD, Sali Berisha

Debati politik

Më 21 tetor 2026, nga selia e Partisë Demokratike, kreu i PD, Sali Berisha e mohoi këtë pretendim.

“Asnjë element të ANTIFA-s. Zero”. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqej ta paraqiste protestën studentore si një lëvizje Antifa, në vend që të përqendrohej te pakënaqësitë për korrupsionin dhe qeverisjen.

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, u shpreh në “Top Story” se çështja e protestave nuk është shqiptare, por ndërkombëtare.

“Franca po fut ushtrinë, Italia po ashtu, në Shqipëri kemi elementë të Antifa-s, do t’i përngjajë”, tha ai, duke iu referuar personave me maska.

Por i pranishëm në të njëjtin emision, kreu i PD në Krujë, Aulon Kalaja, e rrëzoi këtë tezë.

“15-vjecarët? Ata nuk e kanë idenë ça është Antifa. Këtu nuk ka Antifa, doni të njollosni protestën, është si të flasë Edi Rama”, këmbënguli Kalaja.

Çfarë thonë mediat e huaja

Në një kërkim në internet, ajo pjesë e mediave ndërkombëtare që kanë pasqyruar protestat në Shqipëri, nuk kanë raportuar pretendime dhe akuza se ka elementë të lëvizjes Antifa në Shqipëri.

Si “Al Jazeera”, ashtu edhe e përditshmja franceze “Le Monde”, nuk e përmendin Antifa-n në analizat e tyre.

Agjencia amerikane e lajmeve “Associated Press” (AP), në një artikull të publikuar edhe nga ABC News më 19 tetor 2026, përmendi pretendimin e Edi Ramës se protestuesit shqiptarë ishin radikalizuar nga Antifa.

Artikulli raporton deklaratën e kryeministrit, por nuk paraqet prova të pavarura që konfirmojnë përfshirjen e kësaj lëvizjeje në organizimin e protestave.

Disa ditë më parë, rrjeti mediatik amerikan “Fox News” e ka trajtuar ndërkombëtarisht çështjen e protestave në Shqipëri dhe pretendimet për lidhje me rrjete radikale të majta, përfshirë grupe që përdorin emrin Antifa. 

Në investigimin e tij për 101 organizata në 9 vende, Fox përmend edhe “BreakThrough News”, e cila ka promovuar protestat nga Parisi e Madridi deri në Tiranë. 

Raportimi evidenton lidhje në promovimin mediatik dhe mobilizimin ndërkombëtar, por nuk provon drejtpërdrejt se një rrjet Antifa është organizator apo drejtues i protestave në Shqipëri. 

Ç’do të thotë “ANTIFA”?

Rreth 6 vjet më parë, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, shkroi në Twitter se synon ta “shpallë ANTIFA-n si organizatë terroriste”, për shkak të përfshirjes së saj në dhunën që ndodhi në protestat që pasuan vrasjen e George Floyd-it. 

Ndonëse “Antifa” është shkurtim i fjalës “antifashist”, në SHBA ky term nuk nënkupton thjesht vlerat që në Evropë lidhen me antifashizmin.

Megjithëse fjala “antifa” ekziston në anglisht në kuptimin e përgjithshëm të “dikujt ose diçkaje që kundërshton fashizmin”, prej vitesh tashmë, në SHBA ky term i referohet zakonisht një lëvizjeje specifike aktivistësh. 

Kjo lëvizje lindi si kundërpërgjigje ndaj rritjes së grupeve të ekstremit të djathtë dhe njihet për përdorimin e dhunës gjatë demonstratave, si dhe për taktika të ngjashme me ato që në Evropë lidhen me të ashtuquajturin “blloku i zi” (black bloc).

Termi “ANTIFA” përdoret gjithashtu në Evropë, ku nënkupton militantizmin dhe aktivizmin e të majtës radikale. 

Është një term që ekziston prej dekadash, me origjinë nga “Antifaschistische Aktion” – një lëvizje komuniste gjermane jetëshkurtër gjatë viteve 1930, e cila që atëherë shkurtohej si “Antifa”. 

Megjithatë, lëvizja moderne evropiane ANTIFA u zhvillua shumë më vonë, ndërsa termi u përhap gjerësisht fillimisht përmes kulturës punk, midis viteve 1970 dhe 1980.

Historia e lëvizjes

Gazeta amerikane “The New York Times” ka publikuar një udhëzues të shkurtër që gjurmon historinë e këtij termi në SHBA. 

Grupi i parë amerikan që e quajti veten në mënyrë eksplicite “ANTIFA” ishte “Rose City Antifa”, me bazë në Portland, Oregon; i themeluar në vitin 2007, ky grup ka mbledhur gjithashtu një ndjekje të konsiderueshme në internet. 

Megjithatë, ANTIFA nuk është një lëvizje e centralizuar dhe nuk ka një udhëheqës kombëtar. 

Ajo përbëhet nga grupe që organizohen në nivel lokal, për të cilat dihet shumë pak jashtë vendit, anëtarët e të cilave bashkohen nga ideale të caktuara (siç janë kundërshtimi ndaj formave të autoritarizmit, racizmit, seksizmit dhe ksenofobisë), si dhe nga përdorimi i taktikave specifike për t’i promovuar ato. 

Për shembull, grupet ANTIFA shpesh përdorin dhunë gjatë protestave, hartojnë strategji për t’u përballur me policinë dhe janë tejet të organizuara.

Artikulli paraprakÇfarë dimë dhe çfarë nuk dimë për protestat në Tiranë
Erion Abule
Erion Abule ka përfunduar studimet për Ekonomi/financë në Universitetin e Tiranës. Pas më shumë se një dekade përvojë në gazetën “Sporti Shqiptar”, ka punuar në gazetën “Shqip” dhe si kryeredaktor i “Shqip online” në periudhën maj 2014, deri në qershor 2019 me aktualitetin politik dhe kronikën. Prej 7 vitesh, ka punuar si gazetar në Gazeta Si Online, ku është marrë kryesisht me aktualitetin, kronikën, gjeopolitikën dhe përgatitjen e analizave ndërkombëtare. Në Faktoje.al do të merret me verifikimin e deklaratave publike dhe çështje të institucioneve të drejtësisë.