Kryeministri Edi Rama doli paraditen e së premtes në një deklaratë publike për të ekspozuar atë që e cilësoi si “komponentin kriminal” të protestave të ditëve të fundit në Tiranë.
Rama pretendoi se përshkallëzimi i protestave ishte përgatitur prej muajsh, se dhuna financohej nga krimi i organizuar dhe forca të huaja dhe tha se edhe Partia Demokratike ishte pjesë e këtij skenari.
Ai pretendoi gjithashtu se policia dispononte të dhëna për organizimin e grupeve që, sipas tij, ishin pjesë e rrjetit “Antifa”, të cilin e përshkroi si një rrjet të terrorit urban të lidhur me ideologji neokomuniste, anarkiste dhe antikapitaliste.
45 personat e ndaluar që Rama i lidhi me dhunën në protesta
Por pjesën kryesore të deklaratës, Rama ia kushtoi publikimit të të dhënave për 45 persona, të cilët tha se ishin ndaluar nga Policia e Shtetit gjatë protestave të dhunshme.
Ndërsa paraqiti fotografi profili të personave, duke u mbuluar vetëm sytë, Rama publikoi edhe të dhëna për precedentët e tyre penalë dhe për vepra për të cilat, sipas deklaratës së tij, ata ishin dënuar ose dyshoheshin.
Kjo mënyrë e prezantimit në fakt ngre pikëpyetje për kufijtë mes interesit publik për informim dhe të drejtës së individëve për mbrojtjen e të dhënave personale, privatësisë dhe prezumimit të pafajësisë.
Ligji nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” i përfshin të dhënat mbi dënimet penale dhe veprat penale te të dhënat personale.
Në këtë rast, mbulimi i syve nuk mjafton vetvetiu për të garantuar anonimizimin, nëse personat mund të identifikohen nga pjesa tjetër e fotografisë ose nga të dhënat e tjera të bëra publike.
Një element tjetër është dhe dallimi mes personave të dënuar, me vendim të formës së prerë dhe atyre që janë vetëm nën hetim ose të dyshuar.
Kodi i Procedurës Penale parashikon se i pandehuri prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Prandaj, edhe paraqitja e një personi në të njëjtën listë me persona me dënime të mëparshme, rrezikon të krijojë te publiku përshtypjen se të gjithë kanë të njëjtin status ligjor.
Në listen e Ramës kishte persona që, sipas deklaratës, ishin dënuar për dhunë në familje, vjedhje, prodhim dhe shitje të narkotikëve, falsifikim dokumentesh, plagosje, kundërshtim të punonjësve të policisë e deri tek akuza për… ndotjen e ajrit.
Për disa prej tyre, Rama përmendi edhe dënime me burgim jashtë Shqipërisë.
Në disa raste, ai përmendi edhe persona që i cilësoi si të dyshuar për marrje financimesh nga Republika Islamike e Iranit.
Gjatë prezantimit, Rama përsëriti se personat e identifikuar nuk ishin studentë dhe sipas tij nuk kishin lidhje me universitetet.
Për disa prej tyre, ai përdori fjalën “student” në thonjëza, ndërsa në raste të tjera pyeti në mënyrë ironike: “Çfarë studenti është ky?”
Pjesëmarrja e personave me histori kriminale në një tubim nuk përcakton vetvetiu karakterin e të gjithë protestës dhe as nuk i bën të pavlefshme kërkesat e studentëve të tjerë.
Përgjegjësia për veprimet e kryera gjatë protestave duhet të përcaktohet individualisht, mbi bazën e provave dhe procedurave ligjore.

Studenti i akuzuar kundërshton versionin e Ramës
Pas deklaratës së Ramës, erdhi edhe reagimi i një studenti i cili hodhi poshtë pretendimet e kryeministrit për identitetin dhe profilin e tij.
Studenti 20-vjeçar i Mjekësisë, Joni Sinoymeri, hoqi maskën kirurgjikale para kamerave teksa ishte i pranishëm në protestë sëbashku me mjekë të tjerë dhe deklaroi se është personi me inicialet J.S., foton e të cilit e publikoi kryeministri Edi Rama, si protestues me precedent penal për lëndë narkotike.

Sinoymeri i mohoi këto pretendime si të pavërteta.
Ai tha se është student i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës dhe se ka një mesatare të shkëlqyer.
“Më ka akuzuar mua për precedent penalë, për prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Shikojeni në foto të gjithë, se nuk kam asnjë lloj turpi. Unë jam student i Universitetit të Mjekësisë. Meqë ka dashur të na cënonnte, na ka quajtur organizata Antifa, neokomunista. Dua të tregoj edhe të gjitha notat që kam marrë, me mesatare 10:00. Nuk na ndaloni dot me këto gënjeshtra”, tha ai.
I riu pranoi se ishte shoqëruar më parë gjatë ditëve të protestave dhe ishte mbajtur në komisariat për disa orë para se të lirohej, por riafirmoi se nuk ka precedentë penalë për lëndë narkotike
Zyrtarët dhe ish-zyrtarët e PS përballë drejtësisë
Paralelisht, Faktoje përgatiti një skedë të veçantë me ish-ministra, deputetë dhe zyrtarë publikë të Partisë Socialiste që janë përballur me hetime, akuza apo procese gjyqësore për vepra të ndryshme penale, përfshirë korrupsionin.
Kjo pranëvënie, u përgatit sepse ndryshe nga një qytetar që merr pjesë në një protestë dhe përgjegjësia e tij ligjore mbetet individuale në rast verifikimi të përdorimit të dhunës, një ministër, deputet apo drejtues institucioni ka përgjegjësi që lidhen me ushtrimin e pushtetit, vendimmarrjen dhe administrimin e burimeve publike.
Theksojmë se kjo skedë përfshin zyrtarë të nivelit qendror, si ministra, ish-ministra, deputetë dhe drejtues të institucioneve, por nuk përfshin kryebashkiakët, drejtuesit e bashkive apo drejtorët e drejtorive të ndryshme.
Statusi ligjor ndryshon nga një rast në tjetrin, nga hetimet dhe akuzat deri te vendimet gjyqësore, ndaj secili rast duhet parë veçmas.
Në këtë skedë, (shiko tabelën më poshtë) emrat shoqërohen me funksionet që kanë mbajtur dhe statusin e tyre ligjor.

Skeda e përgatitur nuk synon të shpallë fajtorë personat që janë nën hetim apo të barazojë statuset e tyre ligjore. Por, dokumenton rastet dhe fazën në të cilën ndodhen.
Dy listat kanë kontekste të ndryshme dhe sjellin në vëmendje rëndësinë e transparencës për çështjet penale që bëhen pjesë e debatit publik.
Në rastin e protestuesve, Rama e përdori historikun penal të personave të identifikuar për të mbështetur argumentin e tij mbi natyrën e protestave.
Ndërsa në rastin e zyrtarëve, interesi publik lidhet me përgjegjësinë që vjen nga ushtrimi i pushtetit dhe me mënyrën se si trajtohen dyshimet për shkelje gjatë ushtrimit të detyrës.
Në të dyja rastet, standardi i informimit duhet të mbështetet te faktet, pretendimet duhen verifikuar dhe statusi ligjor i secilit person duhet bërë i qartë.






