Ndërkombëtarët dënojnë dhunën në protesta: Thirrje për dialog dhe vetëpërmbajtje

Dhuna gjatë protestave në Shqipëri ka sjellë reagime nga institucionet evropiane dhe përfaqësitë diplomatike në Tiranë.

17

Komisioni Evropian ka dënuar dhunën e shënuar gjatë protestave në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, duke kërkuar që reagimi ndaj saj të jetë në përputhje me ligjin dhe proporcional.

Në një deklaratë të publikuar më 18 tetor, Komisioni shprehet kundër akteve të dhunës, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe dëmtimin e pronës publike dhe private.

“Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda kufijve të ligjit dhe të jetë proporcional”, thuhet në deklaratë.

Komisioni Evropian thekson gjithashtu se personat përgjegjës për aktet e dhunës duhet të mbajnë përgjegjësi përmes procedurave ligjore.

Në të njëjtën kohë, ai rikujton se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.

Sipas Komisionit, në një vend kandidat që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore.

“Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare se e drejta për të protestuar do të mbrohet. Në një vend kandidat të përkushtuar fort ndaj procesit të anëtarësimit në BE dhe që po bën përparim të rëndësishëm në rrugën e tij drejt BE-së, ankesat duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore”, thuhet në deklaratë. 

Ambasada e Zvicrës: Ulje të tensioneve dhe dialog

Edhe Ambasada e Zvicrës në Tiranë reagoi më 19 tetor, duke shprehur shqetësim për shpërthimin e fundit të dhunës dhe dëmtimin e pronës publike dhe private gjatë protestave në Shqipëri.

Në reagimin e saj, ambasada u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv.

Ajo theksoi se e drejta për tubim paqësor është thelbësore për një shoqëri demokratike dhe u kërkoi autoriteteve të garantojnë plotësisht këtë të drejtë, si dhe lirinë e medias. 

“U bëjmë thirrje forcave të sigurisë që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, shkruhet në reagim.

Ambasada e SHBA-së: Protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore

Më herët, më 17 tetor ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë duke dënuar dhunën, trazirat, dëmtimin fizik të personave dhe shkatërrimin e pronës.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që zgjedhin të protestojnë ta ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë paqësore dhe pa akte dhune, ndërsa kërkoi nga të gjitha palët vetëpërmbajtje dhe qetësi.