Kjo foto e Bashkisë në flakë është gjeneruar me AI 

29

Protestuesit hynë në godinën e Bashkisë së Tiranës dhe zjarri u ndez në katin e parë, por fotografia që e paraqet ndërtesën tërësisht në flakë nuk është pamje reale nga protesta.

Pretendimi: Fotografia që shoqëron një postim në Facebook tregon Bashkinë e Tiranës të përfshirë nga flakët gjatë protestës së 13 tetorit 2026.

Vlerësimi: False, AI Generated 

JONA CENAMERI

Në disa faqe në Facebook qarkulloi fotografia e Bashkisë së Tiranës, e paraqitur me flakë që dilnin nga disa kate dhe nga tarraca e godinës. Mbi imazh shkruhej: “Protestuesit i vënë flakën Bashkisë!”

Në një prej postimeve, fotografia shoqërohej edhe nga një tekst lajmi i shkurtër. Në tekst thuhej se protesta e 13 tetorit ishte përshkallëzuar dhe se, sipas pamjeve të një televizioni, një grup protestuesish kishte hyrë në Bashkinë e Tiranës dhe u kishte vënë flakën ambienteve të brendshme. Artikulli shtonte se përmasat e dëmeve nuk ishin ende të qarta.

Ngjarja e përshkruar në tekst është e vërtetë. Fotografia që përdoret për ta ilustruar, jo.

Protesta e 13 tetorit, e nisur pranë Ministrisë së Arsimit, u zhvendos gjatë mbrëmjes edhe drejt Bashkisë së Tiranës.

Në njoftimin e publikuar më 14 tetor, Policia e Shtetit deklaroi se në rrugën “Ded Gjon Luli” u thye me forcë një nga dyert e godinës së Bashkisë dhe iu vu zjarr kati i parë.

Edhe pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë disa protestues që hyjnë në katin e parë të godinës dhe përdorin mjete piroteknike dhe flakadanë. Zjarri u shua pas ndërhyrjes së policisë.

Por pamjet e dokumentuara nuk tregojnë atë që paraqet fotografia e shpërndarë: një godinë me disa kate dhe çatinë të përfshirë nga flakët.

Edhe një krahasim i drejtpërdrejtë me fotografinë e Bashkisë së Tiranës të bërë mëngjesin e 15 tetorit, dy ditë pas protestës, nxjerr në pah mospërputhje të dukshme.

Në fasadën reale dallohet fjongoja rozë e vendosur për Tetorin Rozë, muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, si dhe arkitektura karakteristike e godinës. Po ashtu, në fotografinë reale dallohen qartë ndërtesa pas Bashkisë, pozicioni dhe forma e pemëve dhe raporti mes godinave përreth.

Këto elemente nuk përputhen me fotografinë që qarkulloi në Facebook. Ndërtesa në imazhin viral ka ndryshime në formën e fasadës dhe në elementet përreth saj; pallati në sfond dhe pemët nuk paraqiten njësoj si në pamjen reale të së njëjtës hapësirë.

Edhe vetë përmasat e zjarrit ngrenë pikëpyetje. Fotografia virale krijon përshtypjen se flakët kanë përfshirë një pjesë të madhe të ndërtesës, deri në katet e sipërme dhe çati. Ndërkohë, mëngjesin e 15 tetorit godina qëndronte në këmbë dhe fasada e saj nuk paraqiste dëmtime të përmasave që do të priteshin nëse skena e fotografisë virale do të kishte ndodhur realisht.

Fillimisht Faktoje e kontrolloi fotografinë edhe përmes mjetit AI or Not, i cili e klasifikoi me probabilitet shumë të lartë (97%) si imazh të gjeneruar me inteligjencë artificiale.

Dyshimet janë të dukshme edhe me sy të lirë: përveç mospërputhjeve me godinën reale, disa prej detajeve arkitekturore dhe elementeve të sfondit kanë pamje jo të turbullta, të paqarta, tipike për imazhet e krijuara artificialisht.

Një verifikim në terren ditë e sotme më datë 15 tetor 2026 Bashkia e Tiranës shfaqet me fjongon rozë, (dedikuar Tetorit Rozë) ndërsa godina është në gjende të mirë dhe jo e djegur.

Bashkia Tiranë, 15 tetor 2026  

Në të njëjtin përfundim ka arritur edhe platforma e verifikimit Hibrid.info, e cila konstatoi se imazhet që paraqisnin Bashkinë e Tiranës në flakë ishin gjeneruar me inteligjencë artificiale. 

Për këtë arsye, pretendimi vlerësohet si manipulim.