Protestat ndezin edhe rrethet, përplasje mes policisë dhe të rinjve (çpo ndodh hap pas hapi)

92
Foto nga protesta e 15 tetorit

Tirana sot është zgjuar mes dëmtimeve të lëna pas nga mbrëmja e kaluar, studentëve dhe gjimnazistëve që kanë bojkotuar mësimin dhe janë nisur drejt Ministrisë së Arsimit.

I vihet zjarri një pike stacioni urbanësh te “Piazza”. Foto: Jomna Cenameri

14:50 – Sulmohet banka e nivelit të dytë te 9-katëshet

Protestuesit kanë sulmuar me mjete të forta një bankë të nivelit të dytë në zonën e 9-katësheve në Tiranë, duke thyer xhamat e godinës dhe duke dëmtuar bankomatin.

Gjatë incidenteve banka u godit me mjete metalike. Po ashtu, protestuesit i kanë vënë zjarrin një infopoint-i që ndodhej pranë saj.

Ngjarja vjen pas përplasjeve të forta të shënuara më herët gjatë protestës në Tiranë, në zonën e Ministrisë së Arsimit, pranë Parlamentit dhe selisë së Partisë Socialiste.

13:45 – Policia, sërish apel prindërve: Fëmijët po përdoren si mburojë

Policia e Shtetit ka nxjerrë një deklaratë të dytë zyrtare lidhur me pjesëmarrjen e të miturve në protestat e dhunshme, duke shprehur shqetësimin e thellë se fëmijët po përdoren në vijën e parë të përplasjeve si mburojë.

Autoritetet u kanë bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të interesohen me urgjencë për vendndodhjen e fëmijëve të tyre dhe të mos lejojnë ekspozimin e tyre ndaj gazeve lotsjellëse, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta.

Video e bërë nga Faktoje.al

“Dijeni ku janë fëmijët tuaj! Mos lejoni që ata të ekspozohen ndaj dhunës dhe situatave që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre. Nëse fëmija juaj mungon në shkollë, interesohuni ku ndodhet. Asnjë fëmijë nuk duhet të gjendet mes gurëve, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës”, – thuhet mes të tjerash në njoftimin zyrtar.

13:10 – Protestat ndezin edhe rrethet

Protestat e të rinjve janë shtrirë sot përtej Tiranës, me bojkot të mësimit, marshime në rrugët e qyteteve dhe thirrje solidariteti me studentët.

Kërkesat lidhen me pakënaqësitë për arsimin, kostot e studimit dhe jetesës, si dhe me kundërshtimin ndaj qeverisë.

Ndërsa në Vlorë dhe në disa momente në Durrës, marshimet janë raportuar si paqësore, në Korçë, Shkodër, Elbasan dhe Divjakë janë raportuar edhe incidente ose tensione mes të rinjve dhe forcave të policisë.

Video: Jona Cenameri Faktoje.al

12:00 – Përplasje te Kuvendi, hidhet gaz lotsjellës

Grupe të ndryshme të rinjsh protestues, kanë sulmuar me gurë godinën e Kuvendit të Shqipërisë Policia ka ndërhyrë menjëherë duke përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

E gjithë zona është e rrethuar nga policia, ndërsa rruga është boshatisur menjëherë pas hedhjes së gazit lotsjellës. Ndërkohë, dhjetëra protestues janë vendosur para Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

11:50 – Apeli i policisë për nxënësit dhe prindërit

Në një reagim të radhës, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje nxënësve dhe prindërve të distancohen nga aktet e dhunshme dhe të shmangin përfshirjen në situata që rrezikojnë jetën dhe shëndetin.

Përmes një apeli publik, policia u kërkon nxënësve të largohen menjëherë nga vendet ku ushtrohet dhunë, ndërsa prindërve u bën thirrje të kujdesen për fëmijët e tyre dhe t’i këshillojnë të qëndrojnë larg situatave të rrezikshme. Sipas policisë, efektivët janë në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

Foto: Jona Cenameri Faktoje.al

11:14 – Arrestohen 55 persona, 98 nën hetim

Policia ka arrestuar 55 persona dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 98 të tjerë pas akteve të dhunës dhe dëmtimeve të shkaktuara gjatë protestës së 14 tetorit në kryeqytet.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë përplasjeve janë dëmtuar 51 punonjës policie, ndërsa janë goditur institucione shtetërore, banka, biznese dhe automjete.

Sipas policisë, gjatë tubimit para Ministrisë së Arsimit dhe më pas në akse të ndryshme të Tiranës, grupe protestuesish kanë hedhur gurë, sende të forta, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të efektivëve dhe godinave.

Dëmtime janë raportuar në ambientet e Ministrisë së Arsimit, banka, institucione financiare dhe biznese private, si dhe në bankomate, kamera, semaforë, sinjalistikë rrugore dhe kangjella rrethuese.

Gjatë protestës është dëmtuar godina e Komisariatit të Policisë Nr. 2, është djegur një automjet policie dhe janë dëmtuar tre automjete të parkuara.

Video: Jona Cenameri Faktoje.al

10:30 – Bilanci i të plagosurve, 89 persona

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar bilancin e personave që kanë marrë kujdes mjekësor pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, ku u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe Policisë.

Sipas informacionit nga Spitali Universitar i Traumës dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, gjatë protestës së djeshme kanë marrë kujdes shëndetësor gjithsej 89 persona, nga të cilët 61 efektivë të Policisë dhe 18 protestues në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe 10 pacientë në QSUT.

10:20 – Delegacioni i BE në Shqipëri reagon për protestën

Delegacioni i BE në Shqipëri në një reagim në “X” dënon me forcë atë që e konsideron si përshkallëzim të dhunës dhe shkatërrim të pronës publike dhe private në protestën e djeshme në Tiranë.

Delegacioni i BE thekson se dhuna s’ka vend në demokraci, duke shtuar se shqetësimet mund të adresohen vetëm përmes dialogut.

“Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune. Dhuna nuk ka vend në demokraci. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime”, thuhet në reagim.

10.15- Protesta, anulohet seanca e Kuvendit

Kuvendi njoftoi zyrtarisht se seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, e planifikuar për t’u zhvilluar sot, do te zhvillohet te enjten e 22 tetorit. Ne fakt njoftimi per anulimin e Kuvendit ishte njoftuar mes deputetesh shume me heret, duke bere qe deri ne oren 09.00 rruga rreth Kuvendit te ishte e lire. Gjithcka ndryshoi me minuta kur asaj rruge iu drejtuan te rinjte, te cilet ne mungese te seances se njoftuar permes rrjetesh sociale u drejtuan drejt Ministrise se Arsimit.

09.30- Bllokohet Tirana

Rrugë të bllokuara, semaforë të thyer, biznese të shkatërruara, mungesë urbanësh dhe qytetarët të përfshirë nga kaosi dhe stresi.
Tirana e mëngjesit të kësaj të enjteje ka qenë e paralizuar në disa nga akset kryesore të saj pas përplasjeve të mbrëmjes së të enjtes mes studentëve dhe forcave të policisë.

Stacionet e urbanëve ishin thuajse të gjithë të shkatërruara, tabakinot të thyera dhe të djegura, ndërsa bankomatet kishin dalë jashtë funksionit.

Dhunës dhe shkatërrimit nuk i kishin shpëtuar as bankat e nivelit të parë dhe të dytë, si dhe pikat e shitjes së telefonisë celulare, përgjatë rrugës nga “Myslym Shyri”, zona e “Zogut të Zi”, e deri të stacioni i trenit.

Pas një pritjeje të gjatë në stacione, pjesa më e madhe e qytetarëve largoheshin në këmbë për në destinacionet e tyre.

09.00– Gjimnazistët dhe studentët bojkotojnë mësimin

Që në orët e para të mëngjesit, të rinjë gjimnazistë dhe studentë kanë filluar të marshojnë rrugëve e të mëngjesit. Grupime nga kahe të ndryshme të kryeqytetit janë nisur drejt Ministrisë së Arsimit.

Pavarësisht caktimit të orës 14:00 për protestë të përgjithshme, studentët e fakulteteve të ndryshme në Tiranë dhe nxënësit e gjimnazeve dolën që në mëngjes për të marshuar fillimisht drejt ministrisë së Arsimit ku pati sërish përplasje me efektivët e policisë.

Sapo protestuesit mbërritën para godinës së Ministrisë së Arsimit, policia nisi me shpërndarjen e tyre duke hedhur gaz lotsjellës. Protestuesit, shumica prej tyre të maskuar, u përgjigjën duke hedhur gurë në drejtim të efektivëve.

I njëjti skenar u ndoq edhe te Kuvendi, ku mbërritën një grup protestuesish dhe policia reagoi menjëherë duke nisur shoqërimet e para.

08.00– Rama: Kush ka dorë në këtë katrahurë do paguajë

Mëngjesin e 15 tetorit, kryeministri Edi Rama reagoi në ditën e tretë të protestës së studentëve. “Deri dje kjo ishte zyra e kolegjit të Europës, shkollës së Europës së bashkuar që e çelëm në Shqipëri së bashku me udhëheqësit europian të pranishëm këtu Tiranë.

Sot, kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të janë kurrë duart e studentëve. Studentët janë e ardhmja. Studentët janë ata që shohin larg dhe që duan te shkojnë më larg dhe me shpejt. Studentet janë gjithnjë te mirëpritur dhe për ta ne jemi gjithnjë gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”, tha Rama

Kryeministri Rama ndau dhunën nga protesta.

“Këto janë të tjera duar! Këto janë duart që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë që Shqipëria përpiqet të shkojë lart.

Janë orë të vështira, por janë orë të cilat do t’i kalojmë të gjithë së bashku… Përgjegjësia para ligjit është e gjithsecilit dhe gjithkush që ka dorë ne këtë katrahurë sigurisht qe paguajë. Do të paguaj sepse Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas. Shqiptarët kurrë më nuk do të jenë pengje të së shkuarës dhe e kaluara që u rikthye me verbërinë e saj këto orë në qendër të Tiranës, si një fantazmë që përpiqet të bëjë atë që ka bërë gjithnjë sa herë shqiptarët kanë dashur të ngrenë kokën, do të mbetet e kaluar. E ardhmja është e studentëve! E ardhmja është e Shqipërisë dhe shqiptarëve!”, tha Rama