“Pasqyra e Çmimeve”, 212 produkte me çmime fikse deri në janar 2027 

Nisma “KURSE” dhe produktet me çmime fikse për konsumatorët

53

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi këtë të hënë dy nisma për transparencën e çmimeve, “Pasqyra e Çmimeve” dhe “KURSE”, të cilat synojnë të ndihmojnë konsumatorët të krahasojnë çmimet dhe të ulin shpenzimet për produktet e përditshme.

Platforma “Pasqyra e Çmimeve”, e cila është vënë në funksion, përfshin 238 produkte të ndara në 13 kategori, duke u mundësuar qytetarëve të shohin dhe të krahasojnë çmimet e tyre mes subjekteve tregtare. 

Sipas Ramës, synimi është që deri në fund të vitit numri i produkteve të përfshira të arrijë në 1.000.

Gjatë prezantimit, Rama tha se çmimet do të përditësohen nga vetë subjektet tregtare, në mënyrë që qytetarët të kenë informacion të vazhdueshëm mbi ndryshimet dhe të zgjedhin ku të blejnë.

“Pasqyra e Çmimeve” shoqërohet me nismën “KURSE”, e cila përfshin 325 oferta me çmime të reduktuara. Sipas të dhënave të prezantuara nga qeveria, ulja mesatare është 13.3%, ndërsa për disa produkte arrin deri në 40%.

Një tjetër pjesë e nismës është marrëveshja me pesë subjekte të rëndësishme të tregtisë ushqimore, sipas së cilës një grup artikujsh do të tregtohen me çmime të pandryshuara deri më 12 janar 2027, por lista e çmimeve nuk është bërë publike ende.

As kryeministri Rama nuk specifikoi se cilat do të jenë këto produkte ose kategori ushqimesh, çmimet e të cilave do të jenë të fiksuara deri në janar të vitit që vjen.

Gjoba për spekulimet

Rama tha se nisma synon të zgjerohet edhe te subjektet më të vogla dhe dyqanet e shitjes me pakicë. Ai paralajmëroi se, në rastet kur konstatohen çmime spekulative në kundërshtim me ligjin, parashikohen gjoba.

“Për këtë arsye ligji parashikon edhe gjobë në rast se ato çmime janë spekulim”, u shpreh Rama duke shtuar se qeveria synon të nxisë pjesëmarrjen vullnetare të më shumë bizneseve në këtë proces.

Ai theksoi se nisma nuk synon të përcaktojë drejtpërdrejt çmimet në treg, por të nxisë konkurrencën përmes transparencës dhe krahasimit të ofertave. 

Sipas tij, çmimet në ekonominë e tregut përcaktohen nga konkurrenca, ndërsa platforma duhet t’u japë konsumatorëve më shumë informacion për vendimet e tyre të blerjes.

Megjithatë, krahasimi i çmimeve u mundëson qytetarëve të identifikojnë alternativat më të lira, por nuk garanton vetvetiu uljen e përgjithshme të çmimeve në treg. 

Efekti i nismës do të varet edhe nga përditësimi i të dhënave, përfshirja e më shumë tregtarëve dhe mënyra se si informacioni do të përdoret nga konsumatorët.

‘Në fazën e mëvonshme parashikohet dhe një aplikacion’

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se platforma mund të përdoret online nga qytetarët në të gjithë vendin, ndërsa në një fazë të mëvonshme pritet të vihet në dispozicion edhe një aplikacion, për ta bërë shërbimin më të aksesueshëm.

Sipas Ibrahimajt, çmimet e pasqyruara duhet të jenë reale dhe përditësimi i saktë i tyre përbën përgjegjësi ligjore për tregtarët. 

Ndërsa përfaqësues të rrjetit vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe sektorit privat, duke theksuar se sipas tyre një bashkëpunim i tillë mund të kontribuojë në rritjen e transparencës në treg.

Çfarë përmban deri tani pasqyra e çmimeve

Në një vëzhgim që Faktoje.al i bëri ‘pasqyrës së çmimeve’, konstatoi se aktualisht janë 5 tregtarë të përfshirë: Conad, Big Market, Extra Market, Spar dhe Xhangolli, të rendituara sipas vendndodhjes jo vetëm në Tiranë por edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë ku operojnë. 

Në total janë 155 pika shitjeje në 15 qytete të vendit.

Deri tani, janë listuar 238 artikuj bazë. 

Ushqimet e vendosura deri në këtë moment janë të ndara në katër kategori të mëdha: Ushqime Bazë; Bulmet dhe vezë; Mish dhe Produkte mishi si dhe Fruta dhe Perime që është kategoria e fundit. 

Sipas asaj që shihet, çmimi për çdo kategori përcaktohet mbi bazën e një sasie reference (p.sh. 1 kg kos, 200 g gjalpë), duke paraqitur çmimin më të ulët të raportuar nga tregtari. 

Konsumatori mund të klikojë tek një mall specifik dhe menjëherë shfaqet i njëjti produkt në të pestë supermarketet, me çmimet përkatëse që tregtohet në secilin.

Çmimet mund të ndryshojnë në varësi të pikës së shitjes dhe kohës së blerjes. 

Artikulli paraprakEuro digjitale, ende larg realizimit përkundër dyshimeve
Megi Iskurti
Megi Iskurti ka përfunduar studimet bachelor në Shkenca Komunikimi/Gazetari dhe masterin shkencor në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Është vlerësuar me certifikatë ekselence si studentja me rezultatet më të larta akademike në Departamentin e Gazetarisë në Kolegjin Universitar “Bedër”. Ka pesë vite përvojë në median online Gazeta Si, ku ka mbuluar kryesisht çështje të ekonomisë dhe gjeopolitikës. Në Faktoje.al merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Është gjithashtu fituese e disa çmimeve të para në konkurse të eseistikës, të folurit publik dhe në konferenca studentore.