Rreth 300 tonë peshq të ngordhur, një rezervuar pothuajse i tharë dhe një investim publik që përfundoi në një katastrofë ekologjike me pasoja të rënda sa mjedisore aq edhe ekonomike.
Rasti i rezervuarit në Kasharaj nuk është thjesht historia e një ndërhyrjeje që shkoi keq por një zinxhiri institucional kontrolli që nuk funksionoi në kohë dhe që sot ngre pikëpyetje serioze për përgjegjësinë e institucioneve që duhet ta kishin parandaluar këtë situatë, në një objekt të rëndësisë së veçantë.
Punimet për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit ishin kontraktuar nga Bashkia Lushnjë, e cila kishte parashikuar edhe një kontratë të veçantë për mbikëqyrjen e punimeve.
Në këtë zinxhir kontrolli përfshihet edhe Sekretariati Teknik i Digave të Mëdha, nën përgjegjësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas Bashkisë Lushnjë, punimet ishin ndërprerë më 9 shkurt me kërkesë të vetë kompanisë dhe u rinisën në shtator.
Një ditë pas ngjarjes, Bashkia u distancua nga përgjegjësia për atë që ndodhi, duke theksuar se nuk ishte njoftuar për rinisjen e punimeve në shtator. Për këtë ngjarje, Bashkia ka kallëzuar penalisht kompanitë që kryenin rehabilitimin, duke i akuzuar se nuk morën masat e duhura për menaxhimin e ujërave.
Por kjo ngre një tjetër pikëpyetje: si mund të mos ishte në dijeni institucioni që kishte kontraktuar punimet dhe kishte lidhur edhe një kontratë të veçantë për mbikëqyrjen e tyre?
Ligji për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit përcakton përgjegjësi për aktorët që marrin pjesë në zbatimin dhe mbikëqyrjen e punimeve.
Rregullat për kontrollin dhe mbikëqyrjen e punimeve të ndërtimit përcaktojnë se, kur gjatë zbatimit konstatohen defekte apo shkelje, punimet mund të pezullohen dhe duhet të merren masat përkatëse për korrigjimin dhe normalizimin e situatës përpara vijimit të tyre.


Në rastin e Kasharajt, dihet se punimet u ndërprenë më 9 shkurt dhe, sipas Bashkisë Lushnjë, u rinisën në shtator. Por pa dokumentin që përcakton arsyen e ndërprerjes dhe kushtet për rifillimin, nuk mund të thuhet nëse pezullimi lidhej me një konstatim të mbikëqyrësit apo me një tjetër arsye kontraktuale.
Pikërisht për këtë arsye, mbetet për t’u sqaruar se përse u ndërprenë punimet në shkurt, çfarë masash u kërkuan gjatë kësaj periudhe dhe mbi çfarë baze u lejuan të rifillonin në shtator.
Por, dëmi nuk përfundon vetëm këtu.
Tharja e rezervuarit, si zgjidhja e parë që është kryer nga kompania, prek një ekosistem të tërë, ndërsa humbja e faunës ujore prek edhe një aktivitet ekonomik që për vite është lidhur me këtë ujëmbledhës.



Në të njëjtën kohë, bëhet fjalë për një ndërhyrje të financuar me para publike, për të cilën kishte një kontratë pune dhe një kontratë mbikëqyrjeje.
Prandaj pyetja që ngre Kasharaj nuk është vetëm nëse kompania zbatuese gaboi por se si një ndërhyrje në një vepër të tillë të rëndësisë së veçantë, mund të përfundonte me një katastrofë të këtyre përmasave, ndërkohë që ekzistonte një zinxhir institucionesh dhe profesionistësh që duhej ta kontrollonin procesin.
Nëse punimet ishin ndërprerë në shkurt dhe rinisja në shtator nuk ishte njoftuar, kush e kontrolloi këtë rikthim në terren? Ku ishte mbikëqyrja e punimeve? Çfarë kontrolli u ushtrua nga institucionet përgjegjëse për sigurinë e digave? Dhe, mbi të gjitha, a ishte e domosdoshme që ndërhyrja të realizohej në këtë mënyrë dhe në këtë moment?
Hetimi i Prokurorisë duhet të përcaktojë përgjegjësitë konkrete, por faktet e dokumentuara deri tani kërkojnë një përgjigje shumë më të gjerë se ajo që mund të japë vetëm kompania që po kryente punimet.
Faktoje iu drejtua Bashkisë Lushnjë për një përgjigje pikërisht mbi menaxhimin e punimeve por Bashkia u shpreh se nuk mund t’u përgjigjet pyetjeve për sa kohë çështja është nën hetim nga Prokuroria.
Ndërkohë, policia ka nisur procedim penal ndaj administratorit të kompanisë. Sipas policisë, dyshimet lidhen me mosmarrjen e masave të nevojshme gjatë punimeve, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për hetime të mëtejshme.
Çfarë parashikon ligji për sigurinë e digave
Sipas rregullores së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Sekretariati Teknik i Digave të Mëdha ndjek dokumentacionin teknik dhe ligjor për sigurinë e digave, mbledh informacion mbi gjendjen, monitorimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e tyre, si dhe ushtron kontroll në institucionet që i kanë digat në administrim.
Faktoje i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me kërkesë për informacion mbi përgjegjësitë institucionale dhe kontrollin e ushtruar për këtë ndërhyrje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë ende përgjigje.
Ndërkohë, Ligji nr. 8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar me ligjin nr. 120/2020, përcakton rregullat për kontrollin e punimeve dhe përgjegjësitë e aktorëve që përfshihen në realizimin e tyre.
Sipas ligjit, mbikëqyrësi ka përgjegjësi për kontrollin e zbatimit të punimeve në përputhje me projektin, kushtet teknike dhe dokumentacionin e miratuara.
Për subjektet që kryejnë mbikëqyrje dhe kolaudim të punimeve kërkohet edhe licencimi profesional përkatës.
Pra, në rastin e Kasharajt, ndërhyrja kishte një projekt, një zbatues dhe një mbikëqyrës.
Kjo është arsyeja pse deklarata e Bashkisë se nuk kishte dijeni për atë që po ndodhte në rezervuar kërkon të shihet përtej vetë momentit kur u konstatuan peshqit e ngordhur.
Nëse ulja e nivelit të ujit ishte pjesë e punimeve, kush e kishte parashikuar? Nëse ajo krijonte rrezik për faunën ujore, kush duhej ta evidentonte? Dhe nëse situata u përkeqësua gjatë punimeve, kush kishte detyrimin të ndërhynte?
Përgjigjet për këto pyetje janë të rëndësishme jo vetëm për të përcaktuar përgjegjësinë për dëmin mjedisor, por edhe për të kuptuar nëse mekanizmi i kontrollit të një investimi publik funksionoi.

Siguria e digave, një përgjegjësi që kërkon kontroll
Rasti i Kasharajt vjen në një kohë kur Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur shqetësime më të gjera për mënyrën se si mirëmbahen, monitorohen dhe kontrollohen digat në Shqipëri.
Në janar 2026, KLSH publikoi raportin e auditimit të performancës “Mbrojtja dhe siguria e digave”, që shqyrtoi periudhën 2021–2024 dhe u fokusua te menaxhimi, mirëmbajtja, monitorimi dhe siguria e digave.
KLSH ka evidentuar problematika në sistemin e monitorimit dhe në mënyrën se si administrohen e mirëmbahen digat në Shqipëri.
Raporti nuk i referohet në mënyrë specifike rezervuarit të Kasharajt por ai sjell në vëmendje një çështje që bëhet veçanërisht e rëndësishme në rastin e Kasharajt: një vepër ujore nuk mjafton të ndërtohet apo rehabilitohet; ajo duhet të monitorohet dhe ndërhyrjet në të duhet të kontrollohen.
Në Kasharaj, kjo pyetje bëhet edhe më konkrete, sepse gjatë një ndërhyrjeje të financuar nga paratë publike, rezervuari u boshatis dhe pasojat u shfaqën në formën e një katastrofe ekologjike.
Një ekosistem i mbetur në baltë…
Për ekspertin e mjedisit Olsi Nika, ngordhja e peshqve është vetëm pjesa më e dukshme e asaj që ka ndodhur.
Ndërhyrja në një rezervuar dhe ulja e nivelit të ujit nuk prekin vetëm peshqit që jetojnë aty.
Ai thotë për Faktoje.al se ata ndryshojnë kushtet e të gjithë ekosistemit ujor: habitatin, oksigjenimin, organizmat e tjerë që jetojnë në ujë dhe zinxhirin ushqimor që është krijuar ndër vite.
A ishte e domosdoshme të thahej i gjithë rezervuari?
“Pa shqyrtuar projektin teknik, gjendjen e digës dhe natyrën e punimeve, nuk mund të japim një përfundim nëse zbrazja e plotë ishte e domosdoshme.
Por nga pikëpamja ekologjike, ajo është një ndërhyrje me ndikim të madh dhe duhet të paraprihet nga vlerësimi i alternativave: ulja e pjesshme dhe graduale e nivelit të ujit, kryerja e punimeve me faza ose izolimi i zonës ku punohet, nëse kushtet teknike e lejojnë”, thotë Nika për Faktoje.
Sipas tij, edhe në rastet kur zbrazja e rezervuarit është e pashmangshme për sigurinë e veprës, duhet të planifikohen masa për shpëtimin e faunës ujore.
“Domosdoshmëria e punimeve nuk e bën të pashmangshme ngordhjen masive të peshqve. Pikërisht këtë duhet të sqarojnë institucionet në rastin e Kasharajt: cilat alternativa u shqyrtuan dhe çfarë u bë për të parandaluar dëmin”, vëren ai.


Çfarë masash duhej të merreshin për të mbrojtur peshqit dhe organizmat ujorë?
Në raste të tilla, Nika thotë se mbrojtja e faunës ujore duhet të jetë pjesë e planifikimit të punimeve dhe jo një masë që merret vetëm pasi shfaqen pasojat.
Sipas tij, fillimisht duhet të vlerësohet gjendja ekologjike e rezervuarit dhe të identifikohen speciet dhe habitatet që mund të preken.
Ulja e nivelit të ujit duhet të jetë e kontrolluar dhe e monitoruar, ndërsa, kur kushtet e lejojnë, peshqit dhe organizmat e tjerë ujorë mund të kapen dhe të zhvendosen në zona të përshtatshme.
Paralelisht duhet të kontrollohen edhe parametrat e ujit, si oksigjeni i tretur, temperatura dhe turbullira, si dhe mënyra se si menaxhohen sedimentet dhe ujërat gjatë punimeve.
Një tjetër element është koha kur kryhet ndërhyrja, pasi ciklet e shumimit dhe prania e vezëve apo larvave mund ta bëjnë një periudhë më të ndjeshme se një tjetër.
“Zhvendosja nuk duhet bërë në mënyrë të improvizuar, sepse mund të përhapë sëmundje ose specie të huaja”, shton gjithashtu ai.
A janë pasojat vetëm për peshqit?
Sipas Nikës, jo domosdoshmërisht.
“Tharja mund të prekë vezët dhe larvat, bimësinë ujore dhe organizmat që jetojnë në fundin e rezervuarit. Këta përbëjnë bazën ushqimore për shumë specie. Humbja e tyre çrregullon rrjetin ushqimor dhe mund të ndikojë edhe te shpendët e gjitarët që përdorin rezervuarin për ushqim.
Pasojat mund të vazhdojnë edhe pas rimbushjes. Rikuperimi varet nga kohëzgjatja e tharjes, mbijetesa e organizmave, ruajtja e habitateve dhe mundësia e rikolonizimit nga ujërat përreth. Mund të nevojiten disa sezone riprodhimi, ndërsa disa popullata mund të mos rikthehen pa ndërhyrje të përshtatshme. Rikthimi i ujit nuk do të thotë automatikisht rikthim i ekosistemit”, tha ai.



Ripopullimi me peshq nuk garanton rikthimin e ekosistemit
Çështja e Kasharajt u ngrit në komision përpara ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, i cili deklaroi se pas përfundimit të procedurave dhe rikthimit të rezervuarit në gjendje normale, Ministria e Bujqësisë do të ndërhyjë për ripopullimin e tij me peshq.
“Nga ana e Ministrisë do ta ripopullojmë, do të hedhim rasatet pasi të bëhen të gjitha procedurat e tjera dhe të kthehet në normalitet i gjithë liqeni”, deklaroi Salla.
Por, sipas ekspertit të mjedisit, rimbushja e rezervuarit me peshq nuk është e barabartë me rikthimin e ekosistemit në gjendjen e mëparshme.
“Ekziston rrezik për humbje të biodiversitetit”
Sipas Nikës, ekziston rreziku i humbjes së përkohshme të një pjese të biodiversitetit dhe, në kushte të caktuara, i zhdukjes lokale të disa specieve.
Ai thotë se kjo bëhet më e mundshme nëse eliminohen plotësisht popullatat, dëmtohen vendet e riprodhimit dhe mungojnë lidhjet me habitate të tjera nga ku organizmat mund të rikthehen.
“Megjithatë, nuk mund të deklarojmë sot se humbja në Kasharaj është e përhershme pa një vlerësim në terren dhe monitorim në kohë. Duhet të dokumentohet çfarë ka humbur, çfarë ka mbijetuar dhe çfarë kushtesh ekzistojnë për rimëkëmbjen. Edhe futja e peshqve të rinj, nëse propozohet, nuk e zëvendëson restaurimin e habitatit dhe duhet të bazohet në vlerësim shkencor.
Një rezervuar me ujë dhe disa peshq nuk është domosdoshmërisht ekosistemi që ishte përpara ndërhyrjes”, vëren ai.
Çfarë ka mbetur në terren
Në ditën e gjashtë që prej nisjes së pastrimit të rezervuarit të Kasharajt në Lushnjë, kur Faktoje ishte në terren, vetëm gjysma e peshqve të ngordhur është pastruar.
Nga lartësia e kodrës ku ngjitesh për të parë rezervuarin, mund të dallosh fillimisht me sy të lirë pjesën e shtratit që vijon të jetë e mbuluar me baltë.




Mandej, në gjysmën tjetër të rezervuarit, mbi sipërfaqen e ujit shquhet një shtresë e tërë peshqish të ngordhur.
Në ditët e para të operacionit për pastrimin e tyre u angazhuan edhe Forcat e Armatosura.
Ndërsa tashmë, disa ditë më pas, në terren janë vetëm disa punonjës nga sektori i ujitjes dhe kullimit.
Me maska, për shkak të aromës së rëndë, ata po tërhiqnin baltën në breg me makineri të rënda, në mënyrë që të afronin peshqit përanash bregut të rezervuarit dhe t’i largonin për t’i groposur, drejt fshatit Pluk, një zonë e larguar nga banesat.

Në një zonë ku bujqësia është një nga aktivitetet kryesore ekonomike, rezervuari i Kasharajt, i ndërtuar për ujitjen e tokave bujqësore, ndër vite nuk ka shërbyer vetëm për këtë funksion, por edhe si burim peshku për banorët e zonës.
Edhe pse punonjësit që po pastronin rezervuarin thanë për Faktoje se peshku nuk konsumohej dhe nuk përdorej nga banorët për shkak të aromës së tij karakteristike, raportimet nga zona tregojnë se në fakt, peshkimi në Kasharaj ka qenë prej kohësh pjesë e zinxhirit të ekonomisë lokale.
Peshku ballgjer është peshkuar në rezervuar si për konsum, ashtu edhe për shitje.
Madje, në ditët e para të zbrazjes së tij, banorë të zonës u futën në pjesët e cekëta të mbetura me ujë për të kapur peshqit që kishin mbetur gjallë.
Çfarë mbetet pas pastrimit?
Pastrimi i rezervuarit mund të largojë nga sytë peshqit e ngordhur dhe baltën e mbetur në shtratin e tij, por nuk i jep përgjigje pyetjes se si u arrit deri këtu.
Në Kasharaj mbetet për t’u sqaruar nëse tharja e rezervuarit ishte e vetmja mënyrë për të realizuar punimet, nëse pasojat mbi faunën ujore ishin parashikuar dhe, mbi të gjitha, kush duhej t’i identifikonte dhe t’i parandalonte ato gjatë zbatimit të projektit.
Ndërsa punonjësit vazhdojnë të largojnë peshqit e ngordhur nga shtrati i rezervuarit, të cilët po groposen larg banesave në fshatin Pluk, pasojat e ndërhyrjes mbeten ende të dukshme në terren.


Se sa do të kushtojë në fund kjo ndërhyrje, jo vetëm në lekë, por edhe për ekosistemin e Kasharajt, mbetet për t’u parë.
Sepse një rezervuar mund të rehabilitohet me beton, makineri dhe miliona lekë. Por një ekosistem i dëmtuar nuk rikthehet me të njëjtën shpejtësi…






