Opozita i thotë “jo” reformës territoriale. Braçe deklaron cenim të parimeve

Mazhoranca pritet ta miratojë reformën, që ul numrin e bashkive nga 61 në 46.

20

Reforma territoriale që zvogëlon bashkitë nga 61 në 46 ka sjellë debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës e cila thekson se kjo reformë synon përmirësimin e shërbimeve. 

Opozita e ka cilësuar një reformë e cila nuk është e konsultuar me qytetarët dhe këshillat bashkiakë e që ka synime elektorale dhe ekonomike.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi në Kuvend që çështja të dërgohet në referendum, në mënyrë që për hartën e re të vendosin qytetarët.

“Hidheni poshtë këtë projekt armiqësor, hidheni poshtë këtë projekt që nuk ka qytetar i çdo bindje politike që voton. Hidheni poshtë dhe të vendosim sot të shkojmë në referendum”, tha Berisha.

Për opozitën, problemi nuk lidhet vetëm me numrin e bashkive, por edhe me mënyrën se si është hartuar reforma.

Deputeti i PD-së Gazment Bardhi tha në Kuvend se reforma e vitit 2014 sipas tij nuk solli shërbimet dhe kompetencat e premtuara te pushteti vendor dhe se bashkitë janë lënë pa kompetenca dhe financime të mjaftueshme. Ai kundërshtoi edhe argumentin se zgjerimi i bashkive do të përmirësojë shërbimet për qytetarët.

Edhe Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e kundërshtoi avancimin e reformës territoriale pa dëgjuar qytetarët e Tiranës dhe komunitetet që preken prej saj.

Ajo u bëri thirrje deputetëve të shumicës të mos votojnë një reformë që, sipas saj, përqendron pushtetin politik, ekonomik dhe elektoral në duart e kryeministrit Edi Rama.

“Qytetarët e Tiranës, një e treta e vendit, nuk janë dëgjuar”, deklaroi Tabaku, duke ngritur shqetësimin se procesi po vijon pa dëgjuar asnjë përfaqësues të Bashkisë së Tiranës.

Sipas deputetes demokrate, reforma parashikon shkrirjen e 50 bashkive “me një të rënë të lapsit”, pa marrë parasysh zërin e qytetarëve dhe qëndrimet e këshillave bashkiakë. Ajo tha se edhe këshilla me shumicë socialiste kanë votuar kundër reformës, por qëndrimet e tyre nuk janë dëgjuar.

“Kjo nuk është në fakt një reformë territoriale. Kjo është një reformë politike, kjo është një reformë elektorale, kjo është një reformë edhe ekonomike”, u shpreh Tabaku.

Ajo argumentoi se ndryshimet e propozuara nuk po orientohen drejt shërbimeve më të mira dhe afrimit të pushtetit vendor me qytetarët. Sipas saj, qëllimi është kontrolli mbi vendimmarrjen ekonomike, lejet e ndërtimit dhe zgjedhjet e ardhshme vendore.

Edhe Partia e Lirisë e kundërshtoi draftin.

Tedi Blushi kërkoi tërheqjen e projektligjit, ndërsa e cilësoi ndarjen e re si një projekt që, sipas tij, rrezikon të thellojë shpopullimin.

Mazhoranca: Bashkitë më të forta sjellin më shumë shërbime

Nga mazhoranca, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se reforma sipas tij ka marrë mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e 11 majit, pasi ishte pjesë e programit elektoral të socialistëve.

Sipas tij, PS-ja ka marrë 83 mandate për ta çuar përpara këtë reformë.

Balla u shpreh gjithashtu se pas miratimit të ndarjes së re, mazhoranca është e gatshme të diskutojë për transferimin e kompetencave te bashkitë e reja, përmes një komisioni të posaçëm.

“Ftesa ime për ju është që t’i përgjigjeni ofertës që ua thashë edhe një javë më parë, ditën e enjte, javën e ardhshme të ngremë së bashku komisionin posaçëm të reformës territoriale, tanimë jo për pjesën e ndarjes, por për pjesën e kompetencave. Ne i garantojmë të gjithë qytetarët e të 46 bashkive të reja që do kenë shërbime më të mira publike, shërbime më të mira nga të gjitha bashkitë dhe jemi gati t’u transferojmë kompetenca të reja bashkive“, tha ai.

Krahas Ballës, edhe Blendi Klosi e mbrojti reformën duke argumentuar se bashkimi i njësive vendore do t’i bëjë bashkitë më të forta. Ai sfidoi opozitën edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke deklaruar se PS-ja synon të fitojë të gjitha bashkitë që do të krijohen nga harta e re.

Ndërsa bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, e mbrojti ndryshimin e hartës me argumentin se bashkitë më të mëdha kanë më shumë kapacitete për të ofruar shërbime dhe për të realizuar investime.

Ai iu referua reformës së vitit 2014 si një “sukses” dhe tha se bashkimi i njësive vendore ka sjellë rritje të të ardhurave dhe investimeve dhe ulje të borxheve.

“PS nuk ka interesa elektorale për këtë çështje, PS i ka fituar 55 bashki nga 61 që janë, PS ka vetëm një interes, që t’i shërbejmë më shumë qytetarëve”, deklaroi Mazniku.

Ai shtoi se reforma e re sipas tij nuk do të largojë shërbimet nga qytetarët: “Asnjë shërbim që afrohet sot, nuk largohet”, duke argumentuar se bashkitë më të forta do të mundësojnë më shumë investime, rrugë dhe shërbime publike.

‘Braçe del nga rreshti’

I vetmi nga socialistët që foli me tone kritike kundër territoriales, ishte deputeti Erion Braçe.

Braçe theksoi se kjo reformë sipas tij ka shkelur parimet, ndërsa shtoi se transparenca dhe informacioni për të kanë munguar duke kritikuar dhe bashkëkryetarin e Komisionit për Reformën, Arbjan Mazniku.

Ai argumentoi se ndryshimi i hartës sipas tij prek drejtpërdrejt jetën e banorëve të 15 bashkive që pritet të shkrihen, si edhe të bashkive që do t’i përthithin ato.

Braçe tha se reforma nuk duhet të mbështetet vetëm te kriteret ekonomike e financiare.

“Unë mendoj se qëndrueshmëria e reformave vjen nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë respektuar njësoj kudo në këtë hartë. Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve në 15 bashki. Madje ndryshojmë jetën e njerëzve edhe në bashkitë e tjera që ato po i përthithin. Por kaq me thjeshtësi e marrim ne ndryshimin e jetës së njerëzve, të cilët kanë bërë plane për jetën e tyre?

Bie dakord që populli ushtron sovranitetin përmes përfaqësuesve të zgjedhur me votë. Kjo kërkon përgjegjësi e përgjegjshmëri. Që të ndodhë kjo duhet transparencë efektive. Transparencë efektive nuk ka patur, jo për shkak të ndarjes partiake këtu. Kur kriteret që justifikojnë këtë ligj janë të gjitha me karakter ekonomik e financiar. Mes lumit të informacionit që nuk u nda me ne, do ishte e udhës që informacioni të ishte korrekt”, tha ai.

Protesta para Kuvendit

Qytetarë nga bashki të ndryshme u mblodhën mëngjesin e kësaj të enjteje para Kuvendit për të kundërshtuar reformën e re territoriale, konkretisht shkrirjen e 15 bashkive dhe reduktimit të tyre nga 61 në 46.

Në protestë pati thirrje kundër qeverisë dhe Kuvendit, ndërsa protestuesit kërkuan që zëri i qytetarëve të dëgjohej.

Policia kishte vendosur një perimetër të gjerë sigurie rreth Kuvendit, me efektivë, barriera metalike dhe automjete policie.

Në një moment, protestuesit u përplasën fizikisht me efektivët dhe tentuan të shtynin gardhet e vendosura pranë parlamentit.

Situata u tensionua veçanërisht në zonën e Rrugës së Elbasanit, ku policia përdori spraj lotsjellës ndaj protestuesve për të shpërndarë turmën.

Edhe deputetë të opozitës u përfshinë në tensione me policinë, duke tentuar të kalonin kordonin e efektivëve.

Tetë persona shoqërohen në komisariat

Tetë persona janë shoqëruar nga Policia pas protestës së zhvilluar ditën e sotme para Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas Policisë së Shtetit, gjatë tubimit disa prej pjesëmarrësve kanë shtyrë dhe goditur me vezë, domate, gurë dhe sende të tjera punonjësit e Policisë të vendosur në shërbim.

Policia deklaron se efektivët u kanë bërë thirrje protestuesve, përmes megafonit, që të ndalonin veprimet e kundërligjshme, të zbatonin urdhrat e ligjshëm dhe të mos cenonin perimetrin e sigurisë së Kuvendit apo të bllokonin rrugën. 

Sipas uniformave blu, këto urdhra nuk janë zbatuar nga disa prej pjesëmarrësve.

“Në këto kushte, punonjësit e Policisë, në zbatim të procedurave standarde të punës, me qëllim neutralizimin e veprimeve të dhunshme të disa prej pjesëmarrësve në tubim, kanë përdorur spraj individual policor dhe në vijim të veprimeve, kanë shoqëruar, deri në orën 17:30, tetë persona që kryenin veprime të dhunshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

AGSH denoncon raportimet për pengimin e gazetarëve gjatë protestave

Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) denoncoi raportimet për pengimin e gazetarëve gjatë protestave të sotme para Kuvendit.

Sipas AGSH, gazetarë, operatorë dhe fotoreporterë janë penguar në ushtrimin e detyrës dhe u është kufizuar lëvizja në zonat e protestës.

AGSH i bën thirrje Policisë së Shtetit të garantojë lirinë e raportimit dhe të mos pengojë median gjatë mbulimit të protestave.

Organizata thekson se çdo kufizim ndaj gazetarëve duhet të ketë bazë ligjore, të jetë i domosdoshëm dhe proporcional.

Masat për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, sipas AGSH, nuk mund të përdoren për të penguar në mënyrë të pajustifikuar raportimin gazetaresk.

Si do të shkrihen bashkitë

Reforma e re territoriale parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, ndërsa 12 qarqet mbeten të pandryshuara.

Sipas qeverisë, 15 bashki do të bashkohen me bashki fqinje, ndërsa struktura e re do të ketë 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative.

Bashkia mbetet njësia e vetme e vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, këshill, administratë dhe buxhet të vetëm, ndërsa qyteteve përbërëse u parashikohet rol në përfaqësim, planifikim dhe organizimin e shërbimeve.

Sipas mazhorancës, konsolidimi synon të krijojë bashki me më shumë kapacitete financiare dhe administrative dhe të përmirësojë ofrimin e shërbimeve publike.