Siguria ushqimore, ishte në qendër të diskutimeve në Komisionin për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, ku ministri i Bujqësisë, Andis Salla, raportoi mbi masat e marra dhe problematikat e evidentuara gjatë vitit 2026.
Një nga çështjet kryesore të ngritura në Komision ishte ndalimi i importit të mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili, që hyri në fuqi më 3 shtator, pas ndryshimeve të rregullave europiane për produktet me origjinë shtazore.
Në Komision, opozita kërkoi shpjegime për mënyrën se si janë kontrolluar ngarkesat nga Brazili dhe pse ndalimi u vendos vetëm në shtator, ndërsa më herët autoritetet kishin konstatuar raste të mishit me probleme.
Në diskutim u ngrit edhe çështja e mishit të derrit.
Ministri Salla deklaroi se autoritetet po vlerësojnë edhe kontratat për importin e këtij produkti.
“Lidhur me çështjen e mishit të derrit janë marrë komunikime me palën e Brazilit lidhur me rishikimin e marrëdhënieve tregtare.
Kur një analizë tregon jokonformitet, ose kur një produkt paraqet rrezik të arsyeshëm për shkak të skadencës apo gjendjes së tij, veprimet që ne ndërmarrim janë të qarta: bllokim, verifikim i lotit dhe i zinxhirit të shpërndarjes, tërheqje ose kthim kur duhet, njoftim i konsumatorit dhe asgjësim sipas rastit.
Siguria ushqimore nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një përgjegjësi e drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve dhe shëndetit të tyre ”, tha ai.

Mziu: Ku përfunduan 130 tonë misër me aflatoksinë?
Një tjetër rast i diskutuar ishte ai i 130 tonëve misër të bllokuar në Shkodër, pasi analizat kishin konstatuar praninë e aflatoksinës.
Deputeti i Partisë Demokratike Xhelal Mziu kërkoi informacion se ku ndodhet sot kjo sasi, sa prej produkteve të bllokuara janë asgjësuar dhe nëse autoritetet mund të dokumentojnë destinacionin përfundimtar të produkteve që rezultojnë jashtë standardeve.
Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Blerina Gjylameti, tha se në total janë kontrolluar 380 tonë misër të importuar nga Serbia, Kroacia dhe Greqia, ndërsa 13 raste kanë rezultuar me aflatoksinë.
Për rastin e Shkodrës, ajo tha se 130 tonë misër u bllokuan deri në daljen e rezultateve laboratorike, por produkti ndërkohë ishte përdorur për ushqimin e pulave. Sipas saj, për operatorin është bërë kallëzim penal.
Lidhur me rastin e misrit, deputetët e opozitës ngritën dhe shqetësimin që fermerët shqiptarë nuk subvencionohen mjaftueshëm, pasi sipas tyre, fakti që Shqipëria importon misrin është shqetësues.
Ata iu drejtuan ministrit për masa konkrete që mund të merren nga Ministria e Bujqësisë për nxitjen e prodhimit të misrit në Shqipëri.
Opozita kërkon masa për qumështin pluhur
Qumështi, veçanërisht ai pluhur i përdorur në industrinë përpunuese, ishte një nga çështjet kryesore për të cilën opozita i drejtoi pyetje ministrit.
Deputeti Igli Cara tha se gjatë vitit 2025 Shqipëria ka importuar rreth 8 milionë litra qumësht të freskët, ku pjesa më e madhe, sipas tij, ka ardhur nga Serbia. Ai iu referua gjithashtu importeve prej rreth 4 mijë tonësh qumësht pluhur në vitin 2024.
Cara ngriti pikëpyetje mbi përdorimin e qumështit pluhur në industrinë përpunuese, veçanërisht në baxho, duke e krahasuar këtë praktikë me vendet e Bashkimit Europian.
Sipas tij, problem është edhe fakti që në treg mund të ketë produkte shqiptare që deklarohen si të prodhuara me qumësht të freskët, ndërkohë që në procesin e prodhimit mund të përdoren qumësht pluhur apo nënprodukte të tjera.
“A do të ketë reduktim të qumështit pluhur për baxhot? Në Shqipëri vazhdon dhe ky është problem i madh”, tha Cara, duke kërkuar nga ministria të sqarojë se çfarë politikash do të ndërmerren dhe si do të kontrollohet origjina dhe përbërja e produkteve që dalin në treg.
Çështja lidhet me tkurrjen e prodhimit vendas.
Siç raportoi Faktoje në një shkrim të fundit, prodhimi i qumështit ra nga 1.013 milionë tonë në 2021 në 868.3 mijë tonë në 2025, ndërsa importet e produkteve të bulmetit arritën rreth 7.74 miliardë lekë në 2025, kundrejt rreth 629 milionë lekë eksporte.
Në atë raportim, eksperti Ervin Resuli ngriti pikërisht problemin e gjurmueshmërisë së origjinës së qumështit që përdoret nga industria, duke kërkuar që konsumatori të ketë informacion të qartë nëse lënda e parë është shqiptare apo e importuar.
Sipas tij, industria përpunuese rrezikon të kthehet në një hallkë që kryesisht përpunon dhe paketon produkte me origjinë të huaj.
Në të njëjtën kohë, problemi lidhet edhe me formalizimin e sektorit. Sipas të dhënave të cituara nga Faktoje, rreth 70–80% e qumështit nuk kalon në kanalet formale të përpunimit, ndërsa fermerët përballen me kosto prodhimi rreth 48–50 lekë për litër dhe çmime grumbullimi që në varësi të rastit shkojnë deri në 55 lekë.
Ministri Salla tha se me ndryshimet në kuadrin ligjor për kontrollet zyrtare do të forcohet edhe kontrolli mbi etiketimin e produkteve, ndërsa nga 1 janari 2027, sipas tij, kontrollet do të shtrihen në etiketimin e çdo produkti ushqimor.
Salla tha se nëse një produkt etiketohet si “qumësht i freskët”, ndërsa në përbërjen e tij rezulton se është përdorur qumësht pluhur apo nënprodukte të tjera, subjektet do të përballen me masa.
Ai tha se subjektet janë njoftuar se kontrollet do të përfshijnë origjinën dhe lëndën e parë të përdorur në produkte, duke përmendur mes tyre vajin e palmës, hirrën dhe qumështin pluhur.
Sipas ministrit, qëllimi është krijimi i një gjurmueshmërie të plotë për produktet që dalin në treg dhe transparencë më e madhe për konsumatorin mbi përbërjen e tyre.
20 stabilimente duhet të mbyllen
Salla foli edhe për procesin e vlerësimit dhe kategorizimit të stabilimenteve ushqimore.
Nga 904 stabilimente të përfshira në proces, deri tani janë vlerësuar 696.
Sipas të dhënave të paraqitura, 19 janë klasifikuar në kategorinë I, 204 në kategorinë II, 453 në kategorinë III, ndërsa 20 stabilimente janë klasifikuar në kategorinë IV, për të cilat parashikohet mbyllja.
Salla tha se procesi synon të krijojë një pasqyrë të qartë të gjendjes së operatorëve dhe të përcaktojë për secilin prej tyre masat që duhet të marrë dhe afatet për përmirësim.
Laboratorët, 20 milionë euro investime
Në përgjigje të kritikave për financimin e sigurisë ushqimore, Salla tha se nuk duhen parë vetëm fondet e drejtpërdrejta të buxhetit të ministrisë, por edhe investimet e financuara nga partnerët ndërkombëtarë.
Sipas tij, rreth 20 milionë euro janë parashikuar për laboratorët, ndërsa janë shtatë laboratorë në proces investimi. Ministri tha se për disa pajisje kontratat janë lidhur dhe ato po montohen në ISUV, ndërsa për pjesën tjetër vijojnë procedurat e tenderimit.
Salla përmendi gjithashtu një projekt prej 13.5 milionë eurosh të financuar nga BE-ja dhe qeveria gjermane dhe një projekt të Bankës Botërore prej 72 milionë eurosh, që sipas tij do të ndihmojnë në forcimin e kapaciteteve laboratorike dhe burimeve njerëzore.






