Parku Urban në Spitallë ka përfunduar, Bashkia ende nuk e ka marrë në dorëzim

Punimet për Parkun Urban në Spitallë kanë përfunduar, por objekti ende nuk i është dorëzuar Bashkisë Durrës, si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara pas përfundimit të punimeve.

16
Parku Urban Spitall

Nga Jona Cenameri

Në fushatën për zgjedhjet vendore të vitit 2023, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, premtoi ndërtimin e një Parku Urban në Spitallë.

Premtimi

Më 8 maj 2023, Sako e renditi projektin mes “investimeve të mandatit të ardhshëm” dhe publikoi edhe pamje se si parashikohej të dukej. Sipas prezantimit të saj, parku do të ndërtohej mbi sipërfaqen e përfituar nga mbyllja e kanalit të ujërave të larta dhe do të kishte kurorë të gjelbër, kënde sportive për fëmijë dhe hapësira rekreative për të gjitha grupmoshat.

Nga premtimi te nisja e punimeve

Rreth një vit e gjysmë më vonë, më 25 nëntor 2024, kryeministri Edi Rama njoftoi publikisht nisjen e punimeve për projektin. Parku u prezantua si një hapësirë rekreative me gjelbërim, zonë për këmbësorët, pistë biçikletash, terrene sportive dhe kënde për fëmijë.

Postimi Edi Rama

Në mars 2025, Sako publikoi pamje nga kantieri dhe deklaroi se punimet po vijonin, ndërsa në prill Rama dhe Sako prezantuan sërish ecurinë dhe elementët e projektit.

Rama dhe Sako

Projekti parashikon një park linear rreth 1.3 kilometra të gjatë mbi kanalin e mbyllur të ujërave të larta. Sipas të dhënave të verifikuara nga Faktoje në vitin 2025, kontrata kishte afat 12 muaj dhe vlerë rreth 109.6 milionë lekë me TVSH.

Për të mësuar mbi ecurinë dhe statusin aktual të investimit, Faktoje iu drejtua Bashkisë Durrës. Bashkia na orientoi te Fondi Shqiptar i Zhvillimit, institucioni përgjegjës për zbatimin e projektit.

FSHZH

Në përgjigjen e fundit për Faktoje, Fondi Shqiptar i Zhvillimit deklaron se punimet për ndërtimin e Parkut Urban në Spitallë kanë përfunduar. Megjithatë, sipas FSHZH-së, pas përfundimit janë konstatuar dëmtime në bimësi, stola dhe pajisje të tjera.

“Si pasojë e dëmtimeve të konstatuara në bimësi, stola dhe pajisje të tjera të objektit shkaktuar nga përdoruesit e mjeteve motorike, të cilët, në kundërshtim me funksionin e përcaktuar të hapësirave, vijojnë të parkojnë në zona të cilat nuk janë të destinuara për parkim, aktualisht kontraktori është në procesin e kryerjes së ndërhyrjeve dhe riparimeve të nevojshme”, sqaron FSHZH.

Pas këtyre ndërhyrjeve, objekti pritet t’i dorëzohet Bashkisë Durrës.

Verifikimi 2026

Në verifikimin në terren në shtator 2026, Faktoje konstatoi një pamje dukshëm të ndryshme nga viti 2025.

Punimet duken të përfunduara dhe hapësira ka marrë formën e parkut të parashikuar. Një qytetar i zonës tha për Faktoje se parku konsiderohet i përfunduar, megjithëse punonjës vazhdojnë të rikthehen për ndërhyrje të vogla.

“E mbaruar themi, por herë pas here vijnë punonjës dhe rregullojnë gjëra, shtylla, tuba e të tjera”, tha ai.

Verifikimi në 2025

Në tetor dhe nëntor 2025, Faktoje konstatoi se punimet nuk kishin përfunduar ende. Në verifikimin e fundit të atij viti, parku vazhdonte të ishte në ndërtim dhe mungonin elementë përfundimtarë, ndërsa FSHZH kishte parashikuar përfundimin brenda nëntorit.

Përfundimi

FSHZH konfirmon se punimet kanë përfunduar dhe verifikimi në terren tregon se parku është praktikisht i realizuar. Objekti nuk i është dorëzuar ende zyrtarisht Bashkisë Durrës. Kontraktori po kryen ndërhyrje për riparimin e dëmtimeve të konstatuara pas përfundimit të punimeve.

Për këtë arsye, premtimin e kryetares së Bashkisë Durrës për ndërtimin e Parkut Urban në Spitallë do ta vlerësojmë si premtim të mbajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Artikulli paraprakE manipuluar kjo rrahje me shuplaka e ekipit turk pas humbjes ndaj Italisë
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.