Nga Jona Cenameri
Gjashtë gazetarët, Mohamed Ashraf Abu Emeira, Abdallah Qadry, Islam Barakat, Omar Helal, Mohamed Mahmoud dhe Mohamed Adel, përbëjnë të gjithë ekipin redaksional të Matsadaash.
Ata u arrestuan gjatë operacioneve të forcave egjiptiane të sigurisë mes mbrëmjes së 28 dhe 29 shtatorit 2026 në disa zona të Egjiptit.
Sipas Egyptian Initiative for Personal Rights (EIPR), avokatët e së cilës përfaqësojnë të gjashtë gazetarët, gjatë bastisjeve u sekuestruan telefona dhe kompjuterë, përfshirë pajisje të familjarëve.
Organizata deklaroi më 30 shtator se nuk ishin paraqitur urdhra arresti apo kontrolli dhe se gazetarët nuk kishin mundur të kontaktonin familjarët ose ekipin e tyre ligjor.
Ky nuk është rasti i parë kur një gazetar i Matsadaash përballet me arrestim. Në gusht 2023, redaktori Karim Asaad u arrestua gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tij dhe u lirua rreth 48 orë më vonë.
Situata e lirisë së medias në Egjipt vijon të ngrejë shqetësime: sipas Committee to Protect Journalists (CPJ), përpara arrestimit të ekipit të Matsadaash, 19 gazetarë të tjerë ndodheshin pas hekurave në vend.
Sindikata e Gazetarëve kërkon lirimin e tyre
Sindikata e Gazetarëve të Egjiptit njoftoi më 30 shtator se kishte paraqitur një ankesë në Ministrinë e Brendshme dhe një raport te Prokurori i Përgjithshëm, duke kërkuar lirimin e gjashtë gazetarëve të Matsadaash, sqarimin e arsyeve të arrestimit dhe bërjen publike të vendit ku mbaheshin.
Sipas deklaratës së sindikatës, njëri prej gjashtë gazetarëve është anëtar i saj. Kreu i saj, Khaled Elbalshy, udhëzoi departamentin ligjor të ndiqte çështjen dhe deklaroi se sindikata do të përdorte mjetet ligjore dhe profesionale në dispozicion për lirimin e tyre.
Eman Ouf, drejtuese e Komitetit të Lirive, deklaroi për Al Manassa se mbështetja ligjore do t’u ofrohej kolegëve pavarësisht nëse ishin apo jo anëtarë të sindikatës.
Ministria akuzon Matsadaash, ajo i hedh poshtë pretendimet
Më 1 tetor, Ministria e Brendshme e Egjiptit foli publikisht për arrestimet për herë të parë. Ajo e cilësoi Matsadaash si një faqe “të palicencuar” dhe të menaxhuar nga jashtë vendit dhe pretendoi se platforma ishte pjesë e një strukture mediatike të lidhur me Vëllazërinë Myslimane.
Sipas Ministrisë, të arrestuarit përgatisnin materiale që ajo i cilësoi si “lajme të fabrikuara” dhe i dërgonin për publikim në këmbim të financimit nga jashtë. Ministria tha se arrestimet ishin kryer pas procedurave ligjore.
Pak orë më vonë, Matsadaash i hodhi poshtë publikisht këto akuza. Platforma argumentoi se gjatë tetë viteve të funksionimit ka publikuar qindra verifikime edhe ndaj informacioneve të rreme të shpërndara nga media dhe figura të lidhura me Vëllazërinë Myslimane dhe deklaroi se nuk ka lidhje me asnjë organizatë politike.
Matsadaash kundërshtoi gjithashtu pretendimin se drejtohet nga jashtë, duke thënë se ekipi i saj përbëhet nga gazetarë egjiptianë që jetojnë dhe punojnë në Egjipt. Platforma hodhi poshtë edhe pretendimet për lidhje politike të gazetarëve dhe për financim të paligjshëm nga jashtë.
Sipas deklaratës së saj, tre prej gazetarëve që janë aktualisht të arrestuar i ishin nënshtruar kontrolleve nga autoritetet rreth tre vjet më parë, pas arrestimit të një ish-kolegu, pa iu provuar lidhje me ndonjë organizatë politike apo financim të huaj.
Matsadaash deklaroi gjithashtu se gazetarët paguhen me kontrata pune dhe përmes sistemit bankar egjiptian, dokumentacion që, sipas saj, mund të verifikohet nga autoritetet.
Ndërkohë, sipas Mada Masr, pas publikimit të deklaratës së Ministrisë, avokati Islam Salama nga EIPR tha se gjashtë gazetarët ende nuk ishin paraqitur para Prokurorisë së Lartë të Sigurisë së Shtetit dhe se vendndodhja e tyre vazhdonte të mos ishte bërë e ditur.
81 organizata dhe media kërkojnë lirimin e tyre
Më 30 shtator, The Tahrir Institute for Middle East Policy (TIMEP) publikoi një thirrje të përbashkët të firmosur nga 81 organizata, media dhe rrjete ndërkombëtare, të cilat kërkojnë lirimin e menjëhershëm të gjashtë gazetarëve dhe ndalimin e veprimeve kundër Matsadaash.
Mes firmëtarëve janë International Fact-Checking Network (IFCN), Committee to Protect Journalists (CPJ), Reporters Without Borders (RSF), International Consortium of Investigative Journalists (ICIJ), OCCRP, Human Rights Watch, ARTICLE 19, Full Fact, PolitiFact, Global Voices dhe Electronic Frontier Foundation, krahas organizatave të tjera të medias, të drejtave të njeriut dhe fact-checking.
Organizatat e konsiderojnë arrestimin e të gjithë ekipit të Matsadaash një përshkallëzim shqetësues ndaj medias së pavarur dhe lirisë së shprehjes në Egjipt dhe u kërkojnë autoriteteve lirimin e gjashtë gazetarëve.
Faktoje, si pjesë e komunitetit të IFCN, solidarizohet me kolegët e Matsadaash dhe i bashkohet thirrjes për garantimin e të drejtave të tyre dhe lirimin e gjashtë anëtarëve të redaksisë.






