Tri mesazhet e Von der Leyen për Shqipërinë

Von der Leyen vlerësoi hapjen e grupkapitujve të fundit të negociatave por tha se puna duhet të vazhdojë.

9

Kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve, ndërsa rikonfirmoi angazhimin e qeverisë për të avancuar me ritëm intensiv negociatat.

Në konferencën e përbashkët me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Rama e cilësoi “kënaqësi dhe privilegj” pritjen e saj në Tiranë, ndalesa e parë e turit të saj në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk e di ekzaktësisht pse ky tur nis gjithmonë nga Tirana, por dua të besoj që fillon nga A-ja”, tha Rama, duke shtuar se vizita e Presidentes së Komisionit dhe delegacionit të saj ka “shumë përmbajtje pozitive” në raport me objektivat e përbashkëta.

Rama vuri theksin te faza ku kanë mbërritur negociatat e anëtarësimit.

“Dua të konfirmoj edhe njëherë publikisht vullnetin tonë të hekurt për të çuar përpara të gjitha punët e një procesi që ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve”, deklaroi Rama.

Ai tha se synimi është që përpara fundit të këtij viti puna të vazhdojë intensivisht me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve të hapur.

Rama u ndal edhe te Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke deklaruar se Shqipëria ka arritur “disa objektiva jashtëzakonisht ambiciozë”. Sipas tij, ky mekanizëm përbën mbështetje jo vetëm financiare, por edhe për integrimin gradual të rajonit, pa pritur përfundimin e procesit të anëtarësimit.

Rama deklaroi se në ditët e ardhshme qeveria do të publikojë të gjithë dokumentacionin për projektin e Zvërnecit përmes platformës “Pasqyra”, një nismë që synon të rrisë transparencën dhe informimin e publikut. Sa i përket përpjekjeve të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit Rama tha se sot sipaa tij sistemi është në luftë me fenomenin që dikur ishte sistem vetë.

‘Çështja e Vlora Hysenit t’i lihet në dorë gjykatës’

Rama është pyetur edhe për situatën e krijuar pas arrestimit të shefes së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni dhe nëse dhënia e informacioneve sensitive te Ergys Agasi, një person në kërkim nga drejtësia, ka cenuar sigurinë kombëtare.

Rama deklaroi se çështja duhet t’i lihet në dorë gjykatës, ndërsa hodhi poshtë interpretimet e bazuara në materiale hetimore të bëra publike.

Rama theksoi se deri tani Shqipëria nuk ka marrë një shqetësim të tillë nga partnerët ndërkombëtarë lidhur me situatën pas arrestimit të Hysenit dhe dyshimeve se ajo i ka dhënë informacione Agasit.

Ndër të tjera, ai theksoi se pret që hetimi dhe procesi gjyqësor të vijojnë pa ndërhyrje dhe se rezultati do të përcaktohet në fund të procesit.

Mesazhet e Von der Leyen për Shqipërinë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se sipas saj Shqipëria ka bërë “progres të jashtëzakonshëm” në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se objektivi i anëtarësimit tashmë është i dukshëm.

“Mesazhi im i parë është shumë i thjeshtë. Mendoj se objektivi është në horizont. Shqipëria është ndër vendet më të avancuara në procesin tonë të anëtarësimit”, tha Von der Leyen.

Ajo vlerësoi hapjen e grupkapitujve të fundit të negociatave dhe mbylljen në korrik të tre kapitujve të parë, duke nënvizuar veçanërisht përafrimin e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

“Ne e shohim botën me të njëjtët sy”, tha Von der Leyen, duke shtuar se anëtarësimi “nuk do ta bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe Bashkimin Evropian më të fortë”.

Megjithatë, Presidentja e Komisionit theksoi se puna duhet të vazhdojë. 

“Mesazhi im i dytë: nevojiten reforma të mëtejshme në të gjithë kapitujt e hapur. Miratimi i reformave është i rëndësishëm, por është po aq e rëndësishme të plotësohen tërësisht. Kjo kërkon angazhim të vërtetë, përtej ndasive politike”.

“Mesazhi im i tretë ka të bëjë me rezultatet e planit tonë të rritjes. Ne sjellim investime të BE-së në Shqipëri, hapim disa pjesë të tregut tonë të përbashkët. Në të njëjtën kohë ju miratoni dhe merrni reformat e nevojshme. Shqipëria po ecën shumë mirë sa i përket planit të rritjes: keni përmbushur mbi 80 përqind të hapave të reformave”.

Ajo veçoi edhe anëtarësimin në SEPA, duke thënë se tarifat e transaksioneve në Shqipëri kanë rënë me më shumë se 90%, si dhe negociatat për uljen e tarifave roaming.

Në fund, von der Leyen theksoi se zgjerimi është një proces me dy drejtime dhe se edhe vetë BE-ja duhet të përgatitet për pranimin e anëtarëve të rinj. 

Javën e ardhshme, tha ajo, Komisioni do të paraqesë rishikimet e politikave para zgjerimit dhe udhërrëfyesit për kandidatët më të avancuar, mes të cilëve përfshihet Shqipëria.

“Anëtarësimi do të mbetet gjithmonë i bazuar në meritë, por i bazuar në meritë nuk do të thotë i ngadalshëm”, deklaroi von der Leyen.

Protesta

Pak metra më tutje kryeministrisë, një grup qytetarësh u mblodhën në protestë. 

Policia e Shtetit vendosi një kordon sigurie te ura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të penguar kalimin e protestuesve drejt Kryeministrisë. 

Me thirrjet “polici e krimit” dhe “arrestoni Ramën”, protestuesit u përplasën me policinë. 

Turi jashtë Shqipërisë

Më pas me 1 tetor, presidentja e Komisionit Evropian do të vijojë vizitën në Kosovë, ku do të takohet me presidenten në detyrë, Albulena Haxhiun, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Në të njëjtën ditë, ajo do të udhëtojë drejt Malit të Zi, ku do të zhvillojë takime me presidentin Jakov Milatoviç dhe kryeministrin Milojko Spajiç.

Turneu do të përfundojë të premten në Maqedoninë e Veriut. Atje, von der Leyen do të takohet me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski. Në këtë tur nuk janë përfshirë Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. 

Sipas njoftimit, dy vendet janë lënë jashtë itinerarit për shkak të zgjedhjeve të ardhshme që do të zhvillohen atje.