Shqipëria tërësisht e varur nga mishi i importit

Konsumatori i pambrojtur mbi çmimin dhe cilësinë

29

Nëse ju thonë se mishi që po blini apo po konsumoni është produkt vendas, mos i besoni kaq lehtë.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria importon si mish të paketuar dhe kafshë të gjalla. Fermeri shqiptar punon në ferma të vogla, me numër të kufizuar krerësh dhe si rrjedhojë ka rendiment të ulët e kosto të lartë.   

Ekspertët theksojnë për Faktoje së sot është thelbësore të kemi një sistem kontrolli që na lejon të provojmë se çdo ngarkesë mishi që hyn në Shqipëri është e sigurt. Shqiptarët sot paguajnë për një produkt mbi të cilin nuk ka transparencë dhe informacion.

Brazili mbetet furnizuesi me i madh i mishit për vitin 2024, me 28.5 milionë dollarë, i ndjekur nga SHBA me 10.6 milionë, Greqia me 10.5 milionë dhe Italia me 10.1 milionë dollarë.

Sipas të dhënave të përpunuara nga eksperti i lartë i bujqësisë Ilir Pilku, në vitin 2025 importet e mishit të freskët dhe të ngrirë arritën rreth 193.8 milionë dollarë, ndërsa importet e kafshëve të gjalla ishin rreth 56.5 milionë dollarë.

Në vitin 2024, Shqipëria importoi 93.201 gjedhë të gjalla, me vlerë rreth 35.9 milionë dollarë. Pjesa më e madhe erdhi nga Rumania, Hungaria, Serbia dhe Greqia.

“Në vende si Brazili, Polonia, Italia, Greqia apo Holanda, prodhimi realizohet në ferma dhe komplekse shumë më të mëdha. Për këtë arsye, mishi i importuar, veçanërisht mishi i ngrirë dhe pjesë të veçanta anatomike, penetrojnë në Shqipëri me çmime që fermeri vendas e ka të vështirë t’i konkurrojë”, thotë Pilku për Faktoje.al.

Pilku thotë për Faktoje se pjesa më e madhe e gjedhit shqiptar mbahet për qumësht. Prodhimi i mishit vjen në një masë të konsiderueshme nga viçat meshkuj të fermave qumështore ose nga lopët në fund të ciklit prodhues.

“Kjo do të thotë se Shqipëria nuk ka ndërtuar ende një sektor të specializuar të gjedhit për mish Fermerët operojnë kryesisht në ferma të vogla, me numër të kufizuar krerësh, dhe rendiment të ulët”, thotë ai.

Çmimi mund të rritet me rreth 300-400 lekë

Nga 3 shtatorik, Shqipëria ndërpreu importet nga Brazili, pasi Bashkimi Europian e ka përjashtuar Brazilin nga lista e vendeve te autorizuara.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka kërkuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) që të marrë të gjitha masat e nevojshme për informimin e operatorëve që importojnë mish gjedhi dhe mish shpendësh nga Brazili, pas ndryshimeve të fundit në rregullat e Bashkimit Evropian.

Ky kusht përcaktohet në Urdhrin e Ministrit nr. 294, datë 13 qershor 2006, “Për importin e mishit nga Republika Federale e Brazilit”. Sipas shkresës së Ministrisë, Rregullorja Zbatuese e Komisionit Evropian (BE) 2026/1189 ka ndryshuar Rregulloren (BE) 2021/405, duke sjellë kufizime të reja për përdorimin e disa produkteve antimikrobike mjekësor

Kufizimi i këtij burimi furnizimi pritet të ndikojë gjithashtu në zinxhirin e tregtimit dhe, sipas përfaqësuesve të sektorit, të sjellë rritje të çmimeve të mishit në tregun vendas, pasi importuesit duhet të gjejnë burime alternative.

Në këtë situatë, Shoqata e Blegtorëve i është drejtuar qeverisë me shtatë kërkesa për mbështetjen e sektorit, mes tyre heqja e akcizës për naftën dhe rialokimin e fondeve.

Nëse boshllëku i krijuar nga kufizimi i importeve braziliane nuk zëvendësohet shpejt nga burime të tjera, presioni mbi çmimet mund të rritet.

Sipas operatorëve të tregut, çmimi i mishit të viçit mund të rritet me rreth 300-400 lekë për kilogram, duke u tregtuar në nivele prej rreth 1.600-1.700 lekësh për kilogram.

Mishi mund të jetë pjesë e 160 produkteve që do të përfshihen në “Pasqyrën e Çmimeve”, platforma e re e monitorimit të çmimeve që pritet të bëhet aktive në fillim të tetorit. Megjithatë, lista përfundimtare e produkteve nuk është bërë ende publike, ndaj mbetet për t’u parë nëse dhe cilat kategori mishi do të përfshihen në të.

Resuli: Cilësia e mishit varet nga origjina dhe kontrollet, jo nga fakti që është i importuar

Ervin Resuli, nga Shoqata e Mbrojtjes së Konsumatorit, thotë pwr Faktoje se fakti se mishi është i importuar nuk do të thotë domosdoshmërisht se është i një cilësie më të dobët.

Sipas tij, Shqipëria importon kryesisht nga stabilimente të miratuara nga BE-ja dhe një mish i ardhur nga një sistem veterinar i kontrolluar mund të jetë plotësisht i sigurt për konsum.

Cilësia, shpjegon Resuli, lidhet me origjinën e mishit, standardet e stabilimentit ku është therur apo përpunuar, mënyrën si është ruajtur e transportuar dhe kontrollet që i bëhen për patogjenë, mbetje të barnave veterinare apo kontaminantë të tjerë.

Për Resulin, rëndësi ka edhe mënyra se si kontrollohet mishi përgjatë gjithë këtij zinxhiri.

“Çdo ngarkesë duhet të shoqërohet me certifikatë veterinare dhe të vijë nga një stabiliment i autorizuar, ndërsa në kufi kryhen kontrolle dokumentare, verifikohet identiteti i ngarkesës dhe, në bazë të riskut, bëhen kontrolle fizike dhe merren mostra nga AKU.

Kontrollet lidhen edhe me temperaturën dhe zinxhirin frigoriferik, ndërsa analizat laboratorike mund të verifikojnë praninë e patogjenëve, mbetjeve të barnave veterinare dhe substancave të tjera”, thotë ai për Faktoje.

Sipas tij, ky kontroll duhet të vazhdojë edhe pas hyrjes së mishit në vend, përmes mostrave në treg dhe gjurmueshmërisë së produktit nga origjina deri te pika e shitjes.

Po kur mishi shitet si shqiptar?

Nëse një kafshë importohet e gjallë dhe më pas theret në Shqipëri, konsumatori duhet të ketë informacion të qartë se çfarë nënkupton origjina e produktit që po blen.

Në Bashkimin Europian, për kategori të caktuara mishi, rregullat e etiketimit përcaktojnë informacionin që duhet t’i jepet konsumatorit për origjinën e produktit.

Në Shqipëri, ndërkohë, sistemi i identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve është një nga bazat për gjurmueshmërinë, ndërsa Resuli thotë se dokumentet e certifikimit të mishit parashikojnë kërkesa për shenjën e identifikimit dhe atë shëndetësore, kriteret mikrobiologjike dhe kontrollin e mbetjeve.

“Pra, pyetja më e rëndësishme nuk është ‘a është mishi i importuar i mirë?’, por: ‘A kemi një sistem kontrolli që na lejon të provojmë se çdo ngarkesë mishi që hyn në Shqipëri është e sigurt?’”, vëren Resuli.

Si duhet ndërhyrë?

Për Ilir Pilkun, zgjidhja nuk është mbyllja e tregut ndaj importeve, por krijimi i një sektori vendas që mund të konkurrojë.

“Një nga propozimet është një program kombëtar për gjedhin e mishit, me kryqëzim të kontrolluar të racave vendase dhe qumështore me raca të specializuara për mish, si Limousin, Angus, Hereford apo Simmental.

Kjo do të synonte rritjen e ritmit të shtimit në peshë, muskulaturës dhe rendimentit të karkasës, duke ruajtur përshtatshmërinë e kafshëve me kushtet shqiptare”, thotë ai.

Mbështetja, sipas Pilkut, duhet të lidhet jo vetëm me numrin e kafshëve në fermë, por me kafshët e lindura dhe të rritura në Shqipëri, kilogramët e mishit të dorëzuar në mënyrë formale, cilësinë, gjurmueshmërinë dhe kontratat me thertoret e përpunuesit.

Në këtë model, objektivi nuk do të ishte thjesht të rritej numri i krerëve, por të krijohej një zinxhir ku mund të thuhet me dokumente se nga cila fermë vjen mishi, ku është therur dhe si ka mbërritur te konsumatori.

“Shqipëria nuk mund ta mundë importin vetëm me çmim, por mund të konkurrojë me mish të freskët, origjinë të garantuar, cilësi dhe identitet territorial”, vëren ai.

Kush e furnizon tryezën shqiptare?

Pesha e importeve ndryshon sipas llojit të mishit.

Sipas të dhënave nga eksperti Pilku, të vëna në dispozicion për Faktoje.al, për vitin 2025, rreth 38.857 tonë mish shpendësh u importuan gjatë këtij viti.

Pas tyre vjen mishi i gjedhit të ngrirë me rreth 21.495 tonë, ndërsa mishi i derrit të ngrirë arrin rreth 7.821 tonë.

Për mishin e deleve dhe dhive, importi është më i ulët, rreth 1 mijë tonë.

Të dhënat ndërkombëtare konfirmojnë peshën e madhe të furnizimit të huaj.

Në 2024, për të gjithë kapitullin e mishit dhe të brendshmeve të ngrënshme, Brazili ishte furnizuesi më i madh i Shqipërisë, me 28.5 milionë dollarë, i ndjekur nga SHBA me 10.6 milionë, Greqia me 10.5 milionë dhe Italia me 10.1 milionë dollarë.

Pas një kurbe rënëse prej disa vitesh, prodhimi vendas i mishit shënoi një rritje të lehtë në 2025.

Sipas INSTAT, prodhimi i mishit në peshë të gjallë arriti në rreth 133.6 mijë tonë, 2.5% më shumë se një vit më parë.

Megjithatë, kjo rritje vjen pas një periudhe disa-vjeçare rënieje, duke e lënë prodhimin vendas ende përballë një tregu ku importet zënë një peshë të rëndësishme.