Vlora Hyseni nën masë sigurie, SHISH përballë krizës së besimit

Nga “arresti shtëpiak” i ish-drejtoreshës, te dyshimet për rrjedhje informacioni të klasifikuar. A është dëmtuar deri tani institucioni dhe reputacioni i SHISH para publikut?

13
Vlora Hyseni, largohet nga GJKKO pasi iu caktua masa e sigurisë "arrest në shtëpi"

Vendimi i GJKKO-së për të lënë në “arrest shtëpie” ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e ka kaluar çështjen nga një episod i rëndë gjyqësor, në një problem të drejtpërdrejtë institucional për SHISH-in.

Gjykata ka vendosur gjithashtu ndalimin e publikimit, tërësisht ose pjesërisht, të vendimit gjyqësor deri në përfundim të hetimeve paraprake.

Hyseni po hetohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”, në kuadër të hetimit për lidhjet e saj me biznesmenin Ergys Agasi.

Në të njëjtën dosje, GJKKO ka caktuar masa sigurie edhe për persona të tjerë të dyshuar se kanë ndihmuar Agasin gjatë periudhës kur ai ishte në kërkim.

Por ajo që e bën veçanërisht të rëndë çështjen, është pozicioni që mbante.  

Ajo ishte në krye të institucionit që ka për detyrë të mbledhë, analizojë dhe mbrojë informacionin që lidhet me sigurinë kombëtare.

Pikëpyetje

Dhe pikërisht këtu lind pyetja më e madhe: sa është dëmtuar realisht SHISH?

Deri tani, përgjigjja nuk mund të jepet me një shifër dhe as nuk mund të thuhet se kapacitetet operative të shërbimit janë dëmtuar në një masë të caktuar.

Hetimi duhet të përcaktojë se çfarë informacioni është nxjerrë, sa i klasifikuar ka qenë ai informacion, kujt i është komunikuar dhe nëse rrjedhja ka prodhuar pasoja konkrete për operacionet e SHISH-it.

Nëse një drejtues i një shërbimi inteligjent dyshohet se ka nxjerrë informacion të klasifikuar jashtë kanaleve institucionale, atëherë problemi nuk kufizohet vetëm te përgjegjësia individuale e personit nën hetim.

Lindin dyshime për mekanizmat e kontrollit, sigurinë e informacionit dhe filtrat që duhet të parandalojnë që të dhënat sensitive të largohen nga sistemi.

Besimi i thyer

Edhe më sensitive është çështja e besimit me partnerët ndërkombëtarë, sepse SHISH nuk funksionon i izoluar.

Shërbimet inteligjente shkëmbejnë informacion dhe bashkëpunojnë me struktura homologe.

Megjithatë, deri tani nuk ka të dhëna publike të mjaftueshme për të thënë se çfarë informacioni të partnerëve ndërkombëtarë, nëse ka pasur të tillë, është komprometuar.

Pyetja që mbetet pas zhvillimeve të sotme nuk është vetëm nëse Vlora Hyseni do të mbajë përgjegjësi penale.

Por edhe nëse SHISH ka mekanizmat e nevojshëm për të garantuar se një rast i tillë nuk mund të përsëritet, pavarësisht se drejtuesi mund të zëvendësohet apo se institucioni mund të riorganizohet.

Tensione në Kuvend

Gjatë ditës, seanca plenare e Kuvendit u shoqërua nga tensionet pas skandalit të SHISH.

Pavarësisht se demokratët kërkuan futjen e kësaj çështje për debat urgjent, socialistët e rrëzuan këtë kërkesë.

Kryedemokrati Sali Berisha e akuzoi Hysenin si “shërbëtore të Vuçiç dhe të Ramës” ndërsa paralajmëroi se në hetime ishin edhe disa zyrtarë të lartë socialistë.

Berisha thotë se u shemb siguria kombëtare dhe se Hyseni çdo porosi e ka bërë me urdhër të Ramës. Ai theksoi se opozita po përgatitet për t’u përgjigjur me çdo mjet.

“Opozita oo përgatitet për të dhënë përgjigjet e merituara. Ky zhvillim është i denjë për çdo lloj përgjigje”, tha Berisha.

Akuzave të Berishësi u përgjigj socialisti Blendi Klosi, i cili e akuzoi demokratin se me deklaratat e tij po cënonte sigurinë kombëtare ndërsa pretendoi se socialistët nuk mbrojnë asnjë zyrtar nga përballja me drejtësinë.

Gjatë seancës, deputetët demokratë kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama, duke e akuzuar si përgjegjësin kryesor të asaj që quajnë kriminalizim të shtetit.

“Si mund ta ktheni një parti në organizatë kriminale? Si mund ta pranoni kokëulur që të vijë një ministër dhe të thotë s’ka ndodhur asgjë. Shërbimi Informativ i Shtetit, i ulur në prehrin e krimit të organizuar dhe ju thoni s’ka ndodhur asgjë”, tha Gazment Bardhi.

“Nuk mund të zhbëjmë dot me këtë sjellje atë krim të madh që është bërë me sigurinë kombëtare. Si është përzgjedhur? Si është bërë vettingu? Për çfarë arsye është shkarkuar kjo zonjë nga shërbimi informativ i Kosovës?”, tha Fatmir Mediu.

“Është një njollë për shtetin shqiptar. Të diskutojmë si është cenuar siguria kombëtare? I bëj thirrje vendeve anëtare të NATO-s, përfaqësive diplomatike të marrin informacion se çfarë ka ndodhur me sigurinë kombëtare”, deputetja tha Jorida Tabaku.