AADF lançon PENA, programin 9-mujor për zhvillimin profesional të gazetarëve të rinj

Programi 9-mujor përfshin trajnime të avancuara, një fellowship tre-mujor në SHBA dhe mbështetje për realizimin e projekteve individuale të gazetarisë.

10

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka lançuar në Tiranë PENA – Press Education & Newsroom Access, një program 9-mujor fellowship i dedikuar zhvillimit profesional të gazetarëve të rinj shqiptarë.

Programi u prezantua në Piramidën e Tiranës, në një aktivitet me përfaqësues të komunitetit të medias.

Sipas AADF, PENA është ndërtuar mbi tre komponentë kryesorë: edukimin profesional, një fellowship tre-mujor në Shtetet e Bashkuara dhe realizimin e një projekti individual gazetarie, me mentorim përgjatë gjithë programit.

Nga janari deri në mars, pjesëmarrësit do të ndjekin 48 orë trajnime të avancuara në fusha si etika në gazetari, metodat investigative dhe gazetaria në epokën e inteligjencës artificiale.

Më pas, nga prilli deri në qershor, ata do të zhvillojnë një fellowship pranë mediave në SHBA, ndërsa faza e fundit do t’u mundësojë realizimin e një projekti individual gazetarie, për të cilin do të ofrohen edhe mikrogrante për kërkim.

Në aktivitet, Drejtori Ekzekutiv i AADF, Martin Mata, tha se programi synon t’u krijojë gazetarëve të rinj mundësi konkrete për zhvillim profesional dhe përvojë ndërkombëtare.

PENA u drejtohet shtetasve shqiptarë nga 22 deri në 32 vjeç, me të paktën dy vite eksperiencë profesionale në gazetari, diplomë universitare dhe njohuri shumë të mira të gjuhës angleze.

Kandidatët duhet të paraqesin gjithashtu shembuj të punës së tyre gazetareske të realizuar gjatë dy viteve të fundit.

Aplikimet janë të hapura nga 21 shtatori deri më 1 nëntor 2026. Pjesëmarrja në të gjithë komponentët e programit do të mbështetet financiarisht nga AADF.