Aktori Al Paçino nuk ka gjetur besimin në fenë Islame

4

Pretendimi: Aktori Al Paçino është konvertuar në Islam dhe ka blerë një truall në Çair të Shkupit

Verdikti: E pakonfirmuar

———————————————————————-

Një postim i publikuar më 1 shtator 2026 nga një profil në Facebook në gjuhën shqipe pretendon se aktori i njohur Al Paçino është konvertuar në Islam. Postimi pretendon gjithashtu se aktori “ka blerë një truall në Çair të Shkupit”, ku do të ndërtojë një vilë me pamje nga “xhamia e Sulltan Pashës”.

Postimi nuk jep të dhëna të tjera që mund t’i mbështesin këto pretendime.

Fotoja e Al Paçinos në Mekë

Fotografia shoqëruese paraqet një burrë me tiparet e Al Paçinos, të veshur me ihram (veshja e bardhë rituale që veshin pelegrinët myslimanë gjatë Haxhit) dhe me një kapuç modern ngjyrë bezh në kokë, përpara Qabesë në Mekë.

Faktoje e kërkoi fotografinë me Google Lens, por rezultatet nuk çuan te ndonjë version i mëparshëm ose fotografi autentike e Al Paçinos në Mekë.

Faktoje e kontrolloi imazhin edhe përmes platformës AI or Not. Mjeti e klasifikoi atë si “Likely AI & Deepfake”, duke dhënë një probabilitet prej 97% për përmbajtje të gjeneruar me AI dhe 56% për manipulim “deepfake”. 

AI or Not

Në burimet ndërkombëtare nuk u gjet asnjë njoftim nga Al Paçino, përfaqësuesit e tij apo media të besueshme se aktori është konvertuar në Islam.

Përkundër këtij lajmi, në një intervistë të qershorit 2025 për Entertainment Weekly, Paçino tregoi se ishte rritur si katolik, por se feja ishte larguar gradualisht nga jeta e tij. Ai tha se vazhdonte të kishte një lloj besimi shpirtëror, por nuk njoftoi se i ishte bashkuar një feje tjetër. 

Edhe në kujtimet e tij Sonny Boy, të botuara në vitin 2024, Paçino shprehej se nuk ishte fetar, megjithëse besonte në ekzistencën e një force ose fuqie më të lartë. 

Faktoje ka verifikuar edhe më parë pretendime të rreme të të njëjtit profil për konvertimin në islam të kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe zëvendësit të saj Matteo Salvini.

Artikulli paraprakKjo shembje e xhamisë nuk ishte shkaku i përmbytjes në Nepal
Artikulli tjetërKy “top zjarri” nga qielli nuk ka lidhje me flakët në Shqipëri
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.