TVSH-ja 10% për fermerët, fati i tyre në dorë të grumbulluesve

Kompensimi kushtëzon fermerët me faturat dhe me shitjen te grumbulluesit e përpunuesit, ministri Petrit Malaj pranon problemet me faturat

16

Esmeralda Topi 

Kur prezantoi skemën e re të kompensimit të TVSH-së për prodhuesit bujqësorë, ministri i Financave, Petrit Malaj, e argumentoi atë si një mënyrë për të mbështetur fermerët dhe për të formalizuar sektorin bujqësor.

Por mënyra se si është ndërtuar skema vendos disa kushte për fermerët dhe po nxjerr “jashtë loje” fermerët e vegjël. Për të marrë kompensimin 10%, ata duhet të jenë të pajisur me NIPT pranë administratës tatimore, të kenë faturat që dokumentojnë shitjen e prodhimeve dhe t’ia kenë shitur prodhimet subjekteve të regjistruara për TVSH. 

2,397 aplikime deri në fund të korrikut

Të dhënat e Administratës Tatimore tregojnë se në Shqipëri janë të regjistruar 111,600 fermerë me NIPT. Por nga janari deri në fund të korrikut ishin regjistruar gjithsej 2,397 aplikime për kompensimin e  TVSH-së. Vlera totale e kërkuar nga fermerët arrinte në 587 milionë lekë, ose rreth 5.9 milionë euro. Nëse kjo shifër krahasohet me 111,600 fermerët e pajisur me NIPT, aplikimet përfaqësojnë vetëm rreth 2.1% të tyre.

Ndërkohë, autoritetet presin që vlera potenciale e kompensimit deri në fund të vitit të arrijë në rreth 13.8 milionë euro.

Pra, në fund të korrikut, fermerët kishin kërkuar më pak se gjysmën e shumës që administrata pret të kompensojë deri në fund të vitit. Afati i aplikimit vijon deri në fund të vitit dhe numri i aplikimeve mund të rritet. Por shifrat e deritanishme tregojnë një hendek të madh mes numrit të fermerëve të regjistruar dhe atyre që kanë arritur të hyjnë realisht në skemë. 

Problemi i faturave

Për të marrë 10% kompensim, fermeri duhet të dorëzojë kërkesën pranë tatimeve bashkë me autofaturat ku figuron NIPT-i i tij, si dhe numrin e llogarisë bankare. Afatet ndahen në dy periudha gjashtëmujore dhe administrata tatimore ka 30 ditë për të kryer pagesën. 

Thënë kjo. një nga kushtet kryesore për të përfituar kompensimin është dokumentimi i shitjes përmes faturës. Pikërisht këtu duket se skema po përballet me një nga problemet që ishte paralajmëruar që në fillim.

Më 28 korrik, ministri i Financave, Petrit Malaj, u bëri thirrje subjekteve grumbulluese dhe përpunuese që të vijonin të lëshonin faturat për fermerët.

“Ju bëj thirrje subjekteve grumbulluese dhe përpunuese që të vijojnë të lëshojnë faturat për fermerët pasi kemi shqetësime të marra nga ky grup për sa i përket marrjes së faturave” deklaroi Malaj. 

Me pak fjalë, sikurse u paralajmërua që në fillim fati i fermerit është në dorë të grumbulluesit apo përpunuesit. 

Kufizimi që u paralajmërua që në fillim

Problemi i faturimit nuk është i vetmi kufizim. Skema e re përcakton se kompensimi 10% lidhet me shitjet te subjekte të regjistruara për TVSH, si grumbulluesit, përpunuesit apo agroturizmat e certifikuara. Kjo e përjashton nga skema një pjesë të fermerëve të vegjël që shesin produktet e tyre në tregje, në pika të zakonshme shitjeje apo drejtpërdrejt te konsumatori.

Në këtë mënyrë, skema nuk i jep fermerit të drejtën të marrë kompensimin pavarësisht se ku e shet prodhimin. Përfitimi kushtëzohet nga kujt ia shet dhe nëse shitja dokumentohet sipas kërkesave të skemës.

Ky ishte një nga problemet e ngritura gjatë diskutimit të skemës së re për kompensimin e TVSH-së. Por qeveria e justifikoi mekanizmin me nevojën për formalizimin e sektorit. 

Përfundim 

Të dhënat e deritanishme nuk mjaftojnë për të deklaruar se skema ka dështuar. Afati i aplikimit nuk ka përfunduar dhe numri i përfituesve mund të rritet gjatë muajve në vijim. Por me të dhënat aktuale, vërtetohet se kufizimet e identifikuara si shqetësuese që në hartimin e skemës po shfaqen në praktikë.

Nga 111,600 fermerë me NIPT, vetëm 2,397 kishin aplikuar deri më 27 korrik. Ndërkohë, ministri i Financave pranon se fermerët kanë probleme me marrjen e faturave, një element thelbësor për të kërkuar kompensimin.

Pra, skema është aktive dhe po gjeneron aplikime, por deri tani ajo nuk ka arritur të përfshijë pjesën më të madhe të fermerëve që janë të regjistruar.