Tre vite pa fondet IPARD në bujqësi

Ministri i Bujqësisë Andis Salla premtoi çeljen e programit brenda qershorit, por fondet mbeten të pezulluara

32

Esmeralda Topi

Në fillim të vitit, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se fondet e programit IPARD III do të hapeshin brenda gjashtëmujorit të parë të vitit.

“Unë në datën 9 jam dhe në Bruksel bashkë me ekipin për të vazhduar hapat e mëtejshëm në mënyrë që ne brenda gjashtëmujorit të parë të vazhdojmë me çeljen dhe hapjen e këtij sektori kaq të rëndësishëm…” – premtoi Salla. 

Megjithatë, fondet IPARD III nuk u çelën dhe nuk ka pasur asnjë vendim të Komisionit Evropian që të autorizojë rifillimin e programit.

Çfarë tha Ministria pasi kaloi afati?

Në fillim të muajit korrik, pas përfundimit të afatit të përmendur nga ministri, Faktoje iu drejtua Ministrisë së Bujqësisë për të kuptuar mbi çfarë baze ishte bërë deklarata dhe në çfarë faze ndodhej procesi për rikthimin e fondeve IPARD në bujqësi.

“Deklarata e Ministrit mbështetet në vlerësimin e ecurisë së procesit të riakreditimit të masave të IPARD III dhe gatishmërinë e vazhdueshme të strukturave përkatëse të Bashkimit Evropian”, thuhet në përgjigjen zyrtare nga ministria e Bujqësisë.

Ministria nuk identifikoi (në përgjigje) asnjë vendim, shkresë apo komunikim zyrtar të Komisionit Evropian që të konfirmonte afatin e qershorit.

“Ministria është në komunikim të vazhdueshëm me Komisionin Evropian lidhur me procesin e delegimit të kompetencave për zbatimin e IPARD III. Objektivi ynë mbetet përmbushja e të gjitha kërkesave institucionale dhe teknike që do të mundësojnë çeljen e fondeve”, shtohet më tej.

Në përgjigjet zyrtare, institucioni konfirmon se Shqipëria kishte përditësuar dokumentacionin, kishte adresuar komentet teknike dhe po përgatiste procesin e auditimit, por procedurat vijonin ende dhe nuk rezultonte të ishte marrë vendimi për rifillimin e programit.

Me fjalë të tjera, ministria e Bujqësisë pranoi se premtimi i ministrit nuk ishte mbështetur në një konfirmim zyrtar të Komisionit Evropian.

Edhe vetë ministri Salla u detyrua të japë sqarime pasi kaloi qershori. Në një intervistë televizive në fillim të korrikut, ai nuk foli më për një datë konkrete të rikthimit të IPARD III, por e përshkroi procesin si ende në pritje të vlerësimit nga Komisioni Evropian.

“Për fondet IPARD jemi në një proces të vazhdueshëm me Komisionin Evropian. Javën e kaluar patëm në komisionin për fondet IPARD dhe jemi në fazën përfundimtare ku kemi bërë të gjithë detyrat që na janë kërkuar dhe jemi në fazën përfundimtare të vlerësimit”, deklaroi ministri.

Një histori afatesh të shkelura

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet shqiptare shpallin një afat për hapjen e IPARD III. Që prej pezullimit të programit në vitin 2023, qeveria ka dhënë disa herë afate për rikthimin e fondeve, ndërsa Komisioni Evropian ka përsëritur se procesi varet nga përmbushja e kushteve dhe nuk ka një datë të përcaktuar për rifillimin e programit.

Edhe për afatin e fundit të dhënë nga ministri Andis Salla, “Faktoje” paralajmëroi se ai nuk mbështetej në një konfirmim zyrtar nga Brukseli. Në atë kohë, çdo pritshmëri për hapjen e programit brenda një periudhe të përcaktuar konsiderohej një parashikim i njëanshëm i autoriteteve shqiptare dhe jo një datë e konfirmuar nga pala evropiane.

Më tej, pak javë pas deklaratave të qeverisë shqiptare për një rikthim të afërt të fondeve, Komisioni Evropian konfirmoi për Faktoje se procedura me autoritetet shqiptare ishte ende në zhvillim dhe se nuk ekzistonte një afat i përcaktuar për rifillimin e programit IPARD III

Sipas Komisionit, vijonin diskutimet për përmbushjen e masave korrigjuese dhe vendosjen e mekanizmave të nevojshëm për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian. 

Pse u pezullua IPARD?

Programi i mbështetjes në bujqësi IPARD ofron grante në ndihmë të sektorit bujqësor për të gjitha vendet që janë në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Shqipëria është një prej pesë vendeve përfituese të mbështetjes me grante.

Shqipëria përfitoi mbi 71 milionë euro grante gjatë periudhës 2014–2020 përmes IPARD II. Ndërsa vendi priste nisjen e programit IPARD III me rreth 146 milionë euro financim, në korrik 2023 Komisioni Evropian pezulloi fondet pas dyshimeve për parregullsi dhe korrupsion në administrimin e skemës. Vendimi u mbështet edhe në gjetjet e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).

Prej tre vitesh, autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë një sërë masash për përmbushjen e kërkesave të Komisionit Evropian, përfshirë auditime, rishikim të procedurave dhe përgatitjen për riakreditimin e strukturave që administrojnë fondet.

Megjithatë, vendimi për rikthimin e programit mbetet në duart e Komisionit Evropian dhe deri më tani nuk është shpallur asnjë datë zyrtare për rifillimin e IPARD III.

Përfundim

Ministri i Bujqësisë Andis Salla premtoi publikisht se fondet IPARD III do të hapeshin brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Afati ka kaluar dhe fondet nuk janë hapur.

Përgjigjet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë për “Faktoje” si dhe komunikimi zyrtar me Komisionin Evropian rrëzojnë premtimin e ministrit, duke konfirmuar se procedura vijon dhe nuk ka një afat zyrtar për rifillimin e programit.

Për këto arsye, premtimi për rikthimin e fondeve IPARD III brenda qershorit, e kategorizojmë premtim të pambajtur.