Nga Fetah Salliu
Më 9 qershor, një grup ekspertësh: Kristaq Kume, Andi Tepelena, Edlira Çepani, Rezarta Caushaj, Edmond Çata, Etleva Merko, Gerta Meta, Ilir Aliaj, Rigels Xhemollari dhe Silvana Bello zyrtarizuan nismën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
Si hap i parë, nismëtarët dorëzuan pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për t’u pajisur me ‘Fletën tip’, dokumentin zyrtar që u mundëson nisjen e procesit të mbledhjes së nënshkrimeve, plot 20 mijë firma.
KQZ-ja më tej miratoi “fletën tip” dhe i dha afat 3 muaj nismëtarëve për mbledhjen e firmave.
Sipas nismëtarëve, projektligji është rezultat i diskutimeve, mendimeve dhe propozimeve të shoqërisë civile me qëllim krijimin e kushteve sa më efektive për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në vendin tonë.
Por cilat janë kërkesat që synojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor ?
Kërkesat e nismëtarëve
Sipasekspertit për zgjedhjet Kristaq Kume, disa nga kërkesat kryesore për të ndryshuar Kodin Zgjedhor janë: “Ndarja e Shqipërisë në katër rajone zgjedhore dhe hapja 100 përqind e listave. Llogaritja e mandateve të bëhet me formulën Saint Lague e pastër ku herësi janë numrat tek 1,3,5,7,9 etj. Hapja 100 përqind e listave edhe për votimet e këshillit bashkiak. Gjatë zgjedhjeve të garojnë disa kandidatë të pavarur në një zonë me ‘Listën qytetare të kandidatëve’. Një kërkesë tjetër është depolitizimi i administratës zgjedhore, KZAZ-së, KQV-së dhe Grupeve të Numërimit, me qytetarë të trajnuar dhe çertifikuar ose avokatë, juristë, noterë etj. Numërimi i votave për rezultatet e zgjedhjeve gjithashtu propozohet të bëhet në qendrat e votimit”
Një risi tjetër është kërkesa që personat me aftësi të kufizuar dhe të sëmurët me pamundësi lëvizje të votojnë nga shtëpia (nëpërmjet kutisë së lëvizëshme).
Kërkohen gjithashtu kritere më shtrënguese për shitblerjen e votës.
Nga kërkesat e nismëtarëve synohet më shumë hapësirë në media për kandidatët e pavarur dhe subjektet politike, por edhe mbështetje me financime publike.
Së fundmi, kërkohet më shumë punë nga KQZ-ja për monitorimin, kontrollin dhe transparencën në financimin e partive politike.
A ka nisma lidhje me protestën?
Disa media e kanë lidhur këtë nismë me protestën.
Titujt e artikujve “Protesta prek Kodin Zgjedhor” krijuan një ide përvetësimi dhe kontrolli të protestës, sa kohë që zyrtarizimi lidhej me periudhën kur po zhvillohej intensivisht protesta.

“Fakti që në të njëjtën periudhë ka marrë zhvillim edhe protesta qytetare është një rrethanë e pavarur nga kjo nismë dhe nuk mund të përdoret si argument për të vënë në dyshim legjitimitetin apo qëllimin e saj”, Kristaq Kume
“Fakti që në të njëjtën periudhë ka marrë zhvillim edhe protesta qytetare është një rrethanë e pavarur nga kjo nismë dhe nuk mund të përdoret si argument për të vënë në dyshim legjitimitetin apo qëllimin e saj. Përkundrazi, nëse nismëtarët do të tërhiqeshin nga ushtrimi i një të drejte kushtetuese vetëm për shkak të zhvillimit të një proteste publike, atëherë kontributi i shoqërisë civile në procesin e reformës zgjedhore, një proces që aktualisht po zhvillohet me intensitet të konsiderueshëm do të bëhej praktikisht i pamundur”, thotë Kristaq Kume.
Periudha e publikimit të nismës, përkoi me një kohë kur ende nuk ishin afishuar 5 kërkesat kryesore të protestës (në të cilën është edhe kërkesa për ndryshimet e Kodit Zgjedhor).
Sqarimi
Por referuar deklaratave të disa nismëtarëve, asgjë nuk ka lidhje me zhvillimet e protestës.
“Nisma nuk ka asnjë lidhje organizative, funksionale apo qëllimore me protestën që po zhvillohet aktualisht dhe nuk synon në asnjë formë që të ndërhyjë, të ndikojë apo ta instrumentalizojë atë. Por edhe pse protesta ka marrë zhvillim në të njëjtën periudhë është një rrethanë e pavarur nga kjo nismë dhe nuk mund të përdoret si argument për qëllimin e saj”, thotë eksperti Kristaq Kume.
Disa të tjerë e lidhin me faktin se disa prej nismëtarëve kanë dalë në protestë.

“Nisma dhe lista nuk ka lidhje me protestën qytetare”, Rigels Xhemollari
Një prej nismëtarëve, Rigels Xhemollari i Qëndresës Qytetare sqaron se: “Nisma dhe lista nuk ka lidhje me protestën qytetare dhe secili nga emrat e kësaj nisme përfaqëson organizata të ndryshme të cilat kanë kontribuar në zgjedhje”.

“Çdo nismë që synon të zgjerojë përfaqësimin politik, të krijojë kushte më të barabarta për konkurrimin zgjedhor dhe të rrisë transparencën e procesit zgjedhor duhet të trajtohet me rëndësishëm për interesin publik“, Edlira Çepani
Edlira Çepani, një tjetër firmëtare e nismës e cilëson protestën si “protestën e të gjithëve” dhe hedh poshtë zërat për lista organizatorësh. Për “Faktoje”, ajo deklaron se: ”Çdo nismë që synon të zgjerojë përfaqësimin politik, të krijojë kushte më të barabarta për konkurrimin zgjedhor dhe të rrisë transparencën e procesit zgjedhor duhet të trajtohet me rëndësishëm për interesin publik”.
Për nismëtarët ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor janë të domosdoshme për forcimin e demokracisë dhe për rritjen e standardeve të përfaqësimit politik.
Nisma me këto propozime ka nisur muaj më parë. “Kjo është një nismë e pavarur qytetare, puna për të cilën ka nisur rreth 5–6 muaj më parë nga një grup qytetarësh të angazhuar në çështjet e demokracisë përfaqësuese dhe reformës zgjedhore”, sqaron ndërkohë Kristaq Kume.
Efektet
Dhjetë pikat e propozuara nga nismëtarët nuk janë popozime të reja. Disa prej tyre janë diskutuar në studiot televizive, të tjerat janë publikuar në artikuj dhe janë debatuar midis partive politike.
Për shembull: Partia Demokratike dikur kërkonte hapjen e plotë të listave zgjedhore. Gjithashtu propozimi për krijimin e strukturës së posacme të KQZ-së për monitorimin dhe auditimin e financimit të partive politike ka qenë kërkesëe aktivistëve dhe studiuesve kohëmëparë.

“Nisma për ndryshimin e Kodit Zgjedhor është e rëndësishme sepse synon të eleminojë status-quon elektorale tek dy partitë e mëdha. Jam skeptik që partitë do të heqin dorë nga marrëveshja për rregullat dhe sistemin elektoral”, Klejd Këlliçi
Klejd Këlliçi si pedagog, ekspert dhe studiues i çështjeve politike deklaron për Faktoje se:
“Nisma për ndryshimin e Kodit Zgjedhor është e rëndësishme sepse synon të eleminojë status-quon elektorale tek dy partitë e mëdha. Jam skeptik që partitë do të heqin dorë nga marrëveshja për rregullat dhe sistemin elektoral. Por edhe nëse kjo do të ndodhi efektet do të jenë të vogla. Propozimet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor në parim kërkojnë të mundësojnë një garë të barabartë mes palëve përfshirë reduktimin e penalizimit që partitë e vogla kanë me formulën aktuale zgjedhore. Problemi kryesor i Shqipërisë është kontrolli që partia në pushtet ushtron ndaj administratës publike, lidhja e pashmangshme me interesa kriminale dhe ekonomike e më pas influenca ndaj votuesit. Pra këto janë elementë që mund të ndikojnë rezultatin, pavarësisht formulës elektorale”






