Narrativat që shoqëruan “Revolucionin Flamingo” në rajon

40
  • Protestat kundër projektit në Zvërnec nuk mbetën vetëm lajm i brendshëm shqiptar. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, ato u lidhën me narrativa të ndryshme: koordinim të pretenduar rajonal, financim të huaj, teori gjeopolitike, mbështetje të pretenduar për Albin Kurtin dhe video të rreme që nuk ishin filmuar në Shqipëri.

Nga Jona Cenameri

Çfarë i lidh protestat studentore në Serbi me protestat kundër projektit në Zvërnec?

Sipas tabloidit serb Informer, “një rol të rëndësishëm luajti edhe  gazetarja e Faktoje, Jona Cenameri”.  Por,  si? 

Në fund të qershorit, media serbe publikoi një artikull ku pretendonte se pjesëmarrja e Cenamerit (e vetmja gazetare shqiptare e pranishme) në Novi Pazar Youth Summit, raportimet e saj për protestat në Tiranë dhe postimet  (në llogarine e saj private) në rrjetet sociale ishin prova se ajo kishte luajtur rol në lidhjen e protestuesve shqiptare të “Flamingo Revolution” me të ashtuquajturit “bllokues” në Serbi (term i përdorur nga qeveria dhe media pro-qeveritare për studentët që organizojnë bllokada në protestat antiqeveritare të 2 viteve të fundit)

Kësaj narrative iu shtua një artikull i Cenamerit mbi “Revolucionin Flamingo” në Shqipëri tek “Faktoje”, aty ku ajo është gazetare, apo edhe raportimet mbi këtë çështje në rrjetet sociale   

Megjithatë pretendimet nuk shoqëroheshin me prova.

SafeJournalists Network reagoi për rastin, duke sqaruar se samiti ishte aktivitet rajonal i Youth Initiative for Human Rights Serbia për demokracinë, të drejtat e njeriut, lirinë e medias dhe bashkëpunimin rajonal. Sipas rrjetit, artikulli i Informer krijonte një narrativë të pabazuar duke lidhur në mënyrë spekulative pjesëmarrjen e gazetares në aktivitet, raportimin profesional dhe postimet publike.

Cenameri i ka hedhur poshtë pretendimet, duke sqaruar se ka marrë pjesë në samit si gazetare dhe folëse e ftuar, jo si organizatore protestash apo përfaqësuese e ndonjë lëvizjeje politike. 

Artikujt e publikuar për protestat tek Faktoje janë pjesë e punës së përditshme si gazetare prane kesaj organizate dhe kanë për qëllim raportimin e paanshëm dhe të bazuar në fakte mbi zhvillimet politike dhe shoqërore në Shqipëri. 

Raportimi mbi protestat në Tiranë përbën vetëm një pjesë të mbulimit të ngjarjeve aktuale në Shqipëri dhe mbi te gjitha kjo nuk nënkupton përfshirje apo mbështetje për palët e përfshira. 

Për pasojë “Faktoje” distancohet qartësisht nga çdo aludim, spekulim apo pretendim i pabazuar që synon të lidhë raportimet gazetareske të stafit të saj në emër të kësaj organizate, me organizimin, mbështetjen, koordinimin e aktiviteteve politike apo protestave, brenda ose jashtë Shqipërisë.  

Raportimet 

Rasti i Informer nuk ishte i vetmi. Monitorimi i raportimeve mediatike dhe postimeve në rrjetet sociale në vendet e Ballkanit Perëndimor tregon se protesta që nisi në Zvërnec u interpretua në mënyra të ndryshme pasi kaloi kufijtë e Shqipërisë. Në disa vende ajo u paraqit si pjesë e një rrjeti rajonal protestash të koordinuara, në të tjera u përdor për të ushqyer narrativa gjeopolitike apo debate të politikës së brendshme, ndërsa në disa raste u shoqërua me pretendime dhe video që më pas u verifikuan si të pavërteta nga organizata të pavarura të fact-checking-ut.

“Receta e bllokuesve” dhe rrjeti i financimit ndërkombëtar

Në Serbi, mediat Informer dhe Alo e paraqitën protestën shqiptare si pjesë të të njëjtit model me protestat studentore serbe. Në artikujt e tyre përdorej shprehja “blokaderski recept” (“receta e bllokuesve”), duke pretenduar se protestat në Tiranë po organizoheshin nga e njëjta infrastrukturë që, sipas tyre, kishte organizuar protestat në Serbi.

Një tjetër narrativë e përsëritur ishte ajo e financimit nga jashtë. Financimi shumëvjeçar i organizatave shqiptare mjedisore, si PPNEA dhe EcoAlbania, nga programe të BE-së, Bankës Botërore, CEPF apo donatorë ndërkombëtarë, u paraqit si provë e një operacioni politik të koordinuar, pa sjellë prova se këto fonde ishin përdorur për organizimin e protestave.

Protesta në Shqipëri u përdor edhe për të rikthyer në vëmendje debatin mbi projektin e Jared Kushner në Beograd. Artikujt argumentonin se protestuesit shqiptarë po përsërisnin të njëjtin model që, sipas tyre, kishte çuar në dështimin e projektit Trump Tower në Serbi, duke e kthyer protestën shqiptare në një argument të politikës së brendshme serbe.

Këtë narrativë e çoi më tej edhe kryeredaktori i Informer, Dragan J. Vučićević. Ai pretendoi se “në organizimin, përgatitjen dhe zhvillimin e demonstratave të dhunshme në Shqipëri marrin pjesë edhe disa nga Serbia”, duke shtuar se “shefat e tyre i lëvizin sipas nevojës”. Edhe për këtë pretendim nuk u paraqitën prova.

Nga krahasimet rajonale te teoritë gjeopolitike

Në Maqedoninë e Veriut, protesta shqiptare qarkulloi kryesisht përmes postimeve në rrjetet sociale, ku u përdor si krahasim për debatet e brendshme qytetare dhe mjedisore.

Në një postim pyetej pse shqiptarët po protestonin prej ditësh kundër dhënies së një ishulli familjes Trump, ndërsa maqedonasit nuk reagonin për liqenin e Treskës pranë Shkupit, që sipas autorit të postimit po i jepej biznesmenit Samir Mane. Në të njëjtën linjë, një tjetër postim i bënte thirrje qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të protestonin “si në Shqipëri” kundër korrupsionit dhe krimit.

Në postime të tjera, protesta shqiptare u përdor si shembull mobilizimi qytetar. Një prej tyre shkruante se “Shqipëria është në flakë” dhe përgëzonte shqiptarët që kishin dalë në rrugë kundër projektit të lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Postimi pretendonte se protestuesit “dogjën shtëpinë e kryeministrit”. Në fakt, pamjet që shoqëronin këtë pretendim nuk lidheshin me protestat e fundit për Zvërnecin, por me shpërthimet me molotov gjatë protestave të mëparshme të PD përpara Kryeministrisë.

Krahas këtyre krahasimeve, qarkulluan edhe narrativa spekulative. Një portal mediatik e paraqiste investimin e Jared Kushner si një dilemë mes “bumit ekonomik” për turizmin shqiptar dhe një “operacioni strategjik gjeopolitik” për kontroll ushtarak dhe energjetik të Adriatikut. Në tekst pretendohej se Sazani, për shkak të pozicionit pranë Ngushticës së Otrantos, mund të shërbente si pikë kontrolli për trafikun detar, tregtar dhe energjetik drejt Evropës Qendrore.

Një postim e lidhte projektin me Gazën, duke ironizuar se familja Trump, pasi nuk mund të ndërtonte një resort luksoz atje, kishte gjetur rrugën drejt Sazanit në Shqipëri. Ndërsa në një analizë me tone konspirative, projekti lidhej me Jared Kushner, familjen Trump, George Soros, “deep state”, Izraelin dhe “familje të fuqishme” përtej Atlantikut, duke pretenduar se pas debatit për Sazanin fshiheshin pazare të mëdha ndërkombëtare dhe interesa të fshehta.

Asnjë prej këtyre pretendimeve nuk shoqërohej me prova për një operacion gjeopolitik, kontroll ushtarak apo komplot ndërkombëtar pas protestave në Shqipëri.

“Duam Albin Kurtin”

Në Kosovë, narrativa mori një tjetër drejtim. Edhe pse vëmendja kryesore e mediave ishte e përqendruar te procesi zgjedhor, në disa profile dhe portale online u shpërndanë video nga protesta në Tiranë me mbishkrimin: “Duam Albin Kurtin” – brohorasin protestuesit në Tiranë, ose “Shqipëria po e thërret, duam Albin Kurtin”.

Në fakt, protesta nuk po brohoriste emrin e kryeministrit në detyrë të Kosovës. Thirrja që dëgjohet në video është “Ju erdhi fundi”, e drejtuar ndaj klasës politike në Shqipëri. Për shkak të ngjashmërisë në tingëllim, ajo u paraqit në këto postime si mbështetje për Albin Kurtin.

Ky pretendim nuk u raportua nga media profesionale në Shqipëri apo Kosovë, por qarkulloi kryesisht në faqe jozyrtare dhe rrjete sociale.

Video nga Spanja si “Flamingo Revolution” në Shqipëri

Në Mal të Zi, dezinformimi kryesor që qarkulloi lidhej me një video që pretendohej se tregonte turmën e “Flamingo Revolution” në Shqipëri.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale e paraqisnin videon si pamje të mijëra qytetarëve shqiptarë që kishin dalë kundër projektit turistik të lidhur me Jared Kushner. Në përshkrime përdorej edhe thirrja “Izrael, largohu! Toka jonë nuk është në shitje”, duke e lidhur protestën me narrativa kundër investimit të huaj dhe me pretendime për shitjen e tokës shqiptare.

Në fakt, videoja nuk ishte nga Shqipëria. Raskrinkavanje.me verifikoi se pamjet tregonin festimet e tifozëve të klubit spanjoll Deportivo de La Coruña, pas rikthimit të ekipit në La Liga. 

Protesta shqiptare me pamje nga Spanja dhe Polonia

Në Kroaci, një tjetër përmbajtje e rreme qarkulloi me mbishkrimin “Albania, protest against Trump’s investment”. Videoja, e shpërndarë në Facebook përbëhej nga dy pamje: një turmë pranë një plazhi dhe një grumbullim masiv në një shesh qyteti.

Sipas përshkrimit që e shoqëronte, pamjet tregonin protestat në Shqipëri kundër investimit të lidhur me Trump dhe Kushner. Por verifikimi i Faktograf.hr tregoi se asnjëra nga videot nuk ishte nga Shqipëria.

Pamja e parë ishte regjistruar në Galicia, Spanjë, gjatë festimeve të tifozëve të Deportivo de La Coruña, ndërsa e dyta në Krakov të Polonisë, gjatë një grumbullimi të tifozëve të Wisła Kraków. 

Një protestë, disa narrativa 

Nga Serbia në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi dhe Kroaci, protestat kundër projektit në Zvërnec u shoqëruan me pretendime të ndryshme: nga akuzat për koordinim rajonal dhe financim të huaj, te teoritë gjeopolitike, nxitja për reagim qytetar, keqinterpretimi i thirrjeve në turmë dhe përdorimi i videove që nuk ishin filmuar në Shqipëri.

Lajmi që doli nga Shqipëria u përshtat në rajon sipas çështjeve dhe debateve të brendshme të secilit vend.