Gen Z në protestë, qeveria shpërblen mbi 777 mijë pensionistë me 5 mijë lekë dhe afron indeksimin

Rama mohon çdo lidhje me protestat, ndërsa ekspertët e lexojnë kohën e ndërhyrjes si një reagim ndaj klimës së pakënaqësisë sociale

19
Foto ilustruese

Nga Esmeralda Topi

Pas një muaji protestash masive në bulevard, ku spikasin të rinjtë e gjeneratës Z, qeveria ndërmori një seri masash në favor të pensionistëve. Për herë të parë u vendos një bonus prej 5 mijë lekësh në mesin e vitit për rreth 777 mijë pensionistë, ndërsa u afrua me tre muaj edhe indeksimi i pensioneve.

Bonusi është një praktikë që qeveria e ka aplikuar prej vitesh, por zakonisht është shpërndarë në fund të vitit. Këtë herë, ai u dha në korrik me premtimin se do të ketë edhe për vitin e ri një tjetër. Sipas ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, fondet janë siguruar falë ecurisë së mirë të ekonomisë.

“Një bonus për pensionistët, ky do të jetë bonusi i verës me vlerë 5 mijë lekë, i cili do të jepet për 777,200 qytetarë”, deklaroi Ibrahimaj.

Qeveria vendosi edhe afrimin e indeksimit të pensioneve. Në vend që të kryhej në tetor, siç ishte parashikuar, indeksimi hyri në fuqi më 1 korrik.

“Kjo është bërë e mundur me një fond shtesë prej rreth 872 milionë lekësh”, deklaroi ministri i Financave, Petrit Malaj, pas mbledhjes së qeverisë.

Indeksimi prej 2.7% dhe bonusi prej 5 mijë lekësh nisën të shpërndahen më 1 korrik. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm ditën e parë bonusin e verës e tërhoqën mbi 33 mijë pensionistë.

Ne foto: Kryeministri Edi Rama ne takimin me pensionistet

Rama mohon lidhjen me protestat

Një ditë pas nisjes së shpërndarjes së bonusit, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me pensionistë, ku mohoi se vendimi ishte ndikuar nga protestat e javëve të fundit, njësoj siç kishte mohuar vitin e kaluar se bonusi kishte lidhje me zgjedhjet.

“Këta thonë që qeveria, Edi Rama, Partia Socialiste kapet pas pensionistëve se ata i ka kështu kollaj. Në fakt, të vetmit që i bien lapsit në Shqipëri janë pensionistët. Këta që i bien Instagramit me gisht, nuk e di deri në çfarë pike arrijnë të logjikojnë. Vjet ju thanë: ‘Bonusi i pranverës është për zgjedhjet’. Pastaj ju thanë: ‘Do jua rrisin, por nuk do ju japin bonusin e fundvitit”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, bonusi nuk lidhet me zhvillimet politike, por me angazhimin e qeverisë për të mbështetur pensionistët sa herë që e lejojnë financat publike.

“Një komponent që ne nuk e kishim parashikuar ishte rritja e të ardhurave nga rritja e çmimit të naftës. U rrit çmimi i naftës dhe, vetiu, u rritën edhe të ardhurat nga taksat. E gjithë ajo pjesë që erdhi nga rritja e çmimit për shkak të luftës do ta merrni ju, do ta marrin pensionistët”, tha Rama.

Megjithatë, edhe pse mohoi lidhjen mes bonusit dhe protestave, një pjesë e konsiderueshme e takimit iu kushtua pikërisht reagimeve ndaj tyre.

“Patjetër që ne po përpiqemi ta lexojmë si duhet mesazhin, sepse protesta nuk është vetëm ajo që thuhet. Protesta është edhe ajo që nuk thuhet, edhe për mirë, edhe për keq”, deklaroi kryeministri.

Vendim i mirë, por me lexim politik

Ekspertët e ekonomisë e mirëpresin mbështetjen financiare për pensionistët, por vlerësojnë se koha dhe mënyra e miratimit të saj e bëjnë të pashmangshëm interpretimin politik.

 “Një paketë e tillë fiskale miratohet përmes Aktit Normativ dhe në një moment tensionesh të dukshme shoqërore. Krijohet përshtypja se politika po reagon më shumë ndaj klimës së pakënaqësisë sesa ndaj një strategjie të qëndrueshme afatgjatë”, thotë Eduard Gjokutaj për Faktoje.

Sipas tij, bonusi prej 5 mijë lekësh dhe indeksimi me 2.7% përbëjnë një lehtësim të përkohshëm, por nuk adresojnë problemin strukturor të pensioneve.

“Në një moment kur debati publik kërkon më shumë transparencë, konsultim dhe besim institucional, përdorimi i mekanizmave të përshpejtuar vendimmarrës dhe shpërndarja e masave selektive mban gjallë perceptimin e një politike që menaxhon presionin social në vend që të adresojë shkaqet e tij”, argumenton ai.

Pensionet mbeten larg kostos së jetesës

Ekonomistja Irena Beqiraj kujton se gjatë 13 viteve të fundit politikat e qeverisë për pensionistët janë mbështetur kryesisht në tre instrumente: indeksimin sipas inflacionit, bonusin e fundvitit dhe rritja fikse prej 1,800 lekësh për pensionet e plota urbane nën 40 mijë lekë, si dhe 800 lekë për pensionet në zonat rurale nga ky vit.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht pensioni mesatar i pleqërisë është rreth 20,666 lekë në muaj në qytet dhe 12,107 lekë në muaj në fshat. 

“Në të njëjtën kohë, paga bazë e një deputeti në Kuvend arrin në 310,250 lekë në muaj, pa përfshirë dietat, shpenzimet e karburantit, telefonit dhe përfitimet e tjera.

Edhe duke marrë në konsideratë vetëm pagën bazë, raporti i saj me pensionin mesatar në qytet është rreth 15 herë më i lartë, ndërsa me pensionin mesatar në fshat arrin në 25 herë më i lartë”, argumenton Beqiraj.

Sipas saj, pensionistët përballen me një kosto jetese gjithnjë e më të lartë: çmime që, sipas Eurostat, janë 103.8% e mesatares europiane, shpenzime të konsiderueshme shëndetësore që paguhen nga xhepi, si edhe kosto për transportin, komunikimin dhe aksesin në plazhe publike.

“Këto të dhëna tregojnë që socialistët, edhe pse u lodhën duke punuar për pensionistët, kanë arritur të mendojnë vetëm për vete”, përfundon Beqiraj.

Përfundim 

Nisur nga të dhënat zyrtare dhe verifikimi i kryer, deklaratën e ministres Delina Ibrahimaj se ”ky do të jetë bonusi i verës me vlerë 5 mijë lekë, i cili do të jepet për 777,200 qytetarë”, e kategorizojmë të vërtetë.