Drejtuesi i SPAK -ut, Klodjan Braho, deklaroi në mbledhjen e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore se, korrupsioni zgjedhor nuk është akt i izoluar, por pjesë e një zinxhiri që lidhet me financimin, organizimin dhe përfituesit politikë. Hetimi, sipas tij, duhet të shtrihet te burimi i financimit, organizatorët, ndërmjetësit dhe përfituesit realë.
Propozimet
Për zgjedhjet e ardhshme, ai propozoi që fokusi të jetë te gjurma financiare, duke e parë shitblerjen e votës, favoret administrative, pagesat cash dhe mbështetjen logjistike si pjesë të një skeme të lidhur.
“Ato duhet të analizohen si pjesë e një zinxhiri që lidh burimin e parave, mënyrën e shpërndarjes, ndërmjetësit, zonën ku ushtrohet ndikimi dhe përfituesin politik ose elektoral të skemës”, tha ai.
Braho nënvizoi se bashkëpunimi ndërmjet SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezultoi një nga elementet më të rëndësishme të qasjes së vitit 2025.
“Prania e task-forcës së SPAK me mbulim kombëtar, e koordinuar me seksionet e posaçme të përkohshme të ngritura në çdo prokurori të juridiksionit të përgjithshëm nga Prokurori i Përgjithshëm, tregoi vlerë praktike”, tha ai.
Kompetencat
Braho sqaroi gjithashtu se, jo çdo shkelje zgjedhore është në kompetencën e SPAK dhe jo çdo parregullsi gjatë procesit zgjedhor përbën vepër penale.
Gjatë mbledhjes, anëtarja e PD-së në komisionin për zgjedhjet Albana Vokshi e pyeti kreun e SPAK nëse ka hetuar sistemin e patronazhimit, që sipas saj është ngritur nga PS për te vjedhur votën.
“Në Kodin Penal, nuk ka një vepër penale që të ndëshkojë penalisht patronazhimin, dhe aq më tepër të jetë kompetencë e SPAK. SPAK ka dy vepra penale, korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Nëse një funksionar ka shpërdoruar detyrën, nëse një person ka nxjerrë të dhëna personale është vepër tjetër penale që nuk është kompetencë e SPAK, por e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm”, tha ai.






