Nga protesta shqiptare tek narrativat e mediave amerikane 

Një vëzhgim mbi protestën që ka hyrë në ditën e 24-t dhe menyrën se si mediat amerikane e raportuan

17

Nga Barbara Halla 

Kur mijëra qytetarë dolën në rrugët e Tiranës për të protestuar fillimisht kundër një ndërtimi në Zvërnec, (nga një kompani e lidhur me Jared Kushner) në një zonë të njohur prej kohësh si një nga hapësirat më të ndjeshme mjedisore të Mesdheut, dhe më pas e zgjeruan kundërshtimin ndaj problemeve të brendshme të vendit, pak kush do ta kishte menduar se kjo histori, pasi kaloi Atlantikun, do të merrte një tjetër dimension

Protesta 24 ditore që po konkludon me kërkesa që kanë lidhje me qeverisjen dhe klasën politike në vend, në mediat amerikane u shndërruan në një kapitull të ri të debatit amerikan mbi Donald Trump dhe dhëndrrin e tij Jared Kushner, si dhe ndikimin e familjes Trump në biznes dhe politikat ndërkombëtare. 

Nga njëra anë, se si media amerikane e ka trajtuar çështjen tregon më shumë për debatet që dominojnë Shtetet e Bashkuara sesa për çfarë po ndodh në terren në Shqipëri.

Një nga karakteristikat më të dukshme të mbulimit mediatik ka qenë trajtimi i protestave në Shqipëri me fokus tek figurat Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Edhe kur raportimet trajtonin çështje si biodiversiteti i Nartës, statusi i zonave të mbrojtura apo procedurat administrative të qeverisë shqiptare, titujt pothuajse gjithmonë vendosnin emrin e Kushner në qendër, domosdoshmërisht për ta lidhur atë me çfarë po ndodh në SHBA. 

Për mediat amerikane pra, historia shqiptare nuk ishte thjesht një debat mbi ruajtjen e mjedisit apo turizmin vendor, por një shembull i asaj që kritikët e Trump e konsiderojnë bashkim të interesave private me ndikimin politik.

Raportimet e Reuters, të ripublikuara gjerësisht në media ndërkombëtare, e përshkruanin protestën si reagim ndaj një resorti luksoz të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar si shqetësimet mjedisore ashtu edhe mungesën e transparencës rreth projektit. Protestuesit paraqiteshin si kundërshtarë të një modeli zhvillimi ku investitorë të fuqishëm gëzojnë akses të privilegjuar tek qeveritë. 

Revista Vanity Fair e vendosi protestën brenda një narrative më të gjerë mbi pabarazinë, korrupsionin dhe ndikimin e elitave ekonomike. Në artikullin e saj, projekti përshkruhet si simbol i një sistemi ku interesat e qytetarëve të zakonshëm bien ndesh me interesat e aktorëve të fuqishëm financiarë dhe politikë.

Kjo qasje nuk është rastësore. Që prej mandatit të parë të Trump, Jared Kushner është kthyer në një figurë simbolike në debatin amerikan mbi nepotizmin dhe marrëdhëniet mes biznesit dhe politikës. Për këtë arsye, çdo investim i tij jashtë vendit ka potencialin të interpretohet jo vetëm si një projekt ekonomik e një figure të biznesit, por mbi të gjitha si pjesë e një problemi madhor në sistemin politik të SHBA-së (dhe atij global). 

Një aspekt tjetër interesant është mënyra se si disa media amerikane e paraqitën protestën si pjesë të rezistencës globale kundër elitave politike dhe ekonomike. 

Në një artikull të New York Times, gazetari Andrew Higgins vë në dukje  se si demonstruesit shqiptarë përshkruheshin si njerëz që po fitonin simpati nga amerikanë që i shihnin si “luftëtarë të guximshëm” kundër Trump, Izraelit dhe lakmisë së “1 për qindëshit,” pra të elitave globale. Ky formulim është domethënës sepse e vendos protestën shqiptare brenda gjuhës politike të lëvizjeve progresiste amerikane si Occupy Wall Street apo protestat kundër miliarderëve dhe korporatave të mëdha. Në këtë kuadër, Shqipëria bëhet pothuajse një skenë e largët ku projektohen konfliktet amerikane.

Megjithatë, Higgins ka dhënë edhe kritikën e tij, duke folur sesi media amerikane ose dhe perëndimore e kanë reduktuar një konflikt shqiptar në një histori rreth Trump-it dhe Kushner. 

Në diskutime publike dhe analiza të ndryshme është vënë re se fokusi mbi emrin e Kushner shpesh ka lënë në hije elementë të tjerë po aq të rëndësishëm: konfliktet e pronësisë në zonën e Zvërnecit, mosmarrëveshjet ligjore mbi tokën, mënyrën se si qeveria i kaloi vendimet apo ndryshoi ligjet, akuzat për klientelizëm dhe pakënaqësinë më të gjerë ndaj klasës politike shqiptare.

Në fakt, ndërsa për publikun amerikan emri Kushner është elementi më i njohur i historisë, për shumë protestues shqiptarë ai përfaqëson vetëm një pjesë të problemit. Kjo është arsyeja pse një pjesë e mediave më të kujdesshme kanë shmangur interpretimin e protestës si anti-amerikane, edhe përse në protesta ekzistojnë pankarta që bëjnë thirrje kundër shitjes së Shqipërisë. 

NPR, PBS dhe media të tjera kanë vërejtur se protestuesit nuk po kundërshtojnë Shtetet e Bashkuara si aleat strategjik, por mënyrën se si lidhjet politike dhe ekonomike mund të përdoren për të siguruar projekte të privilegjuara. Edhe në protestat më të mëdha janë dëgjuar slogane kundër korrupsionit, shitjes së pasurive publike dhe elitave politike vendase, jo kundër Amerikës si shtet.

Kjo ka krijuar një tension interesant në narrativën amerikane. Nga njëra anë, Shqipëria vazhdon të konsiderohet një nga vendet më pro-amerikane në botë. Nga ana tjetër, raportimet kanë evidentuar një ndjenjë zhgënjimi ndaj faktit që figura të lidhura me establishmentin amerikan po shihen si përfituese të një procesi të diskutueshëm. Pikërisht ky kontrast e ka bërë historinë tërheqëse për publikun amerikan. Nuk kemi të bëjmë me një protestë klasike kundër SHBA-ve, por me një protestë që përdor vlerat që vetë Amerika pretendon të mbrojë (si transparenca, demokracia dhe sundimin e ligjit) 

Në javët e fundit, ndërsa protestat janë zgjeruar dhe janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit dhe elitave politike, mbulimi ndërkombëtar ka filluar të ndryshojë ton. Mediat botërore kanë vërejtur se lëvizja po largohet gradualisht nga fokusi ekskluziv mbi resortin dhe po shndërrohet në një shprehje më të gjerë të pakënaqësisë ndaj sistemit politik shqiptar. Në fund, mënyra se si media amerikane e ka paraqitur këtë histori zbulon një fenomen të njohur: ngjarjet ndërkombëtare shpesh interpretohen përmes lenteve të debateve të brendshme amerikane. 

Protesta që në Shqipëri nisi si debat mbi territorin, mjedisin dhe transparencën, në Shtetet e Bashkuara u lexua si një histori mbi Trump, oligarkinë moderne, privilegjin politik dhe pushtetin e elitave globale.

Për të kuptuar plotësisht atë që po ndodh në jug të Shqipërisë, duhet parë përtej emrave të Trump dhe Kushner. Sepse ndërsa për mediat amerikane ata serviren si protagonistët kryesorë të historisë, për shumë shqiptarë ata janë vetëm fytyra më e dukshme e një problemi që në Shqipëri i ka rrënjët shumë më të thella.