Alma Sulaj
Menaxhimi i ri nga ndërmarrja publike e krijuar nga bashkia ka sjellë përmirësim në shërbimin e pastrimit, megjithatë, prova e vërtetë nis me dyfishimin e banorëve në muajt e verës. Ekspertët rekomandojnë një mentalitet të ri në planifikim dhe fokusin në një ekonomi qarkulluese.

Vlora është një qytet që jeton mes dy realiteteve: bukurisë së detit dhe sfidave të përditshme urbane. Në stinën e verës, kur shtohen mbi 300 mijë banorë dhe turistë, mbi dy herë më shumë se banorët që jetojnë gjatë dimrit, shërbimet e bashkisë gjenden përballë sprovave të vështira. Një prej këtyre shërbimeve është dhe pastrimi I qytetit.
Për të përmirësuar situatat kaotike të verave të kaluara, në dhjetor 2024 Këshilli Bashkiak Vlorë vendosi krijimin e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, duke ia hequr këtë shërbim kontraktorëve privatë. Menaxhimi i ri publik ka ndihmuar që qyteti të jetë më i pastër, të paktën në muajt e dimrit. Në disa zona të qytetit, pastrimi behet edhe tre herë në dite dhe vihet re përmirësim. Megjithatë, mjafton të largohesh nga qendra për të kuptuar se përmirësimi nuk është i njëjtë në çdo lagje e periferi. Pyetja që shtrohet në këto ditë të para të qershorit mbetet e njëjta: A do të jetë qyteti i pastër edhe në kulmin e fluksit turistik ?

Planifikimi mbi rezidentët apo turistët ?
Mes përmirësimit të dukshëm dhe problematikave të përditshme, Vlora lëkundet në dy realitete urbane. Raporti i Performancës së bashkisë Vlorë 2025 tregon një rënie të ndjeshme të numrit të popullatës së mbuluar me shërbimin e menaxhimit të mbetjeve, nga mbi 205 mijë banorë në vitin 2022 në rreth 135 mijë banorë në vitet 2023–2024.
Nga ana tjetër, Plani Vendor i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve paraqet shifra të tjera, duke projektuar rreth 140 mijë banorë për të njëjtën periudhë.
Sipas Aulona Veizit, ish-nënkryetare e Bashkisë Vlorë, mospërputhja mund të lidhet me përdorimin e burimeve të ndryshme statistikore. Regjistri Civil përfshin edhe emigrantët që figurojnë të regjistruar në Vlorë, ndërsa Censusi pasqyron popullsinë rezidente. Për një bashki turistike si Vlora, asnjëra prej këtyre shifrave nuk mjafton e vetme për të planifikuar këtë shërbimin. Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë përdorimin e treguesve korrigjues që kombinojnë të dhënat e Censusit me ato të Regjistrit Civil, duke krijuar një bazë reale për planifikimin e shërbimit. ( formula: Census + (Regjistri Civil Census) x 30%).
Pavarësisht metodologjisë së aplikuar, rekomandohet që sistemi i menaxhimit të mbetjeve duhet të planifikojë edhe rritjen e numrit të popullsisë gjatë verës, e cila në rastin e Vlorës përllogatitet se është dy herë më e lartë se popullsia rezidente.

Tabela: Parashikimi i popullsisë për Bashkinë Vlorë, 2022–2028

Problematikat në terren
Banorët japin opinione të ndryshme për cilësinë e shërbimit. Në lagjen “24 Maji”, qytetarët ankohen për mungesë pastrimi, pluhur dhe numër të pamjaftueshëm kontenierësh. Ndërsa ata në lagjet “Rilindja” dhe “Centrale”, pranojnë se mbetjet largohen rregullisht dy deri tre herë në ditë dhe se shërbimi është përmirësuar krahasuar me vitet e mëparshme. Njëri prej tyre, Bashkim Dine, banues në rrugën “Zenel Murra”, thotë se përveç largimit të mbetjeve, rruga pastrohet edhe me autofshesë. “Për larjen e asfaltit as nuk bëhet fjalë”, shprehet ai.

Një problem tjetër lidhet me bizneset që gjenerojnë sasi të mëdha mbetjesh. Administratorë supermarketesh, magazinash dhe aktivitetesh të tjera tregtare tregojnë se paguajnë tarifën e pastrimit, por shpesh detyrohen të paguajnë edhe shërbime private për largimin e kartonëve, ambalazheve apo pastrimin e hapësirave të tyre.
Florent Rushiti, pronar i rrjetit “Marketi Im” dhe i dy magazinave shumice në Vlorë, thotë se paguan rreth 100 mijë lekë në vit për pastrimin për një nga bizneset në ish-zonën industriale pranë Plazhit të Vjetër dhe nuk merr asnjë shërbim nga bashkia. Nga ana tjetër, Bashkia argumenton se shërbimet shtesë realizohen sipas kërkesave dhe kuadrit ligjor në fuqi. Kjo tregon se modeli aktual nuk arrin të mbulojë me shërbim subjektet që prodhojnë volume më të larta mbetjesh.

Mbetjet urbane voluminoze dhe ato inerte mbeten ndër problematikat më komplekse të qytetit, sidomos në një territor me ritëm të lartë ndërtimi dhe zhvillimi turistik.Qytetet e Vlorës dhe Orikumit si dhe fshati Radhimë janë përfshirë përgjatë dekadës së fundit nga një bum ndërtimi, i cili ka krijuar mbingarkesë të infrastrukturës dhe probleme në menaxhimin e mbetjeve të ngurta.

Ritmi shumë i lartë i aktiviteteve të ndërtimit ka shtuar ndjeshëm praninë e tyre, në hapësira publike dhe pranë pikave të grumbullimit. Bashkia nuk ka një shifër të përafërt të sasisë së mbetjeve inerte, të ndërtimit dhe prishjes, sasia e tyre luhatet dhe është e vështirë të përcaktohet në ditë, pasi varet nga volumi i lejeve të ndërtimit dhe dinamika e punimeve private. Ajo që dihet është se këto mbetje transportohen në vendgrumbullimin e inerteve që ndodhet në zonën e Jallisë në Nartë. Ky vendgrumbullim me sipërfaqe 12.6 ha ndodhet ne Zonën B të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë–Nartë.
Menaxhimi i ri publik përmirësim në qytet
Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, e krijuar në 13 dhjetor 2024, me vendim të Këshillit Bashkiak, ka ndikuar që të ketë një organizim më të mirë të punës dhe shtim të punonjësve në terren.
Të dhënat zyrtare të bashkisë, konfirmojnë se nga 158 punonjës në vitin 2024, kjo ndërmarrje ka aktualisht 306 punonjës pastrimi, të cilët operojnë 38 mjete teknike për realizimin e shërbimit. Per vitin 2026 te ardhurat e pergjithshme te Bashkise Vlore, nga te gjitha burimet e financimit jane parashikuar te jene 4.536 440 mije leke ( 4.54 miliardë lekë, ose afërsisht 44 milionë euro), ku shërbimi i pastrimit dhe gjelbërimit përthith rreth 17.23% të tij,ose afërsisht 782 milionë lekë (rreth 7.5 milionë euro), duke u renditur ndër zërat më të rëndësishëm të shpenzimeve vendore.Çdo familje paguan 53.3 lekë në muaj ( për pastrim-gjelberim- ndricim 275 e takse banese 258) , ndërsa bizneset, mbi 7 mijë të tilla në Vlorë, paguajnë sipas kategorisë, sipërfaqes dhe xhiros vjetore.
Plani i Menaxhimit të bashkisë flet për rreth 600 pika grumbullimi me afro 795 kontenierë në të gjitha Njësitë Administrative dhe rekomandon shtimin e rreth 300 kontenierëve të rinj për të përballuar zgjerimin urban dhe sezonin turistik.
Pa patur një të dhënë analitike për floten nga kjo bashki, Aulona Vezi drejtuese e projektit për Menaxhim të Integruar të Mbetjeve, Rajoni Vlorë, rekomandon nevojën për një rritje të mjeteve dhe kontenierëve për shërbim të standardizuar: 1115 kosha 1.1m3, 1114 kosha 50l, 100 kontenierëve depo për mbetje të riciklueshme, 24 mjete për pastrim (kamiona kompaktor, fadromë, kamion vetë-shkarkues, makina fshesë).
Kjo e dhënë është hartuar duke ju referuar këtij projeksioni:
Projeksioni i Gjenerimit te Mbetjeve, Bashkia Vlorë

Vera, prova e madhe për menaxhimin e ri
Sipas të dhënave të turizmit, Vlora rritet në këto muaj me 300 mijë banorë në muaj si pjesë e turistëve, por edhe vlonjatëve që nuk janë rezidentë. Nga një përllogaritje, duke u bazuar tek sasia e mbetjeve të përcaktuar në Planin e Menaxhimit Vendor, që mbetjet janë 1.1 kg në ditë për frymë, do të thotë se përgjatë një muaji, me 31 ditë, mbetjet shtohen 10.230 tonë, dmth 20,83 % e sasisë vjetore. Kjo përkthehet në më shumë mbetje, më shumë nevojë për kontenierë, më shumë mjete transporti dhe më shumë personel në terren. Një sistem i projektuar vetëm për popullsinë rezidente rrezikon të mos përballojë ngarkesën e sezonit turistik.
Sipas ish-nënkryetares së bashkisë, Aulona Veizi, sfidat me të cilat përballet qyteti gjatë verës kërkojnë forcimin e mekanizmave për menaxhimin e mbetjeve nga subjektet me prodhim të lartë, restorantet, hotelet, supermarketet dhe aktivitetet sezonale turistike. Sygjerimet, sipas saj, fokusohen tek aplikimi i kontratave të diferencuara sipas volumit të mbetjeve; tarifa sipas parimit “ndotësi paguan”; sisteme të dedikuara për kartonin dhe ambalazhet, por edhe detyrimi për ndarje në burim për subjektet me volum të lartë.

Niko Dumani nga Qendra e Nismave Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit rekomandon krijimin e pikave të posaçme për mbetjet urbane voluminoze dhe ato inerte, pika të cilat duhet të jenë të aksesueshme nga qytetarët dhe subjektet private. Paralelisht, thotë Dumani, duhet të forcohet kontrolli ndaj subjekteve ndërtimore dhe individëve që i hedhin në mënyrë rastësore këto mbetje përmes monitorimit në terren dhe aplikimit të gjobave administrative.
Rekomandimet të mëtejshme kryesore janë:
- Riorganizimi i orareve sipas fluksit sezonal.
- Ndarja e detyrueshme në burim për subjektet me volum të lartë.
- Krijimi i sistemeve të dedikuara për kartonin dhe ambalazhet.
- Ngritja e pikave të posaçme për mbetjet inerte dhe voluminoze.
- Nxitja e riciklimit dhe ripërdorimit sipas modeleve pilote në bashkinë Shkodër dhe Shëngjin.
Analiza e dokumenteve dhe vëzhgimi në terren tregojnë se Vlora ka bërë hapa përpara, por nuk ka strukturuar ende një sistem modern të menaxhimit të mbetjeve. Ajo funksionon si një sistem në tranzicion: pa ndarje në burim, riciklim efektiv dhe sisteme të qarta për bizneset e mëdha. Në këto kushte qyteti rrezikon që verës t’i mbetet vetëm imazhi i bukur i bregdetit, dhe jo ai i pastërtisë.







