50 mijë fermerë mbeten pa mbështetjen me naftë në kulmin e krizës

Skema e re 5,2 miliardë lekë, rrit subvencionet për lopët, bagëtitë dhe të mbjellat

48

Qeveria hoqi mbështetjen me naftë për fermerët në kulmin e rritjes së çmimeve, kur litri i naftës shitet mbi 200 lekë. Rreth 50 mijë fermerë përfituan nga kjo mbështetje vitin e kaluar, ndërsa sot shumë prej tyre shprehen të zhgënjyer. 

Esmeralda Topi 

Në kulmin e krizës së çmimeve të naftës, kur një litër karburant ka kapërcyer 200 lekët dhe mbetet një nga kostot më të rënda për çdo cikël prodhimi, qeveria ka vendosur të heqë mbështetjen për naftën falas për fermerët.

Një skemë që u prezantua në vitin 2021 si shpëtim për bujqësinë, u zhduk pesë vite më pas me një të rënë të lapsit. 

Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave, përmes Skemës Kombëtare të Bujqësisë 2026. Skema e këtij viti nuk e parashikon më furnizimin me karburant pa TVSH, akcizë dhe taksa të tjera. Në vend të saj, Ministria e Bujqësisë flet për një model të ri mbështetjeje, më “gjithëpërfshirës”.

“Skema e naftës në tërësi është një skemë e cila mbështet uljen e kostos së fermerit,” deklaroi ministri Andis Salla, duke theksuar se ajo ka evoluar ndër vite nga dhënie direkte në mbështetje financiare sipas standardeve të Bashkimit Europian.

Por sipas tij, ndryshimi i këtij viti synon më shumë.

“Skema e re është një skemë gjithëpërfshirëse,” tha ministri, duke argumentuar se fermerët do të mbështeten përmes një kombinimi masash, përfshirë subvencionet direkte dhe mekanizma të tjerë si autofaturimi i TVSH-së.

50 mijë fermerë të humbur

dhënat e vitit të kaluar tregojnë qartë peshën që kishte mbështetja për naftën në bujqësi. Në vitin 2025, rreth 65 mijë fermerë përfituan nga Skema Kombëtare, ndërsa 50 mijë prej tyre u mbështetën konkretisht me naftë falas.

Burimi: Ministria e bujqësisë (Dhjetor 2025)

Kjo e bën mbështetjen e naftës një nga instrumentet më të përdorura dhe më të prekshme për fermerët, pasi ndikonte drejtpërdrejt në një nga kostot bazë të prodhimit.

Sepse në bujqësi, nafta përdoret në çdo fazë të ciklit bujqësor. Nga përgatitja e tokës dhe mbjellja në pranverë, tek korrja gjatë verës dhe plugimet në vjeshtë. Në këtë kuptim, çdo rritje e çmimit të saj përkthehet menjëherë në kosto më të larta për fermerin.

“Nuk e di me çfarë guximi është marrë një vendim i tillë, pasi është jashtë çdo lloj logjike. Duhet ta themi që është hequr e vetmja skemë që mbështet (imputet) fermerin për të punuar tokën. Ishte ndihma e vetme që kishin fermerët”, thotë eksperti për bujqësinë Gjok Vuksani.

Skema e mbështetjes me naftë për fermerët nisi në 2021 me rreth 21 mijë aplikime, nga të cilat përfituan mbi 19 mijë fermerë dhe u shpërndanë 4.1 milion litra naftë. Ajo shërbeu edhe për formalizimin e sektorit, pasi përfitimi kushtëzohej me pajisjen e fermerit me NIPT.

Në vitet pasuese, kërkesa për naftë u rrit ndjeshëm.  Në 2022 përfituan rreth 34 mijë fermerë, ndërsa në 2023 dhe 2024 mbi 50 mijë çdo vit. Edhe vjet, mbi 50 mijë fermerë morën këtë mbështetje. Në total, për 5 vite, buxheti i shtetit ka shpenzuar rreth 87 milionë euro për të subvencionuar naftën për bujqësinë.

Fermerët të zhgënjyer

Rito Ahmataj, fermer nga Kafaraj i Fierit, nuk kishte dijeni për ndryshimet e fundit në skemën kombëtare.  Ai tregon për Faktoje se edhe mbështetja që ka marrë më parë ka qenë e kufizuar dhe e vonuar.

 “Para një jave mora këstin e dytë për vitin e kaluar. Se di si i bëjnë këto llogari… nga 1.5 ha mora 20 mijë lekë të reja” 

Sipas fermerit, problemi nuk ishte vetëm masa e ulët e përfitimit, por edhe koha e dhënies së parave. “Ata i jepnin paratë kur fermerët i kishin shpenzuar paratë… këto mbillen në pranverë, ata i japin në qershor-korrik” 

Për skemën e re Rito shprehet i pasigurt. “Gjithëpërfshirëse por i hiqet kryesorja nafta, kur litri ka shkuar 220 lekë” 

Madje ngre edhe dyshime për mënyrën e shpërndarjes. “Janë subvencionime të pakuptueshme dhe preferenciale për patronazhistët”

Në të njëjtën linjë me të, edhe fermeri Ahmet Kaloshi thotë se nuk ka përfituar as nga skema e mëparshme. “Unë personalisht nuk kam marrë edhe kur ishte nafta falas, aplikova dhe nuk përfitova. I kanë dhënë vetëm patronazhistëve”

Çfarë parashikon skema e re?

Skema e këtij viti parashikon një sërë ndërhyrjesh, kryesisht në blegtori, investime dhe praktika të reja në bujqësi.

Pragjet për përfitim janë ulur, duke synuar të përfshijnë më shumë fermerë. Për shembull, për të marrë subvencion për lopët, kërkesa minimale zbret nga 10 në 5 krerë, ndërsa pagesa rritet nga 10 mijë në 12 mijë lekë për kokë. E njëjta logjikë ndiqet për delet dhe dhitë, ku numri minimal përgjysmohet nga 100 në 50 krerë, ndërsa subvencioni rritet në 1500 lekë për krerë. Në bletari, kufiri zbret nga 50 në 25 koshere, ndërsa përfitimi rritet në 2 mijë lekë për zgjua.

Për herë të parë, skema përfshin edhe mbështetje për dosat, me 7 mijë lekë për krerë për fermerët që kanë të paktën 5 të tilla. Ndërkohë, për kontrollin biologjik të dëmtuesve, fermerët mund të përfitojnë deri në 70% të kostos së materialeve, me një tavan prej 40 mijë lekësh për dynym.

Një tjetër element i ri është mbështetja për të rinjtë që investojnë në bujqësi, të cilët mund të përfitojnë deri në 70% të vlerës së investimit, deri në 1 milion lekë.

Në total, fondi i skemës është rritur në 5.2 miliardë lekë, nga 4.6 miliardë që ishte një vit më parë. Por mbetet për t’u parë nëse kjo rritje dhe këto masa arrijnë të kompensojnë heqjen e një mbështetjeje që ndikonte drejtpërdrejt në koston bazë të prodhimit, siç ishte nafta falas.