Nga Fatbardha Nergjoni
Një auditim i realizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) për një vit kalendarik në bashkinë Elbasan ka evidentuar mangësi në procedurat e prokurimit publik dhe dëm ekonomik në disa kontrata të investimeve publike të realizuara nga bashkia në vitin 2023.
Raporti i auditimit nxjerr në pah probleme në dokumentacionin e tenderave, kontrollin e zbatimit të kontratave dhe mbikëqyrjen jo efektiveve të punimeve në terren.
Sipas të dhënave të auditimit, dëmi ekonomik i identifikuar arrin në rreth 990 mijë lekë ndërsa audituesit paralajmërojnë se dobësitë sistemike në kontrollin e projekteve publike mund të krijojnë humbje edhe më të mëdha në të ardhmen.
Mangësitë
Auditimi evidenton se në disa procedura prokurimi, dosjet e tenderave nuk përmbanin të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga ligji.
Në disa raste mungonin procesverbalet e plota të komisioneve të vlerësimit, analizat e kostos së projektit dhe justifikimi i vlerës së fondit limit.
Gjithashtu në disa kontrata nuk ishte dokumentuar qartë metoda e përzgjedhjes së operatorit ekonomik.
Sipas raportit të KLSH, këto mangësi krijojnë precedent për mungesë transparence, mundësi për favorizim të operatorëve ekonomikë dhe vështirësi për auditime të mëvonshme të procedurave.
Auditimi analizoi disa projekte publike dhe konstatoi raste kur bashkia ka kryer pagesa për punime, që nuk rezultojnë të realizuara sic janë projektuar në terren.
Sipas auditimit, në projektin për rikonstruksionin e shkollës artistike “Onufri” janë raportuar punime që nuk janë realizuar në terren.
Projekti përfshinte rikonstruksion të godinës ekzistuese, shtesë 4 kate dhe ndërtimin e një palestre.
Audituesit konstatuan diferenca në volumet e materialeve dhe punimeve të raportuara.
Sipas auditit, dëmi ekonomik i krijuar si pasojë është 364,495 lekë pa TVSH të përfshirë.
Raporti ka evidentuar edhe volume të tjera punimesh të pa realizuara në terren.
Kështu, në një projekt rikonstruksioni të disa rrugëve në lagjen “11 Nëntori” auditimi konstatoi mospërputhje mes volumit të punimeve të projektit dhe atyre të faturuara nga kontraktori, pasi në disa raste matjet në terren nuk përputheshin me situacionet e pagesave dhe dëmi sipas raportit rezulton në 156,075 lekë pa TVSH.

Lagja “5 Maji”
Auditimi analizoi edhe ndërtimin e linjës së kanalizimeve të ujërave të zeza në rrugët: “Arif Dardha” dhe “Xhaferr Belegu” ku sipas raportit janë faturuar volume punimesh më të larta se punimet reale me një dëm ekonomik prej 232,307 lekë pa TVSH.
Në një tjetër projekt për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në zonat informale u konstatuan punime të raportuara, por të parealizuara me dëm ekonomik prej 237,564 lekë pa TVSH.
Edhe pse totali i dëmit ekonomik është 990,441 lekë dëm ekonomik (pa TVSH), raporti identifikon edhe disa probleme strukturore në menaxhimin e investimeve publike që vënë në pikëpyetje kapacitetet teknike dhe menaxhuese të bashkisë Elbasan.
Auditimi konstaton mungesë të mbikëqyrjes teknike dhe verifikimit të punimeve para kryerjes së pagesave, në disa raste pagesat janë bërë bazuar vetëm në raportimet e kontraktorit, pa verifikime të plota në terren edhe mungesë koordinimi mes drejtorisë së investimeve, mbikëqyrjes së punimeve dhe strukturave financiare.
Sipas auditimit, edhe pse dëmi financiar i identifikuar është relativisht i kufizuar, problemi kryesor mbetet sistemi i dobët i kontrollit të investimeve publike.
FAKTOJE i dërgoi një kërkesë për informacion bashkisë Elbasan lidhur me masat e marra si përgjigje e raportit të fundit të KLSH, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka përgjigje zyrtare.
Interpelanca
Raporti i KLSH i publikuar në vitin 2025, u kthye në një interpelancë në Këshillin Bashkiak të Elbasanit.
Si kryesuese e grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike, Bjanka Çopja, kërkoi reagim nga bashkia Elbasan, por mbeti pa përgjigje.
“Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit konfirmon atë që ne kemi ngritur prej kohësh në Këshillin Bashkiak Elbasan: Bashkia Elbasan vuan nga një keqmenaxhim serioz i fondeve publike. Ajo që kryetari i bashkisë i quajti ‘vërejtje të mira’, në fakt në raport rezulton të jenë shkelje të rënda ligjore dhe procedurale,” u shpreh këshilltarja Çopja.
Ekspertët
Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se shifrat e dëmit janë vetëm një pjesë e problemit real.
Gentjan Sejrani, avokat dhe aktivist thotë për FAKTOJE se, problemi që nxjerrin në pah raportet e auditimit nuk lidhet vetëm me dëmin ekonomik të konstatuar, por mbi të gjitha me cilësinë e punimeve dhe procedurat e ndjekura në prokurime.
“Problemi kryesor është cilësia e punimeve dhe garancia që kompanitë fituese kanë kapacitetet dhe eksperiencën për të realizuar projekte të tilla. Kur anashkalohen dokumente që vërtetojnë këto kapacitete, rrezikohet jo vetëm investimi publik, por në raste të caktuara edhe siguria e qytetarëve,” thotë Sejrani.
Ai nënvizon se, raportet e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk marrin vëmendjen e duhur dhe nuk shoqërohen me masa konkrete.
Sipas tij, nevojiten ndryshime ligjore, që shkeljet e konstatuara të bëhen publike dhe të rritet llogaridhënia e institucioneve ndaj qytetarëve.
Kontrolli
“Kontrolli i zbatimit të kontratës është një nga çështjet më të errëta të prokurimit publik. Të gjitha parregullsitë apo shkeljet e një procedure sjellin pasoja pikërisht në këtë fazë, tek zbatimi dhe monitorimi. Kjo nuk lidhet vetëm me mbikëqyrjen e kontratës dhe objektit të saj, por edhe me sjelljen e mëtejshme të institucionit prokurues” thotë për FAKTOJE Aranita Brahaj, drejtuese e organizatës që administron të dhënat e hapura “Open Data” në Shqipëri.
“Nëse tenderi është fituar nga një kompani e favorizuar apo klienteliste, në këtë fazë favorizimi konvertohet në dëm publik. Nga ana tjetër, ky moment i procedurës është edhe më pak i ndriçuar. Edhe në rast se njoftimet e tenderit dhe vlerësimi publikohen online, monitorimi shpesh mbetet pa transparencë. Këtu dy aktorë kanë rëndësi kryesore në monitorim: Institucioni i Auditimit dhe Monitoruesit Civilë, që jetojnë në zonën ose bashkinë ku zbatohet kontrata. Raportet e KLSH jo vetëm që duhet të diskutohen në Këshilla të Njësive të Qeverisjes Vendore, por ato duhet të bëhen të qarta si pjesë e monitorimit dhe llogaridhënies”, vëren ajo.
Brahaj thekson se, duhet më shumë vëmendje nga ana e institucioneve vendore.
Ky shkrim publikohet në kuadër të konkursit vjetor “Fatos Baxhaku”, pjesë e nismës Truth Beyond Numbers, e zbatuar nga Faktoje përmes mbështetjes së programit MATRA të Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Pikëpamjet e shprehura në shkrime i përkasin autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.






