Nis rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me 5%, por me referencat e vjetra

Procesi me dy muaj vonesë dhe do zbatohet me çmimet e referencës së 2023, jo me çmime të reja tregu siç u premtua

52

Ka hyrë në fuqi rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me tatim 5%. Pas dy muaj zvarritje, procesi u zhbllokua por do të zbatohet mbi referencat e vitit 2023 dhe jo me çmimet e reja të tregut sikurse u premtua. Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA), propozon shtyrje me një vit të afatit të rivlerësimit, për shkak të muajve të humbur me zvarritjet proceduriale.

Esmeralda Topi

Vjeshtën e kaluar, ministri i Financave, Petrit Malaj, premtoi se procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me normë 5% do të fillonte nga 1 janari i këtij viti. 

“Metodologjia e re e llogaritjes së taksave vendore mbi pasurinë e paluajtshme, çmimet e reja të referencës dhe rivlerësimi do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2026,” premtoi Malaj gjatë një takimi me grupet e interesit.

Sipas Malajt, rivlerësimi me çmimet e reja të referencës do t’i jepte mundësi individëve dhe bizneseve për të vlerësuar pasuritë e tyre bazuar në vlerën e tregut, dhe për të kryer pagesat e taksave mbi këto vlera. 

Të njëjtim zotim, Malaj e përsëriti, edhe nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë.

“Jo pa qëllim, Ministria e Financave gjykoi që këto dy nisma të prezantoheshin paralelisht, në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë të kishin mundësi të përfitonin nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, duke i përafruar ato me vlerat e tregut, por nga ana tjetër do të kenë mundësinë ta kryejnë këtë rivlerësim me një normë më të reduktuar tatimore në masën 5% nga 15% që është aktualisht”, zotohej Malaj, gjatë diskutimit të projekt-buxhetit 2026. 

Rivlerësim me çmime të “vjetra”

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me 5% nuk nisi më 1 janar të këtij viti. Pas thuajse dy muaj zvarritje, Ministria e Financave publikoi udhëzimin që i hap rrugë zbatimit të rivlerësimit. Të hënën e 23 shkurtit, në Fletoren Zyrtare u publikua udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), që rregullon procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme për individët. 

Por, rivlerësimi do të bëhet me referencat që janë aktualisht në fuqi dhe jo me çmimet e reja të tregut sikurse u premtua. 

Në udhëzim thuhet se të drejtën e kryerjes së rivlerësimit e kanë të gjithë ata individë që kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri më 31 dhjetor 2026.

Mirëpo ekspertët e pasurive të paluajtshme thonë se koha e mbetur është e pamjaftueshme. 

“E para duhet theksuar se vajtën dëm 20 muaj, pasi procesi u lajmërua që në korrik 2024. Na u tha që do bëhet me çmime të reja tregu por është e vështirë për një treg që ka mangësitë e veta. Eksperienca tregoi që nuk mjafton 20 muaj”,  thotë për Faktoje Reinaldo Pipiria, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Shqiptare të Pasurive të Paluajtshme (NAREA). 

Nisur nga vonesat që shoqëruan proçesin, Pipiria propozon shtyrje me një vit të afatit të rivlerësimit.  

“Të shtyhet deri në dhjetor 2027 sepse nga 2026 dy muaj i humbëm. Kjo në mënyrë që procesi të jetë i plotë dhe të mbështesë kadastren fiskale, të kemi një rivlerësim të plotë”, argumenton më tej drejtuesi i Shoqatës të Pasurive të Paluajtshme. 

Referuar udhëzimit, i gjithë procesi do të realizohet online, me dy procedura, me ekspert të licencuar ose pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

6 mijë aplikime 

Prej kur qeveria lajmëroi publikisht nismën për të ulur tatimin, tregu i pasurive të paluajtshme u fut në ngërç. Qytetarët dhe bizneset bllokuan shitjet e pronave duke pritur që më parë të hyjë në fuqi ligji i rivlerësimit, për të mos paguar 15 për qind tatim, por 5 për qind.

“Unë di që janë 6 mijë aplikime që kanë qenë në pritje…”, argumenton Reinaldo Pipiria, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Shqiptare të Pasurive të Paluajtshme (NAREA). 

Nga ana tjetër, zvarritja prej thuajse dy vitesh që kur u lajmërua për herë të parë publikisht nisma, ka favorizuar ndërtuesit. Kjo sepse, në shitjen e parë, nga ndërtuesi tek qytetari, nuk aplikohet tatim mbi fitimin kapital, pasi nuk ka çmim blerje. Vetëm në rastin e shitjes së dytë, taksa fillon dhe merr diferencën mes çmimit të shitjes dhe atij të blerjes.

Shembull 

Një qytetar ka blerë një apartament në vitin 2018 për 80 mijë euro. Sot ai e shet pronën për 140 mijë euro. Diferenca prej 60 mijë eurosh konsiderohet fitim kapital. Me normën prej 15%, tatimi që duhet të paguajë është 9 mijë euro. 

Nëse qytetari zgjedh të bëjë rivlerësim dhe e çon vlerën e pronës nga 80 mijë euro në 140 mijë euro para shitjes, ai paguan tatim me normën e reduktuar 5%. Pra, 3 mijë euro. 

Pas këtij veprimi, vlera e re e pronës në dokumente bëhet 140 mijë euro. Kur qytetari e shet më pas pronën për 140 mijë euro, nuk ka më diferencë mes çmimit të shitjes dhe vlerës së rivlerësuar. Si rrjedhojë, nuk paguan më tatim shtesë mbi fitimin kapital.

Prapavijë 

Drafti për të ulur tatimin mbi fitimet kapitale përmes rivlerësimit të pronave u propozua nga ish deputetja socialiste Blerina Gjylameti në maj të 2024. Drafti i Gjylametit propozonte që biznesit dhe qytetarëve t’u jepej një tjetër mundësi të rivlerësonin pronat kundrejt një tatimi prej 3 për qind.

Propozimi mbeti sirtarëve të Kuvendit deri në muajin korrik të atij viti, kur kryeministri Edi Rama lajmëroi nismën publikisht. Por Rama saktësoi se taksa e rivlerësimit do të ishte 5 për qind, jo 3 për qind sa kishte propozuar Blerina Gjylameti. 

“Do të ndërtojmë një proces që rivlerësimi të jetë i hapur 1 vit, fund shtatori me fund shtatori dhe ndërkohë duhet të jetë e qartë dhe diçka tjetër, rivlerësimi i parë është bërë me 1%, i dyti me 3% i treti dhe i fundit me 5%,” deklaroi Rama më 17 korrik.

Por afati i dhënë nga kryeministri u shkel. Drafti nuk u miratua. Në vjeshtë, qeveria e pezulloi duke e shtyrë për vitin 2025.  

Asokohe si argument ministria e Financave tha se qeveria kishte plan për të rritur çmimet e referencave në të gjithë Shqipërinë dhe veçanërisht në zonat bregdetare të vendit.

Ndaj sipas ministrit të Financave, taksa e rivlerësimit do të miratohej pas rritjes së çmimeve të referencës në të gjithë territorin e vendit. Kjo do t’u jepte mundësi të gjithë qytetarëve me prona në bregdet apo pjesë të tjera të vendit të kishin mundësi rivlerësimi me çmimet e rritura të referencës.

Përfundim 

Nisur nga të dhënat e mbledhura dhe verifikimi i kryer, premtimin e ministrit të Financave Petrit Malaj se “çmimet e reja të referencës dhe rivlerësimi do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2026”, e kategorizojmë pjesërisht të mbajtur.