Taksa 10-vjeçare për arsimin në Tiranë, 9 shkolla të ndërtuara nga 17 gjithsej

Taksa mbyllet me një bilanc të paplotë, nga 17 shkolla të reja të premtuara, u ndërtuan vetëm 9

37
Nje shkolle ne ndertim ne zonen e Yzberishtit

Jona Cenameri Pas përfundimit zyrtar (në fund të vitit 2025), taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore në Bashkinë Tiranë mbyllet me një bilanc të paplotë. 

Nga 17 shkolla të reja të premtuara për t’u ndërtuar me të ardhurat e kësaj takse, janë realizuar vetëm 9, ndërsa 8 të tjera mbeten të parealizuara. 

Të dhënat zyrtare nga Bashkia Tiranë tregojnë se, ndonëse për një dekadë janë mbledhur miliarda lekë nga familjet dhe bizneset, objektivi fillestar për t’i dhënë fund mësimit me dy turne përmes ndërtimit të shkollave të reja nuk është përmbushur plotësisht.

Si nisi taksa?

Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore u miratua sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak (nr.59/2015) dhe nisi të aplikohej nga 1 janari 2016. 

Ajo mblidhej çdo muaj përmes faturës së ujit.

Ajo u prezantua si taksë e përkohshme, me një afat kohëzgjatjeje 7-vjeçar. Megjithatë sipas ligjit nr. 68/2017 për Financat e Vetëqeverisjes Vendore, një taksë, që është e përkohshme, nuk mund të aplikohet më shumë se 3 vite.

Taksa mbështetej në një studim fizibiliteti të hartuar nga vetë Bashkia, sipas të cilit të ardhurat e mbledhura nga taksa do të mjaftonin për ndërtimin e 17 shkollave të reja: 10 shkolla 9-vjeçare dhe 7 shkolla të mesme. 

Ky plan u prezantua si zgjidhje strukturore për mbipopullimin e shkollave dhe mësimin me dy turne në kryeqytet.

Megjithatë, pas përfundimit të afatit fillestar, Bashkia vendosi zgjatjen e taksës, deri në fund të vitit 2025, duke e kthyer një taksë “të përkohshme” në një barrë financiare prej një dekade për qytetarët. 

Çfarë u ndërtua?

Ndërtimi i shkollave u realizua përmes skemës së Partneritetit Publik-Privat (PPP), të ndarë në 4 lote.

Kontratat u lidhën në formën e koncesionit PPP të tipit PBOT (Design-Build-Finance-Maintain), ku kompania private angazhohej jo vetëm për projektimin, financimin dhe ndërtimin e shkollave, por edhe për mobilimin, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin e tyre. 

Sipas kontratës, periudha totale zgjaste 7 vite e 18 muaj: 18 muaj për ndërtimin e objekteve, 7 vite për mirëmbajtje, gjatë të cilave Bashkia do të shlyente investimin përmes pagesave periodike. 

Koncesionari përfitonte një marzh fitimi prej 6.28% në vit.

Kontrata për Lotin 1 u lidh në vitin 2018, kurse për Lotin 4 në vitin 2020.

Në Lotin “Tirana 1” u ndërtuan 5 shkolla sipas planit konkretisht: 

  • Shkolla 9-vjeçare “Vaçe Zela dhe Shkolla e mesme “Kristo Frashëri” (shkolla të bashkuara), në njësinë administrative nr.9, 
  • Shkolla 9-vjeçare “Andrea Stefani”, në njësinë administrative nr.11
  • Shkolla 9-vjeçare “Nënë Tereza” dhe Shkolla e mesme “John F. Kennedy” (shkolla të bashkuara), në njësinë administrative nr.11

Në Lotin “Tirana 4” u ndërtuan 4 shkolla sipas planit 

  • Shkolla 9-vjeçare “Bashkim Fino”, në njësinë administrative nr.2
  • Shkolla 9-vjeçare “Kiço Blushi” dhe Shkolla e mesme “Sevasti Qiriazi” (shkolla të bashkuara), në njësinë administrative nr.8, 
  • Shkolla 9-vjeçare “Luan Hajdaraga”, në njësinë administrative Dajt

Në Lotin “Tirana 2” asnjë nga 4 shkollat e planifikuara s’ka nisur të ndërtohet 

Në Lotin “Tirana 2” ishte parashikuar ndërtimi i 3 shkollave në njësinë Kashar (Yzberisht) dhe i 1 shkolle në njësinë administrative nr.7.

Në Lotin “Tirana 3” asnjë nga 4 shkollat e planifikuara s’ka nisur të ndërtohet 

Në Lotin “Tirana 3” ishte parashikuar ndërtimi i 2 shkollave në njësinë administrative nr.2, i 1 shkolle në njësinë administrative nr.5 dhe i 1 shkolle në njësinë administrative Farkë.

Sa para u mblodhën dhe si u përdorën ato?

Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë Tiranë, deri në përfundimin e taksës në fund të vitit 2025 janë arkëtuar gjithsej rreth 7 miliardë lekë (6,975,741,429 lekë) nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore. 

Kjo shumë është mbledhur përgjatë dhjetë viteve (2016-2025), nga familjet dhe bizneset që veprojnë në territorin e bashkisë në faturën e ujit.

Vitet2016201720182019202020212022202320242025
Shuma (në lekë)495,950,390681,927,166730,095,161699,773,149649,392,794756,967,278759,519,645689,610,468769,868,332742,637,046

Programin Buxhetor Afatmesëm 2026-2028, Bashkia Tiranë konfirmon se për projektin e 17 shkollave të reja: “janë realizuar 2 lote të projektit PPP dhe janë përfunduar 9 objekte arsimore, që i përkasin Loteve “Tirana 1” dhe “Tirana 4”, ndërsa dy lotet e tjera nuk janë zbatuar.

Në total, Bashkia pranon se janë marrë në dorëzim vetëm 9 nga 17 objektet arsimore të planifikuara fillimisht.

Shkollat e munguara

Në dy lotet e mbetura të projektit, “Tirana 2” dhe “Tirana 3”, ndërtimi i shkollave nuk ka nisur fare. Lotet përfshinin zona si Kashari (Yzberishti), njësia administrative nr.7, njësitë nr.2 dhe nr.5, si edhe Farka, zona që prej vitesh përballen me mungesë institucionesh arsimore dhe mbipopullim të shkollave ekzistuese. 

Për këto zona, Faktoje.al ka raportuar ndër vite për mungesën e shkollave.

Burime zyrtare pranë Këshillit Bashkiak i thanë Faktoje.al se brenda muajve mars-prill 2026 pritet të paraqitet një raport përfundimtar mbi ecurinë dhe zbatimin e taksës së përkohshme për arsimin, pas mbylljes zyrtare të saj në fund të vitit 2025.

Përfundimi

Pas përfundimit të taksës së përkohëshme për infrastrukturën arsimore në vitin 2025, Faktoje.al konstaton se premtimi për ndërtimin e 17 shkollave të reja përmes kësaj takse është pjesërisht i mbajtur.