Sebi Alla Në një monolog të gjatë, ku ngrinte pyetje dhe përgjigjej po vetë, kryeministri Edi Rama shfrytëzoi kohën e udhëtimit në makinë dhe më pas në zyrë, për të quajtur si “çmenduri” kërkesën e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë për rritje të pagës. Çështja është në Gjykatën Kushtetuese dhe magjistratët e dy shkallëve të gjyqësorit, në intepretim të ligjeve dhe disa VKM-ve, kërkojnë indeksim dhe përllogaritje të pagës në ndryshim të referencës, nga ajo e Presidentit tek nëpunësit e lartë të administratës publike.
Portofoli i kësaj kërkese shkon në rreth 37 milionë euro shtesë, shumë për të cilën gjyqtarët pretendojnë (në kërkesën e tyre depozituar gjykatës Kushtetuese) se është më e vogël se dëmet ekonomike dhe efektet negative të konstatuara çdo vit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në anën tjetër, kryeministri Rama tha se, “është e papranueshme dhe është e pagëlltitshme për t’iu imponuar Parlamentit dhe qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes, gjyqtarët me gjyq. Keni një arrogancë të një pushteti që ju e trajtoni si një pushtet të pakufizuar, si pushtet të pakontrolluar” .
Debati ndërkohë ka kaluar në interpretime ligjore dhe përplasje deklaratash mes kreut të qeverisë dhe shoqatës së gjyqtarëve.
Procesi
Në mars të këtij viti, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dërgoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të nenit 1 dhe 2 të ligjit nr. 33/2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Të dyja referencat që kërkohet rrëzimi, lidhen me paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 me pagën e Presidentit të Republikës”.
Kreu i kësaj shoqate, Erigert Pëllumbi, njëkohësisht edhe gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Kundë Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, tha për Faktoje.al se ajo që kërkohet nuk është rritje page, por kanë kundërshtuar përllogaritjen e gabuar të pagës së tyre. “Nuk bëhet fjalë për rritje, por për përllogaritje të gabuar të pagës me efekt uljen e saj, si pasojë e ndryshimit të referencës nga administrata publike te Presidenti i Republikës”, tha Pëllumbi.
Reagim, pas reagimi
“Kërkojnë 1800 euro rritje për gjyqtarin e Shkallës së Parë, 2000 euro rritje për gjyqtarin e Apelit dhe 3000 euro rritje për gjykatësit e SPAK, BKH. SPAK nuk i është bashkuar kësaj iniciative absurde dhe kjo i bën respekt natyrisht.
Këtu jemi, jemi në një situatë ku gjykatësit duhet të imponohen mbi parlamentin, mbi qeverinë, mbi dy pushtetet e tjera, duan të marrin rroga sipas mendimit të tyre”, tha Rama, mëngjesin e së martës. Pasditen e po së njëtës datë, në një qëndrim të gjatë reagoi edhe shoqata e gjyqtarëve duke i dhënë çështjes elementë të bollshëm nga të dyja palët në një “përplasje propagandistike”.
Shoqata e Gjyqtarëve mbajti qëndrim duke përdorur shpesh në deklaratë termin “keqbesim”; “histori recidivizmi”; “nëpërkëmbje e dinjitetit të magjistratëve”, “mungesë sinqeriteti”, apo “kërcënim publikisht”, të gjitha këto sipas saj nga ana e qeverisë, duke krijuar narrativën se qeveria ka vepruar me qëllim të keq dhe jo thjesht me vendime të diskutueshme juridike. “…ne nuk mund të heshtim përballë përbaltjes kryeministrore, publike, mediatike, tërësisht histerike, që synon të ndezë kundërshtitë në opinionin publik për një vendimmarrje dhe proces kushtetues që duhet të zhvillohet në sallën e gjykimit.
Në gjithë këtë fushatë qeveritare dhe të shumëzuar mediatikisht, të nxitur dita-ditës për të krijuar furinë populiste kundër një procesi gjyqësor kushtetues, duhet që të përmenden disa fakte historike, të cilat neglizhohen për t’u cituar, qëllimisht nga disa dhe nga padijenia e mirëkuptueshme e të tjerëve”, thuhet në qëndrimin e shoqatës së gjyqtarëve.
Rama
Kundërpërgjigjia e kryeministrit ishte e gjatë, edhe më “akuzuese” edhe më “populiste” dhe në doza të forta propagandistike.
Me ton akuzues, kreu i qeverisë e cilëson Shoqatën e Gjyqtarëve si “të paligjshme”, “arrogante”, “dokrra”, “gjakpirësit e sistemit” etj.
Një gjuhë e fortë emocionale që synon të diskreditojë kundërshtarin me pyetjet “kush jeni ju”? në paraqitjen në mënyrë indirekte si “arrogantë dhe jashtë rolit kushtetues”.
“…Thoni se ne ua kemi vështirësuar pozicionin financiar neve? Këto janë dokrra! Nxirrni një dokument. Deklaratat publike t’i bëni kur keni realisht momente kur ju cënohet pozicioni nga ndonjë forcë. Por kjo qeveri është garantja për jetën tuaj dhe punën tuaj. Ju jeni totalisht të pavarur. A jeni të paanshëm? Këtë duhet ta shikoni te vetja, jo të dilni në publik dhe të bëni fletërrufera”, mbajti qëndrim Rama. Bashkë me akuza, supozime, pikëpyetje të ngritura në çdo deklaratë kreu i qeverisë nuk linte pa theksuar se “reformën në drejtësi e ka bërë qeveria e tij”.
Argumentat juridikë
Përtej qëndrimeve të forta, sidomos nga kreu i qeverisë, i cili prej gati një viti ka nisur akuza ndaj prokurorisë dhe gjyqësorit, veçanërisht ndaj SPAK dhe GJKKO-së, ka një çështje juridike në Gjykatën Kushtetuese, që lidhet me trajtimin e pagave të gjyqtarëve. Ndonëse është bërë publike së fundmi dërgimi në kushtetuese çështja e “indeksimit të pagave” dhe ndryshimi i mënyrës së llogaritjes, “referencës”, pretendimet janë më të hershme.
Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 për reformën e re të drejtësisë, i gjithë sistemi kaloi në një tjetër trajtim, ku pagat e gjyqtarëve dhe prokuorëve dhe pjesës mbështetëse të institucioneve të drejtësisë pësuan rritje, por me trajtim të pabarabartë.
Më e vlerësuar doli Prokuroria Speciale SPAK dhe agjentët e BKH-së, këta të fundit me pagë edhe më të lartë se gjyqtarë të gjykatave speciale të shkallës së parë dhe apelit.
Një vit pas reformës, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dispozita që krijonin trajtim të pabarabartë financiar për gjyqtarët. Më konkretisht në vitin 2022 Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenin 12, pika 5, shkronja “a” të ligjit nr. 96/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 50/2021), duke theksuar se paga e gjyqtarëve duhet të mbrohet nga ulje të padrejta dhe të ruajë raportin me shërbimin civil.
Kur prisnin “ndryshimet në paga” (rritjen e tyre), ligji nr 33/2023 vendosi që paga referuese e gjyqtarëve të llogaritet si 0.36 e pagës së Presidentit të Republikës, duke e shkëputur nga referenca tek shërbimi civil. Kryeministri nga ana e tij tha se nuk ka ulje pagash.
Koha
Mes palëve qeveri-gjyqësor ka pasur edhe “mirëkuptim dhe heshtje”, duke analizuar gjithë procesin që lidhet me trajtimin financiar, por diku në thelb ligji 33/2023 pretendohet nga gjyqtarët se u bë në shkelje të sinqeritetit dhe keqbesim.
Shoqata e Gjyqtarëve pretendon se projektligji i hartuar nga ekspertët parashikonte paga më të larta (rreth 1/3 më shumë), por Kuvendi, sipas tyre, e ndryshoi pa debat, duke devijuar nga standardet e reformës. Nga ana tjetër kreu i qeverisë e mohoi të mërkurën duke thënë se ligji u mbështet fuqimisht nga deputetët dhe nuk ka asnjë të vërtetë në pretendimin se u devijua nga varianti fillestar. Ai e cilëson si vendim politik të miratuar me konsensus, jo keqbesim.
Pikërisht këtë ligj kundërshton shoqata e gjyqtarëve dhe vendimmarrja do jetë e Gjykatës Kushtetuese, por deklaratat e fundit të palëve në proces, gjyqtarëve dhe qeverisë, e kanë kanalizuar çështjen edhe në përplasje të fortë qëndrimesh, që duket se do të vijojnë.






